Ligji për “Partitë Politike” i krasit kompetencat KQZ-së të monitorojë shpenzimet e partive politike

700
Jakup B, GJOÇA
Partitë (e mëdha) politike shpenzojnë financiarisht sa të duan, dhe deklarojnë sa të duan
KQZ-ja ka mbaruar monitorimin e financimit të partive politike, dhe me logjikën e INSTAT-it ka hartuar raportin statistikor, bazuar në shifrat që kanë deklaruar vetë partitë politike, dhe arrin në konkluzionin , se çdo gjë në financimin vjetor 2017 të partive politike është brenda kornizave të ligjit. 

Lobingjet dhe alibia e shpenzimeve financiare të partive politike
PS-ja përditë jep deklarata publike për financimet e padeklaruara dhe të paligjshme të PD-së dhe kryetarit të saj Lulzim Basha për lobingje në SHBA me rusët, duke i bërë thirrje prokurorisë të hetojë. PS-ja i mbështet akuzat e saj kundër PD-së për financime të paligjshme edhe në faktin që 500.000 dollarët e lobingut të PD-së nuk janë deklaruar në KQZ. Mirëpo, PS-ja qëllimisht “harron” dhe anashkalon të dënuarin në SHBA Bilal Shehun, i cili u dënua nga Gjykatat amerikane, për financime të kundërligjshme në SHBA, me qëllim lobingun e kryeministrit Rama për t’u takuar me Presidentin e atëhershëm të SHBA Obamën. Pra, këto 2 fakte dëshmojë qartazi se partitë politike në Shqipëri shpenzojnë miliona lekë, por kurrë nuk deklarojnë shpenzimet e tyre në KQZ. Dhe, KQZ-ja, si institucion kushtetues për monitorimin e shpenzimeve politike të Partive Politike nuk monitoron, nuk auditon asgjë nga këto akuza publike që PD dhe PS i bëjnë njëra tjetrës. Me mosveprimin e saj, KQZ-ja praktikisht është shndërruar vetëm në arkë për të paguar partitë politike nga shuma e buxhetit, që parashikon ligji dhe një “INSTAT” i shifrave që deklarojnë vetë partitë politike për shpenzimet e tyre financiare. 

Partitë harxhojnë miliona euro, deklarojnë qindarka lekë
2017-ta ishte viti i zgjedhjeve parlamentare. Raportet e organizmave ndërkombëtare që monitoruan zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, sikurse OSBE, ODHIR-i, ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, kanë bërë analiza dhe raporte, ku theksojnë se edhe në këto zgjedhje parlamentare në Shqipëri votat u shitën dhe u blenë. Vetëm KQZ-ja nuk “mori” haber për shitblerjen e votës, thua se nuk jetonte fare realitetin në Shqipëri, ose partitë politike i “kanë vënë” syze të errëta mos-shikimi. Partitë e mëdha politike organizonin mitingje të përditshme, madje edhe shumë mitingje brenda një dite, ku po të llogaritësh shpenzimet financiare të organizimit, transportit të njerëzve-dekor, etj, do të dalin shifra marramendëse aritmetike lekësh të shpenzuara. Po kështu, edhe reklamat televizive të partive dhe kandidatëve për deputetë, mirëpo, të gjitha këto shpenzime, jo vetëm që u “harruan” nga partitë (e mëdha) politike të shënoheshin në defterët e deklarimit të shpenzimeve, por edhe KQZ-ja, si institucion kushtetues për monitorimin e shpenzimeve financiare për partitë politike, nuk e bëri aspak auditimin atëhere, konkretisht. Dhe, meqë zgjedhjet parlamentare u kryen në mesvit, dmth në qershor, shpenzimet financiare të partive politike, shitblerja e votës ( e pranuar nga të gjithë aktorë dhe faktorë zgjedhorë, por e pa hetuar nga asnjë institucion kushtetues përkatës dhe Gjyqësori) u “harruan” të mbaheshin në defterin e shpenzimeve nga partitë dhe në regjistër u shkruan thërrime qindarkash, të cilat iu dorëzuan KQZ-së në fundvitin e 2017-s. Dhe, KQZ-ja, që të jetë edhe ajo “në rregull” me ligjin, auditoi, monitoroi, verifikoi vetëm shifrat e shpenzimeve që i dhanë raportet e partive. 

