Lindita Nikolli, e para mirditore që bëhet pjesë e qeverisë shqiptare

1785
Sigal

Vendosja në krye të Ministrisë së Arsimit është pa diskutim meritë e saj, por është dhe një mirënjohje që i ka bërë PS

Pas 23 vjetësh të kësaj demokracie të brishtë shqiptare, Partia Socialiste e Shqipërisë e ka korrigjuar shënjestrën e saj dhe ka gjuajtur në shenjë me përzgjedhjet që ka bërë në kabinetin qeveritar të Kryeministrit Edi Rama. Kështu znj. Lindita Nikolli me detyrën e Ministres së Arsimit dhe Sportit, për herë të parë në histori, bëhet anëtare e qeverisë dhe Kryetare e këtij dikasteri një bijë, burrëreshë, me prindër nga Mirdita. Dhënia e këtij mandati pa hezitim të znj. Lindita Nikolli nuk është dhuratë për të, por një meritë për atë kontribut të çmuar që për një dekadë i ka dhënë Partisë Socialiste dhe Demokracisë Shqiptare në tërësi, gjithashtu askush nuk mund ta quaj privilegj, as vetë Lindita, pasi aty ka marr përsipër një nga detyrat më të rëndësishme e ndër më të vështirat, e më të komplikuarat nga të gjitha ministritë e tjera të qeverisë, pasi në të ka mjaft probleme aktuale të akumuluara ndër vite nga drejtimi i papërgjegjshëm i Partisë Demokratike dhe që do i duhet mjaft punë e sakrifica, organizim, lodhje e mundim, nga ku ka mjaft ankesa e kërkesa që po i zgjidh me sukses dhe do t’i zgjidhë në vazhdimësi në vitet në vijim.

Mandati

Mandatimin e Lindita Nikollit si besimtare e fuqishme e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në postin e Ministres së Arsimit dhe të Sportit, jo vetëm që është pozicioni më i vështirë në kabinetin e Këshillit të Ministrave, pasi është e vetmja ministri që jo vetëm ka një përbërje njerëzore heterogjene, por ka një shpërndarje fizike territoriale në tërë Shqipërinë dhe se ka të bëjë me brezin më të ri, e më delikat që fillohet nga mosha 7 e deri në moshën e pjekurisë 22-25 vjeç, asaj do i duhet t’i dhurojë vendit kuadro të aftë e të zotë nga të gjitha kategoritë e shkollimit në Shqipëri. Që tani kanë filluar të shfaqen mungesa ambientesh për mësimdhënie normale si dhe baza materiale  për konkretizimin e saj në praktikë, që do i duhen Linditës të merret dhe me infrastrukturën rrugore, sidomos në fshatra që nxënësit të shkojnë normalisht në frekuentimin e shkollave në tërë zonat e komunave, bashkive, të Republikës. Ky ka qenë besimi i palëkundur i Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit që i ka dhënë këtë Ministri mirditores Lindita Nikolli.

Mësuesit ndër vite

Vendosja e Linditës në krye të Ministrisë së Arsimit është pa diskutim meritë e portretit të saj, por është dhe një meritë dhe një respekt e mirënjohje që i ka bërë Partia Socialiste e Shqipërisë jo vetëm Mirditës e mirditorëve, por dhe për të shkuarën historike të arsimit në Mirditë, që nëpërmjet mësuesit të popullit Ndrec Ndue Gjoka i ka kërkuar qeverisë të kohës së pasçlirimit, për t’i dhënë Mirditës 50 shkolla dhe bashkë me to dhe mësuesit: Gjin N. Tuci, nga Spaçi i Mirditës, Pjetër Filopati nga Kodër-Rrësheni, dhe Nikoll Përgjetani nga Fushë-Lumthi, të cilët nuk jetojnë më, kanë mundur të organizojnë kurse në tërë Mirditën dhe kanë sulmuar e mundur errësirën e analfabetizmit që kishte pllakosur këtë trevë që quhet Mirdita e Kuqë dhe fatmirësisht pas dekadash të tërë vjen në krye të këtij dikasteri mirditorja znj. Lindita Nikolli që do i japë demokracisë njerëz të aftë, të zot, që do përballojnë sfidat. Dhe kjo do jetë bindja e të gjithë Mirditës.

CV

Lindita Nikolli para ardhjes në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është zgjedhur për 2 mandate rresht Kryetare e Bashkisë Nr. 1 Tiranë, kjo e fundit 2011-2013. Për më saktë po japim një CV të shkurtër për Ministren e Arsimit Lindita Nikolli.

-Znj. Nikolli, në Korrik 2010, ka kryer studimet Master në Administrim Publik, drejtimi Pushtet Ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës.

-Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 znj. Nikolli është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

-Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në Qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Znj. Nikolli ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje.

-Znj. Nikolli zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge e atë italiane.

Origjina

Lindita edhe se ka lindur në Tiranë, ajo asnjëherë nuk e ka mohuar se është bijë e Mirditës me dy prindër të lindur në Mirditë. Babai i saj Lleshi ka mbaruar Akademinë e Lartë Ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik dhe profili i tij i vështirë, ai i pilotit, ka bërë që karrierën e tij ta kalojë në Tiranë në detyra të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes e deri në funksionet më të larta të drejtimit të Komandës së Forcave Ajrore të Aviacionit Shqiptar. Po qe se do ekzistonte vazhdimësia e gradave në ushtri, Lleshi do e mbyllte karrierën e tij në pension me gradën madhore, Gjeneral.