Ligji i ri për azilin, BE : Afron Shqipërinë me standardet ndërkombëtare

176
Sigal

Kuvendi miratoi të hënën ligjin për azilin dhe procedurat e refugjatëve në Shqipëri. Ligji përcakton rregullat dhe detyrimet e të gjithë shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri me qëllim për të punuar, apo qëndruar përkohësisht është vlerësuar nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, por edhe nga organizata e Kombeve të Bashkuara, UNHCR.

Për përfaqësinë e BE në vendin tonë ligji i ri për azilin e afron Shqipërinë me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e Unionit Europian për një çështje të rëndësishme siç është ajo e menaxhimit të refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë nga vende në konflikt apo të pasigurta.

”Ligji garanton që personat që kërkojnë azil të kenë qasje në procedurën e azilit, rregullon kushtet për përpunimin e kërkesave të tyre dhe ofron garanci shtesë për trajtimin e kategorive të ndjeshme midis azilkërkuesve, siç janë të miturit e pashoqëruar. Ligji përforcon kornizën për integrimin e refugjatëve. Ai po ashtu përfshin një procedurë të përshpejtuar për të vlerësuar kërkesat e azilit në mënyrë të shpejtë, kur plotësohen kushtet”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së.

Një tjetër risi në ligjin për azilin është mundësia që iu jepet personave me status refugjati që të kenë të drejtën e aplikimit dhe marrjes së shtetësisë shqiptare me natyralizim.