Ligji për “Partitë Politike” i miratuar sipas “kostumit” të dëshirave të partive
Partitë politike janë “përkujdesur” që ligji “Për Partitë Politike” të miratohet nga Parlamenti sipas interesave të tyre, duke “krasitur” çdo kompetencë ligjore për hetim, monitorim, auditim financiar nga KQZ-ja për partitë politike, si institucion kushtetues për monitorimin financiar të partive politike. Ligji “Për Partitë Politike” nuk i jep kompetenca KQZ-së, që të hetojë ajo, me iniciativë shpenzimet financiare të partive politike, ligji “Për KQZ”-në nuk i krijon mundësinë KQZ-së që të ketë një administratë të aftë të hetojë dhe monitorojë shpenzimet financiare të partive politike. Dëshira Subashi dhe Kristaq Kume në prononcim për gazetën “Telegraf”, konstatojnë të metat e ligjit për “Partitë Politike” dhe “Për KQZ-në”. 
Dëshira Subashi: KQZ-ja e deklaron veten të pamundur

Kam dëgjuar Kryetarin e KQZ-së në raportimin në Komisionet Parlamentare të ketë deklaruar se KQZ e ka të pamundur të ndjekë e hetojë monitorimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike. Në kuptimin e ligjit, i vetmi institucion përgjegjës i kontrollit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike është KQZ-ja dhe kur KQZ-ja deklaron se është në pamundësi ta kontrollojë e monitorojë këtë proces kjo duhet të jetë e vërteta. Në fakt, deri më tani, procesi i një kontrolli financimi e shpenzimi të partive politike ka qenë në ngarkim të kontrollit të KQZ-së, vetëm më periudhë zgjedhore. Por për hir të së vërtetës, edhe ky proces nuk ka qenë i plotë, sepse është bazuar në deklarimet e partive politike; pra janë kontrolluar vetëm aktet që vetë partitë kanë pasqyruar të ardhurat dhe shpenzimet, për fushatë zgjedhore. KQZ-ja e deklaron veten të pamundur, e çfarë mund të kërkohet më shumë? Në fakt, nga përvoja personale, unë tani gjykoj se, duhet menduar mirë të krijosh një problem financimi tek partitë politike për pasojat që të ndjekin në jetë. Nëse nuk garantohet siguria juridike e personave që kryejnë detyra ta larta dhe të vështira, nuk do të kemi as një garanci të çfarëdo procesi financimi që kryejnë partitë politike, siç edhe ka ndodhur në fakt. E vetmja risi pozitive është që ligji është përmirësuar vite më parë dhe vetëm tani, në vitin 2018 del një problem financimi. Edhe në këtë rast problem vjen nga jashtë institucioneve të shtetit. KQZ-ja në këtë veprimtari të shtuar të saj do të duhet të kishte mbështetje të fortë, siguri juridike të plotë, për të bërë të mundur zbatimin korrekt të ligjit. 

Kristaq Kume: Mundësitë e KQZ-së për të audituar, analizuar dhe monitoruar financat e partive politike janë të kufizuara

Ligji “Për partitë politike” i detyron partitë politike që në një herë në vit të dorëzojnë pranë KQZ raportet financiare vjetore. Ligji iu kërkon partive që të deklarojnë çdo informacion që lidhet me aktivitetin financiar të tyre. Në aspektin formal, një rregullim i tillë ligjor krijon përshtypjen se çështjet që lidhen me financimet e partive politike janë të vendosura nën regjimin e kontrollit, në kushtet e domosdoshmërisë ligjore për bërjen transparente të çdo burimi financimi dhe subjekti financues, në kushtet kur mundësitë për të anashkaluar dhe fshehur informacion janë të vogla. Në fakt, nuk është kështu. Ligji i lejon hapësirën e nevojshme partive që ato të mos deklarojnë saktë dhe në mënyrë transparente financat e tyre, pse edhe në rastin kur mund të verifikohet një sjellje e tillë, ligji mjaftohet me parashikon penalizime që partitë mund t`i pranojnë dhe t`ju nënshtrohen pa shumë probleme. Ligji e ka ngarkuar KQZ-në si institucion që duhet të auditojë, analizojë dhe monitorojë financat e partive politike, por ligji nuk i afron asnjë mundësi mbështetëse këtij institucioni për ta realizuar këtë detyrë. KQZ-ja aktuale është institucion me performancave profesionale të pamjaftueshme për të kryer këtë detyrë që i ka ngarkuar ligji. Si tregues domethënës për kapacitete të pamjaftueshme dhe mungesën e ndjeshme të mbështetjes së KQZ -së për të kryer këtë detyrë mjafton edhe vetëm fakti se pagesa e auditeve të financave të partive politike bëhet nga vetë partitë politike. KQZ-ja nuk ka të parashikuar në buxhetin e tij një fond të tillë!!! Duke pasur parasysh situatën e mësipërme, por duke theksuar se, në plotësim të saj mund të sillet shumë më tepër informacion, që tregon se sa kompleks është problemi i auditimit dhe transparencës së financimit të partive politike, përgjigjet më afër realitetet për pyetjet tuaja janë: Çfarë vetë deklarojnë partitë politike për financat e tyre është vështirë që të jetë e vërteta. Ligji ju a mundëson një sjellje të tillë. Mundësitë e KQZ-së për të audituar, analizuar dhe monitoruar financat e partive politike janë të kufizuar. KQZ-ja nuk ka kapacitete për të hetuar informacione të padeklaruara nga partitë politike. Ligji nuk e ndihmon KQZ-në në plotësimin e kësaj detyre.
Sigal