Lin – Pogradec, rruga e skandaleve e tre qeverive

871
Bardhyl Berberi 

Gjithsecilin po ta pyesësh në Pogradec se kur do të mbyllet rruga nga Lini në Pogradec ngre supat pasi askush nuk e di përfundimin e kësaj rruge. Le të lodrojmë nëpër shkresat e shumta dhe vendimet e marra. “Aksi rrugor në fjalë (aksi fundor) ka 1 tunel të ndarë në 4 pjesë, kjo shpjegon edhe arsyen pse kushton 9,7 mld lekë të vjetra. Ky aks është ndërtuar në vlera më të ulëta, krahasuar me segmente të tilla ndërtuar gjatë qeverisjes së kaluar. Ky është një projekt i vitit 2011, dhe në projektin fillestar ishte parashikuar që futej në brendësi të liqenit të Pogradecit . Sipas tij, projekti fillestar parashikonte edhe prishjen e 2 bunkerëve të hyrje të qytetit, dhe nuk merrte parasysh ndikimet në ambient. Ndërkohë projekti i rishikuar merr parasysh gjithë këta faktorë që nuk ishin përfshirë më parë dhe nuk prek asnjë pjesë e liqenit. “Në këtë projekt gjoja të konsultuar edhe me banorët, pasi ka qenë një nga plazhet më të vjetër të qytetit dhe na duhej të ruhej ”, pasi sipas projektit bazë të miratuar ne 2009 dhe të tenderuar ne vitin 2011, në këtë km rrugë parashikohej që Zgjerimi i rrugës do të bëhej nga ana e liqenit duke :ndërtuar mure mbajtës betoni në afërsi të pasqyrës së ujit të liqenit, Mbrojtje me gurë të këtyre mureve nga ana e liqenit duke prishur të gjithë pjesën e plazhit e të liqenit në këtë zonë duke prishur dhe dy bunkerët. Kur fap na del një shkresë tjetër nr. 1476 dt. 23.04.2013 se Ministrisë se Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve drejtuar D.P.Rr dhe shkresës së D.P.Rr –së nr. 1976/1 prot dt. 24.04.2013, me Vendimin e Këshillit teknik te dt. 26.04.2013 dhe dt. 29.05.2013 u miratua projekti i cili parashikonte: Ruajtja e bunkerëve ne Km.21+592 dhe ne Km.21+960 ku rruga të realizohej nëpërmjet ndërtimit të mureve pritëse mbas gërmimit të shpatit djathtas dhe ndërtimit të trotuarit mbi një strukturë beton arme që anashkalonte bunkerët, të cilët do të mbeteshin me këtë zgjidhje ndërmjet rrugës dhe trotuarit. Në këtë zgjidhje të pranuar atëherë u modifikuan edhe parametrat gjeometrikë të rrugës, duke zvogëluar rrezet gjerësinë e saj: duke zvogëluar gjerësinë e bankinave dhe duke hequr kunetat. Kjo zgjidhje nuk siguronte qëndrueshmërinë e skarpateve dhe rrjedhimisht sigurinë rrugore dhe zbrazte thasë të tjera me dollarë. Me shkresën nr. 6760/1 Prot datë 04.11.2014, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, ka dorëzuar pranë Autoritetit Rrugor një MEMORANDUM të mbajtur ndërmjet Ministrisë së Kulturës Nr.5045 Prot, dt.2.11.2014, të Mjedisit Nr.10603Prot, dt.3.11.2014, të Zhvillimit Urban dhe Turizmit Nr.4278/11Prot, dt.2.11.2014, dhe asaj të Transportit dhe Infrastrukturës Nr.6760 Prot, dt.2.11.2014, nëpërmjet të cilit për zonën e bunkerëve kërkohet; Mbrojtja dhe mosprishja e bunkerëve në krah të rrugës kryesore si objekte me vlera historike e kulturore, a thua se shqiptarët kishim mall për këta bunkerë, pasi sistemi komunist u mbolli shqiptarëve nëpër ara dhe kodrina 960 mijë bunkerë. Dhe siç thonë pogradecarët, këta dy bunkerë na kushtuan sa frëngu pulën. Dhe vendimet shkojnë e vijnë pa u tharë boja e njërit vendim del vendimi tjetër. Nuk mund të gjesh një vepër në asnjë vend të botës që projektet të ndërrohen si fletë kalendari me një kosto të majme nga pas. Me Vendim të Këshillit Teknik Nr.36 të Autoriteti Rrugor Shqiptar, datë 37/05/2015, Nr4640 Prot.” është miratuar Projekt Zbatimi për “Sistemim asfaltim rruga Qafë Thanë – Lin – Pogradec Loti II, Masa Mbrojtëse inxhinierike ne Km.21+050÷Km.22+050”. Ky vendim pas atij të bunkerëve na sjell të tjera ndryshime, vetëm me para pa kursim. Zgjidhja teknike, parashikon devijimin e aksit të rrugës djathtas drejtimit Lin – Pogradec, nëpërmjet realizimit të gërmimit të shpatit dhe mbrojtjes së skarpateve me strukturë prej betoni të armuar “tunel të hapur” si dhe sistem rrjetash dhe kavo çeliku të shoqëruara me ankera. Tuneli i përbërë nga 4 segmente, me gjatësi totale rreth 300 ml, është strukturë “tunel i hapur” nga ana e liqenit. Në brendësi të strukturës së tunelit të hapur rruga do të ketë: 2 korsi kalimi 3.5 m + 2 bankina të asfaltuara 1 m +2 kuneta 0.75 m + 2 trotuare të asfaltuara 1 m secila. Dhe jashtë strukturës së tunelit të hapur rruga do të ketë: 2 korsi kalimi 3.5 m secila + 2 bankina të asfaltuara 1 m + 2 kuneta betoni 0.75 m + një brez i gjelbër 1.9 m nga ana e liqenit dhe 1 m nga ana e murit + trotuar me gjerësi 3.5 m nga ana e liqenit ku do të vendosen ndriçimi rrugor, linjat rezervë dhe gjelbërim. Sistemi mbrojtës i skarpateve përbëhet nga tre tipa: rrjeta mbrojtëse, rrjeta mbuluese multimat (të cilat bëjnë stabilizimin e skarpateve dhe zhvillimin e bimësisë në to) dhe rrjetat pritëse. Projektet ndërrohen njëra pas tjetrit duke zbuluar ndonjë avantazh që mbulohet me një mal me para. Kështu vetëm për 900m e fundit janë harxhuar 9 milionë dollar për çdo metër punimi 1 milion dollar. Dhe bla bla blaja vazhdon me epërsitë e këtij projektin me mal tjetër me dollar! Ky projekt ka avantazhe nga ai i mëparshmi, pasi siguron zgjidhje teknikisht të qëndrueshme, nuk ndërhyhet me mure betoni në liqen, kthimi dhe rehabilitimi i plazhit në gjendjen e mëparshme, ka kosto minimale mirëmbajtjeje të tunelit, punimet do të realizohen 100% duke mos penguar për asnjë çast qarkullimin rrugor, impakt ambiental negative do të jetë minimal duke rritur impaktin pozitiv mjedisor si dhe duke i dhënë pamje të re hyrjes se qytetit turistik të Pogradecit. Vlera e këtij projekti është skandaloz të gjithë çuditen dhe kanë ngelur të skandalizuar si për kohën e gjatë të kësaj rruge që vetëm gëlltit para si një rrugë vampir, e cila ndërtohet ditën dhe prishet natën, sikur të jetë pëlhura e Penelopës…