Shansi i jofituesve me A3 dhe sistemin part-time

517
Sigal

Përfundojnë regjistrimet në universitete. Zbardhen listat zyrtare të maturantëve që kanë marrë statusin e studentit. 

E diela ka shënuar mbylljen e regjistrimit për maturantët fitues në universitete. Kështu, në mbyllje të ditës së djeshme, të gjitha universitetet në vend kanë zbardhur listat zyrtare të maturantëve që kanë marrë statusin e studentit.  Nga kjo listë do të publikohen edhe vendet e mbetura bosh nga procesi i regjistrimeve. Në bazë të procedurave të njëjta që nga viti i kaluar, maturanti që nuk ka kryer regjistrimin gjatë javës së parë të fillimit të vitit akademik, konsiderohet i paregjistruar dhe e humbet këtë program studimi, edhe pse është pjesë e listës përfundimtare të fituesve. Këtë e thotë shprehimisht edhe Agjencia Kombëtare e Provimeve. “Sekretaritë duhet të pasqyrojnë në sistem të gjithë studentët që dorëzojnë dokumentet dhe për rrjedhojë vijojnë studimet në programin përkatës deri në datën 13 tetor 2013”. Ndërkohë, sipas udhëzimit të MAS, “Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga datat 8-13 tetor 2013, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatët fitues. Gjatë kryerjes së procedurës së dorëzimit të dokumentacionit plotësues, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues dhe sekretarisë mësimore. Institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë pranë AKP-së deri në datën 14tetor 2013 listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, për çdo program studimi, të ciklit të parë me kohë të plotë, sipas udhëzimit nr.45, datë 19.12.2011 “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit”, i ndryshuar, në formë shkresore dhe elektronike”. Ashtu siç ndodhi edhe në publikimin e raundit të parë dhe të dytë të listës paraprake të studentëve të regjistruar, shumë prej kandidatëve për studentë kanë vendosur që të vijojnë studimet e larta jashtë vendit apo në universitete private. Kjo gjë krijon të tjera hapësira studimi në fakultetet publike për maturantët që nuk janë përfshirë në listat e fituesve të fazë së parë. Në nisje të javës së ardhshme Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve do të zbardhin udhëzimin e plotë me procedurat e plotësimit të formularit A3, me anë të cilit mijëra maturantë do të garojnë sërish për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike. Vlen të theksohet për të gjithë kandidatët që do të plotësojnë këtë formular se kandidimi i tyre do të jetë në disa degë të kufizuara, pasi në Formularin A3 do të pasqyrohen vetëm degë të cilat kanë kuota të mbetura bosh. Kështu, në A3 jo të gjithë mund të gjejnë degët e tyre të preferuara. Ashtu si dhe vitin e kaluar, pjesa dërrmuese e kuotave bosh rezultojnë të jenë në fakultetet e rretheve.

Formulari A3

Këtë vit pritet që të zënë vend në auditore rreth 31 mijë të rinj në sistemin me kohë të plotë, ndërkohë që ata që nuk do të kenë mundësi të fitojnë në fazën e parë, në të dyja raundet, do të kenë një shans të dytë nëpërmjet plotësimit të formularit A3. Por në këtë rast ata do të jenë të kushtëzuar të zgjedhin mes kuotave që do të rezultojnë të paplotësuar në fakultetet përkatëse dhe jo në bazë të meritë-preferencës.

Sistemi part-time

Të gjithë ata studentë që nuk rezultojnë fitues në sistemin me kohë të plotë, kanë mundësi të aplikojnë në sistemin part-time. Ministria e Arsimit ka miratuar kuotat për këtë sistem part-time, ku mund të aplikojnë ata që nuk shpallen fitues në sistemin e ditës. Ndërkohë në total për të gjitha universitete publike të vendit janë aprovuar rreth 8,522 kuota studimi për ciklin part-time.

 Nikolla: Do zhbëhen emërimet e muajve të fundit në arsim

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, raportoi të hënën gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Medias, lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor në sistemin e arsimit parauniversitar dhe të vitit të ri akademik. Ministrja evidentoi se, një ndër problematikat e hasura, kanë qenë emërimet e bëra në arsim gjatë muajve të fundit. Sipas saj “Gjatë muajve gusht dhe shtator, nëpër shkolla janë bërë emërime që nuk plotësojnë urdhrat e dalë. Ne do të kërkojmë zhbërjen e tyre”. Ndërkohë Ministrja Nikolla theksoi se “për fillimin e vitit të ri shkollor, vetëm për arsimin parauniversitar janë hartuar 20 urdhra”. Ministrja Arsimit dhe Sportit, gjatë raportimit të saj në komision bëri me dije se Ministria që ajo drejton është në proces riverifikimi të të dhënave në terren për numrin e nxënësve. “Janë paraqitur një sërë ankesash nga mësuesit, ndërkohë që është hartuar paketa konkrete për kualifikimin e tyre”, tha Nikolla.

E pyetur nga anëtarët e Komisionit të Medias lidhur me problematikat për nisjen e vitit shkollor, ministrja tha se, “ka patur një problematikë në shpërndarjen e teksteve, më së shumti për ato kategori nxënësish që përcaktohen nga ligji për të marrë tekste falas”, ndërkohë sipas saj “në Dibër, Korçë, Përmet, Shkodër e disa qytetet të tjera të vendit janë vërejtur dhe problematika lidhur me gjendjen fizike të shkollave”. Lindita Nikolla tha ndër të tjera se Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka ndërhyrë në kohë, për të mos lejuar mbylljen e shkollës 9 vjeçare “Hoxha Tahsin” në Tiranë.

 Rikthimi i fizkulturës në universitete, Nikolla: T’i orientojmë të rinjtë drejt sportit

Edukimi fizik pritet të rikthehet jo vetëm në sistemin parauniversitar, por edhe në universitete. Kjo gjë është deklaruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila ka thënë se do të ketë një rikthim të sportit shkollor, por edhe përmirësim të ligjit për sportin. Nismë kjo që është përshëndetur nga Rektori i Universitetit të Sportit, Vejsel Rizvanolli, i cili e ka konsideruar një domosdoshmëri, sidomos për fëmijët të cilët sot po vuajnë çdo ditë e më shumë nga mbipesha për shkak të mungesës së aktivitetit fizik.

Sporti shkollor

Nëse dikur ora e fizkulturës shikohej si një orë si gjithë të tjerat, sot ajo shihet si një orë pushimi për të pirë kafe. Por ky fenomen do të marrë fund, pasi Ministria e Arsimit dhe Sportit do të riaktivizojë sportin në shkolla dhe brenda këtij muaji do të rikthejnë palestrat e uzurpuara nga palët e treta institucioneve arsimore. “Ne çliruam ambientet shkollore nga kjo problematikë që ekzistonte prej vitesh. Brenda 25 tetorit nuk do të ketë më as lokale dhe as palestra me qira në shkolla. Do të ndryshojmë programin mësimor, pasi në Maturë nuk ka fare orë fizkulture dhe në universitet gjithashtu. Ajo që ne synojmë është që t’i orientojmë të rinjtë drejt sportit. Kjo është mjaft e rëndësishme”, – tha Nikolla. Sipas saj, do të krijohet Federata Shkollore, që do të ketë 1-2 persona përfaqësues për sportin. “Ne si ministri do ta kemi prioritet sportin. Dhe me këtë sy duhet të shihet edhe nga të rinjtë e nga media. Një shoqëri që nuk e ka në vëmendje aktivitetin fizik për ta kultivuar që herët, sigurisht që do të ketë mjaft probleme në vijim”, – tha Nikolla.