Ja si do zhduken regjistrat e shkollave të mesme

1945
Diploma gjimnazi false, kanë siguruar mbi 23 mijë persona, 60% e të cilëve janë bërë pjesë e administratës publike 
Përparim HALILI
Burime nga brenda kupolës së ekipit “Qeveritar të MAS ”, i cili po përgatit programin e dytë 4-vjeçar të qeverisjes, thonë se ky mandat do të nis me një amnisti në sektorin e arsimit të mesëm. Nuk do të falen notat negative aktuale, por do të zhduken regjistrat e notave (amzat) e shkollave të mesme të Përgjithshme dhe të shkollave të mesme Profesionale strukturë e varësie mësimore, të ministrisë së Arsimit! Sipas kësaj amnistie, parashikohet të zhduken gjithë listat e notave, që kanë marrë nxënësit e shkollave të mesme të mesme e të profilizuara, gjatë viteve që kanë kryer këtë cikël mësimor, me kufi disa vite më parë! Burimi i informacionit, na bëri me dije se është propozuar, që kjo amnisti (zhdukje) të zbatohet për regjistrat (amzat) e notave të para vitit 2010. Ky operacion absurd, justifikohet me gjoja “fryrjen” e arshivës arsimore në shkolla dhe me pamundësinë njerëzore e kohore të drejtuesve të shkollave, për të krijuar regjistër (amzë) elektronike në çdo shkollë për çdo ish-nxënës, për të gjithë vitet mësimore e për të gjithë shkollat, sidomos për ish-shkollat e Mesme Bujqësore apo të mesme që janë mbyllur pas vitit 1990. Po kështu, si “argument” për të realizuar idenë e kësaj amnistie regjistrash në shkollat e mesme, po përdoret ankesa e shumë drejtuesve të shkollave dhe drejtorëve të zyrave arsimore, lidhur gjendjen e degraduar fizike, në të cilën janë këto regjistra, brenda të cilëve, nga pakujdesia, nga braktisja, kushtet e ruajtjes dhe falsifikimet u janë hequr e dëmtuar faqe të shumta, ,por edhe u janë korrigjuar nota, emra, data e vite! Nisur prej këtij “argumenti”, pa kryer më parë zbardhjen e çdo mangësie, dëmtimi e falsifikimi, po propozohet të bëhet një amnisti verbale “globale” për gjithë regjistrat e notave të këtij cikli mësimor, duke pranuar si fakt ligjor, ato emra ish-nxënësish dhe ato nota që regjistrat kanë aktualisht brenda tyre! Projekti parashikon, që në sekretaritë e shkollave të mesme, të mbahen vetëm regjistrat themeltar me numër rendor e alfabetik, të atyre që në regjistra janë shënuar se kanë përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm të profilit gjimnaz, bujqësor, veterinar e të çdo profesioni tjetër! Propozimi i bërë për këtë amnisti në regjistrat e gjimnazeve, parashikon të bëhet deri për vitin mësimor 2009-2010! Emrat e atyre që figurojnë, se kanë kryer arsimin e mesëm dhe të atyre që e kanë ndërprerë, nuk do të jenë më në regjistra amze me nota lëndësh mësimore sipas viteve, por vetëm si listë emërore në një regjistër themeltar elektronik, me “Kod individual” të hartuar nga fillimi. Në “kodin personal” të çdo ish-nxënësi, do të shënohet viti i nisjes së shkollës, viti i përfundimit, datëlindja, vendlindja, atësia, amësia (dublues nëse janë të ndryshuar në Gjendjen civile), për çdo person të pasqyruar si ish-nxënës. Regjistrat e digjitalizuar, do të përgatiten nga drejtoritë e shkollave, në bashkëveprim mbikëqyrës me përfaqësues të drejtorive Rajonale Arsimore (DAR) dhe të Zyrave Arsimore të Rretheve (ZA)! Projekti, mendohet të nis në Nëntor 2017 dhe brenda muajit Janar 2018, duhet të ketë përfunduar në çdo shkollë të mesme, të çdo profili. Thuhet, se kjo “reformë” regjistrash (amzash) që do të bëhet në shkollat e mesme, paraprin reformën për të pastruar administratën nga zyrtarë dhe drejtues që janë pajisur me diploma të shkollës së mesme false, të cilat i kanë përdorur për t’u regjistruar në universitete. Në fakt ky operacion “digjitalizimi regjistrash shkollorë”, nuk ka lidhje me pastrimin e administratës nga aventurierët dhe analfabetët, që janë bërë edhe ministra, këshilltarë shtetarësh, diplomatë, drejtorë dhe zyrtarë e drejtues të pushtetit lokalë me diploma të shkollës së mesme false, por është një skenar i paramenduar për të “amnistuar” dhe ligjëruar diplomat false të shkollave të mesme, që ata kanë përdorur në universitetet brenda e jashtë vendit. 
Sigal