Ligji për Dekoratat/ Presidenti Bajram Begaj i kthen ligjin qeverisë: Cenon të drejtat kushtetuese dhe ngushton kompetencat e të kreut të shtetit

98
Sigal

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ktheu të premten për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, duke e cilësuar atë që një ligj që cënon të drejtën kushtetuese të Presidentit.

Në dekretin e publikuar në faqen e Presidencës renditet si arsye juridike mungesa e konsultimit të projektligjit me Presidencën, si palë e interesuar drejtpërdrejt në proces, si dhe sillen argumente për cënim të parimeve kushtetuese, ku kompentenca e dhënies së dekoratave është atribut i Presidentit.

“Është e qartë se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës.. me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato,” thuhet në dekretin e firmosur nga Begaj.

Sipas kreut të shtetit, ligji mund të përcaktojë dhe detajojë çështje proceduriale apo teknike të procesit të dekorimit, por jo të deformojë apo ngushtojë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese.

“Krijimi i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përbëhet nga organet drejtuese, Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve dhe kompetencat e përcaktuara për këtë strukturë kolegjiale vendimmarrëse shtetërore, i heqin një pjesë të rëndësishme të kompetencës kushtetuese në vetvete Presidentit të Republikës,” thuhet në dekret.

Dhënia e dekoratës me dekret nga Presidenti nuk mund jetë një veprim thjesht honorifik, arsyetohet në dekret,  por duhet të vijë “si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës”.

Begaj po ashtu e cilëson ligjin e ri në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe analizon nga pikëpamja juridike nenet përkatëse që çojnë sipas këtij arsyetimi në kufizimin e kompetencës kushtetuese të kreut të shtetit.

Sipas projektligjit të propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe të miratuar me votat e shumicës socialiste në Kuvend parashikohet që medaljet, pavarësisht se do të firmosen formalisht nga presidenti, do të kalojnë fillimisht nga një institucion i ri i quajtur Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.

Kancelaria do të drejtohet nga Kancelari, i cili, sipas projektligjit, do të emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri dhe pranë tij do të funksionojë një “Kolegj i Urdhrave dhe Medaljeve”, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të kontrolluara kryesisht nga kryeministri si dhe një përfaqësues i Presidencës, i cili do të ketë rolin e nënkryetarit.

Projektligji i jep dorë të lirë kryeministrit të emërojë dhe shkarkojë kancelarin sipas dëshirës, “bazuar në kodin e punës”.

Edhe pse e cilëson anti-kushtetues, presidenti gjithsesi vlerëson modelin e zgjedhur në ligj “për ndarjen e mbajtësve të dekoratave në Urdhra” dhe e quan ligjin të nevojshëm për të displinuar dhe standardizuar dekoratat dhe titujt.

Projektligji parashikon njëmbëdhjetë tituj nderi dhe medalje, ku secili nga titujt ka disa kategori. Titulli më i lartë do të quhet “Urdhri suprem i Shqiponjës”, e cila zëvendëson në këtë mënyrë dekoratën e Flamurit Kombëtar, e cila ishte dekorata më e lartë sipas ligjit aktual. Ajo do të jepet në gjashtë kategori: Gjerdani i madh, Ylli i Madh, Oficer i Madh, Komandar, Oficer dhe Kalorës. Presidenti i Republikës për shkak të funksionit shpallet menjëherë komandant i këtij urdhri me titullin “Ylli i Madh” ndërsa mbajtësit e titullit Ylli i Madh do të nderohen pas vdekjes me funeral ushtarak.

Urdhri i Skënderbeut do të ketë gjithashtu të njëjtat kategori, ndërsa në rang të tretë do të jetë Urdhri i Lisit Akademik, në bazë të së cilit do të nderohen qytetarët me merita të veçanta në kulturë, shkencë, arte apo sport.