Lufta e Valbonës

1232
Qazim Selimaj

(Në kuadrin e 105 vjetorit të zhvillimit saj)
Terror dhe gjenocid ndaj shqiptarëve
Shqiptarët kanë zhvilluar luftëra të pandërprera kundër pushtuesve për mbrojtjen e territoreve të të parëve të vet. Por në kujtesën historike njëra nga luftërat heroike por edhe kritike për mbrojtjen e territoreve të veta është ajo e zhvilluar në fshatin Valbonë në tetor-nëntor të vitit 1912. Ajo është njëra ndër faqet e lavdishme të rezistencës së popullit shqiptar kundër pushtuesve serbo-malazez. Për Luftën e Valbonës dhe qëndresën e prijësit Mushak Haxhi Selimaj është shkruar e folur në media, auditore dhe salla konferencash shkencore e historike. Gjithnjë ajo është parë si një akt sublim i burrave të Valbonës, por edhe vazhdim i traditës patriotike të shqiptarëve për mbrojtjen e territoreve të veta nga pushtuesit serbo-malazez. Por në fakt ajo është shumë më tepër se kaq. Dihet se vitet 1912-1913 për shqiptarët ishin vitet më të vështira për ndaljen e objektivave serbo-malazeze dhe greke për zgjerim territori në thellësi të tokave shqiptare. Kur sllavët dhe grekët dështuan në parandalimin e krijimit të shtetit shqiptar me mjete politike dhe diplomatike, atëherë vendosen të përdorin luftën si mjeti i fundit për rrëmbimin e territoreve shqiptare. Terrori dhe gjenocidi ishin strategjia e përdorur prej tyre. Nëpërmjet terrorit dhe pushtimit synonin të arrinin pastrimin etnik duke krijuar zona të pastra nga shqiptarët. Luftërat e vitit 1912-1913 nga serbo-malazezët synonin që kufirin me Shqipërinë ta vendosnin në Lumin Drin. Pjesë e kësaj strategjie ishin edhe luftërat që malazezët me ndihmën e gjithanshme të serbëve zhvilluan në Valbonë në vitet 1912-1913. Mis. Durham në shënimet e mbajtura në Cetinë në takimin me sekretarin e Vukotiq shkruan se qëllimi i Malit të Zi është që të heqë qafe të gjithë myslimanet dhe ti kolonizonte trojet shqiptare. Ai (sekretari) me mburrje thotë se “Ne i vramë të gjithë burrat e Rugovës dhe fëmijët e tyre do ti çojmë në shkolla serbe që shpejt të mos ketë as shkolla shqiptare….”. Ofensivën për pastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre na Plavë-Guci dhe në rrafshin e Dukagjinit (Pejë, Gjakovë) malazezët e planifikuan dhe e zhvilluan në bashkëveprim të plotë me serbët. Strategjinë e terrorit dhe pastrimit etnik e vunë në zbatim para se komisioni ndërkombëtar i caktimit të kufijve të vendosej në terren për të bërë definimin e kufijve shtetëror ndërmjet shteteve sllave (Serbi-Mal i Zi) me shtetin e ri shqiptar që pritej të krijohej.

