Luan Rama: Dedikim lamtumire Sadije Agollit

524
Sigal

Nuk kanë munguar personazhet që i kanë kushtuar dedikime lamtumire të ndjerës Sadije Agolli. Një nga këta personazhe ishte edhe Luan Rama, Zevendeskryetar i LSI

Sadija e Dritëroit

 

Iku si një mjellmë e bardhë…
Ishim mësuar t’a shihnim gjithnjë në krah e bashkë me Dritëronë.
Nuk u mësuam dot t’a shihnim vetëm, pa Dritëronë!
Dhe iku…
Iku si një mjellmë e bardhë.
Iku si një mjellmë dashurie për Dritëronë.
Dritëroi u dritërua!
Se, “…ku ta linte një lanete, një xhinde Shkodre, një kaproll? Ajo me not do çante dete…”
Sadija e mirë e bujare, durimmadhja e palodhur që ka pritur e përcjellë me aq shumë dashuri një botë të tërë me njerëz, ishte dhe do të mbetet Sadija e Dritëroit.
Ndaj, jo rastësisht Dritëroi është mbase shkrimtari që i dedikoi gruas më shumë këngë e poezi nga çdo shkrimtar tjetër në botë.
Ajo ishte dhe do të jetë gjithnjë Sadija e Dritëroit.

Qetësia e bukur

Dritëro Agolli

Gruaja fle në çarçafin e bardhë e jastëkun e bardhë
E bukur si perëndi e lashtë e Greqisë ;
Flenë sytë e saj që më mahnitën vite me radhë,
Flenë buzët e saj si kokrra e prerë në mes e qershisë;

Flenë qerpikët si halat natën në grurë,
Flenë mollëzat e faqeve që bëjnë gropëza kur qeshin ,
Fle balli i hijshëm që s’e desha të ngrysur kurrë
Dhe nën ballë vetullat si krah dallëndyshe heshtin .

Në çast më pushton një ndjenjë fajësie dhe malli ,
Para saj i vetëm , para saj i pagjumë,
Dhe mbulohet me rrudha të dendura balli
Dhe them me vete : grua e dashur të kam lodhur shumë ,

Kam ikur shpesh në rrugë të gjata në fusha e shpate ,
Të kam lënë fëmijë e shqetësime mbi shpinë ,
Të kam lënë pazarin , radhën e netët fillikate ,
Të kam lënë mbi shpatulla gjithë shtëpinë.

Fli e vuajtura ime !

1988