Të mbrojnë tokat dhe identitetin kombëtar
Fakti i kryer, ishte opsioni politik me të cilin vendosi të luajë Malit i Zi në fushën e diplomacisë të kohës. Prandaj me 9 Tetor (1912) me urdhër të mbretit Nikollë u shkel kufiri ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane, në fillim në Biello Polje dhe pastaj u sulmua Plava dhe Gucia. Në situatën e re shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër përveçse të vetëm të mbrojnë me çdo çmim, jo vetëm e tokat e veta, por edhe identitetin kombëtar. Në krye të mbrojtjes së Plavë Gucisë u vunë Bajram Curri, Riza Bej Kryeziu dhe Zeqir Halili. Forcat malazeze i komandonte gjenerali Janko Vukotiq. Me 18 tetor 1912 Plava ra. Me 19 tetor forcat malazeze hynë në Plavë. Me 22 tetor gjenerali Radomir Vashoviq njëri nga gjeneralët malazez që komanduan pushtimin e Plavës, ndërmori një ekspeditë me mision për “pastrimin e terrenit dhe vendosjen e pushtetit malazes duke asgjësuar Hotin dhe Vuthajt e sipërm (epërm)”. Pas pushtimit të Plavë-Gucisë, pushtuesit shpallën organizimin territorial të pushtetit malazes. Sipas këtij organizimi kapitaneria e Plavës kishte pesë komuna: Valbona, Qeremi dhe Curraj Epër (të tria këto fshatra ne territorin e sotëm të shtetit shqiptar) përfshiheshin në komunën e Brezovicës. Prof. Dr. Zekerja Cana shkruan se “Nën presionin e terrorit dhe të dhunës në këto territore kudo ishte vendosur pushteti malazes. Filloi fushata e pagëzimit dhe e kthimit në ortodoks, ata që nuk pranonin pushkatoheshin”.
“E dogja Valbonën”
Vendosja e pushtetit malazes edhe në Valbonë ishte përcaktuar si objektiv i ekspeditës ushtarake e planëzuar të kryhej me datë 23 tetor 1912. Nga studimi i dokumenteve del se ky cak ushtarak nuk ishte arritur. Prandaj sulmi i parë mbi Valbonën u krye prej 25-27 tetor (1912). Pra rreth një muaj para shpalljes të pavarësisë të shtetit shqiptar. Sulmin mbi Valbonën e komandoi gjenerali malazias Radomir Veshoviq. Në arkivin e Malit të Zi për këtë ekspeditë ushtarake gjendet ky dokument, në të cilin thuhet se “Kam nderin t’ju njoftoj se Ju kam dërguar raporte rregullisht. Si ju kam bërë me dije, pas një qëndrese të fortë, e dogja Valbonën”. Pra siç del nga ky dokument, Veshoviqi e pranon se rezistenca e luftëtarëve të Valbonës ishte shumë e fortë. Me këtë mënyrë raportimi qartazi kuptohet se ai donte të justifikonte humbjet e rënda që kishte pësuar. Për realizimin e objektivave politike dhe ushtarake gjenerali Janko Vukotiq, i cili ishte në krye të forcave pushtuese malazeze për Patriarkanën e Pejës i ka raportuar mbretit të Malit të Zi. Raportimi për mbretin Nikollë dëshmon për rëndësinë që kishte ekspedita ushtarake që sulmoi Valbonën në plotësimin e objektivave gjeo-politike që kishte përcaktuar vetë mbreti. Në arkivin Malit të Zi gjendet dokumenti si vijon: Komandanti Veshoviq, sipas planit të përbashkët të shtjelluar në Guci me 9 (22) të këtij muaji në orën dy pas ditë me Brigadën e Vasojeviqit me ata pak serbë të qarkut Plavë-Guci dhe me 6 topa u nis për në Pejë… pasi e pastroi Valbonën. Ky dokument dëshmon se sulmi mbi Valbonë ishte sulm i mirë planifikuar në nivelet më të larta të vendimmarrjes politike dhe me synime të qarta strategjike për zgjerim të territoreve nëpërmjet pastrimit etnik. Gjenocidi dhe terrori i kryer në Valbonë nuk bëri asnjë efekt mbi banorët e saj. Përkundrazi ai nxiti akoma më shumë rezistencën dhe vendosmërinë e këtij komuniteti, por edhe të shqiptarëve për të ruajtur territoret e veta dhe identitetin e vet kombëtar. Lufta në Vlabonë edhe në Curraj të Epërm ishte e përfshirë në objektivat politike strategjike serbo-malazeze për zgjerim territori deri lumin Drin. Kjo ishte edhe arsyeja, pse këto dy fshatra të thella malorë ishin përfshirë në organizimin territorial të Plavë-Gucisë, tashmë të pushtuar. Përgjithsisht ekspertët ndërkombëtarë të ngarkuar nga Konferenca e Ambasadorëve për demarkacionin e kufirit në zonat e debatuara kishin zgjedhur si kritere praktike, etnitetin e popullsisë dhe parimin e derdhjes së ujërave. Nxitimi nga serbo-malazezët për të pushtuar territore, të cilat ishin nën Perandorinë Osmane dhe nuk kishin asnjë lidhje me shtetet e tyre të krijuara që më parë, kishte në themel pikërisht shfrytëzimin e këtyre kritereve praktike. Mbi bazën e kësaj strategjie u përgatit dhe zhvillua sulmi mbi Valbonë.

Prijësi Mushak Haxhia
Nga burime të besueshme të tregimeve gojore të bashkëkohësve, por edhe nga analiza e gjetjeve në arkiva besohet se Gjenerali Veshoviq, i cili komandonte forcat më të egra dhe të ashpra malazeze, (ato që njiheshin me emrin “ushtria e vasojoviqëve” ka tentuar ta thyejë vendosmërinë e luftëtarëve të Valbonës nëpërmjet negociatave me prijësin e tyre Mushak Haxhia. Ai provoi të realizonte misionin që kishte marrë në lidhje me pushtimin e Valbonës, nëpërmjet joshjeve (ofertave), por edhe kushteve ndaj Mushak Haxhisë duke i propozuar që të bëheshin edhe probatin (vëllezër gjaku). Oferta dhe kushti i Veshoviqit për Mushak Haxhinë dhe Selimajt ishte: Vllaznim, bashkëpunim dhe ne shenjë kompromisi t’i dorëzoheshin shtatë armë. Kjo do të thoshte se Mushak Haxhia dhe Selimajt e pranon plotësisht shtrirjen e sovranitetit të Malit të Zi mbi Valbonë. Kësaj oferte Mushak Haxhia ju përgjigj prerë “Jo shtatë pushkë, por as shtatë huaj gardhi, as shtatë gur zalli dhe as shtatë fije bari edhe pse kam boll, nuk ke për t’i marrë. Ky vend kurrë nuk ka me kanë i shkjeve por ka me kanë vetëm Shqiptari deri në ditën e kiametit”. Përgjigja e Mushak Haxhisë do të thoshte, luftë. Dhe kështu ndodhi. Veshoviqi në krye të 1.000 ushtarëve të këmbësorisë të mbështetur edhe me një bateri artilerie vendosi të zbatojë planin e hartuar për pushtimin e Valbonës. Me forcat e veta marshoi në rrugëkalimin Plavë-Çerem-Bregu i Kikës. Në Qerem ndaloi një natë duke e përdorur si pikë rregullimi. Sipas të tregimeve të bashkëkohësve e informuan Mushak Haxhinë për qëllimet dhe për trupat e Veshoviqit. Të nesërmen në mëngjes, Veshoviqi i lëvizi forcat për në Bregun e Kikës. Në Bregun e Kikës u përqendrua dhe kreu organizimin e luftimit me qëllim që në mëngjes herët të jetë gati për fillimin e sulmit. Rapsodi popullor i kohës do të thurte vargje, të cilat kanë ardhur deri në ditët e sotme: “Veshoviqi krye tuli,

Në gurra të Kikës topat i nguli”
Sipas tregimeve të bashkëkohësve por edhe studimeve të kryera rreth taktikave që ky gjeneral ka përdorur në luftimet e tjera provohet se këmbësorinë e organizoi në tre skalione luftimi dhe me rezervë. Në skalionin e parë, të dytë dhe të tretë i vendosi rreth 600 ushtarë. I tmerruar nga goditjet guerile, në mbrojtje të vend komandës dhe shtabit të tij vendosi 400 ushtarë.
Arkivat malazeze dëshmojnë për Luftën e Valbonës
Më 25 tetor 2017 u mbushën 105 vjet nga zhvillimi i Luftës së Valbonës. Ky akt heroik i banorëve të këtij fshati në Alpet tona, në kujtesën e historisë të popullit tonë duhet të gjejë një vlerësim më të plotë dhe më të merituar. Lufta dhe sakrificat kolektive të këtij fshati të vogël por edhe luftëtarëve si Mushak Haxhia janë krenari e popullit shqiptar por edhe nderi i tij. Pushtetarët lokalë e qendror, historianët, studiuesit, por edhe banorët e bizneset e Valbonës duhet të angazhohen t’i vendosin në piedestalin që iu takon momenteve të tilla historike siç është edhe Lufta e Valbonës. Në arkivat malazeze ka me qindra dokumente dëshmojnë Luftën e Valbonës, ka shkrime dhe libra siç është libri i Veshoviqit “Gjenerali i pa shkollë” kushtuar Mushak Haxhisë, kurse ne nuk kemi asgjë, madje edhe memoriet e bashkëkohësve të tij nuk i kemi të dokumentuara. Ka ardhë koha që të funksionalizohen në çdo qark, instrumente të posaçme të financuara nga shteti për t’u marrë me ndriçimin e ngjarjeve me rendësi historike. Lufta e Valbonës është njëra ndër përpjekjet heroike për mbrojte të territoreve shqiptare gjatë viteve 1912-1913.

Sigal