Ligji dhe maliqi/ SPAK e sekuestroi, Xhaçka vazhdon punimet te resorti në Himarë, ku bashkëshorti e përfitoi si investitor strategjik

25
Sigal

Fakti që po guxon e kryen punime, duke shkelur vendimin penal të sekuestros, tregon se nuk ka frikë nga SPAK, që ka nxjerrë urdhrin dhe nga policia që kontrollon zbatimin e vendimit të sekuestros, ose ka bërë ujdi me Altin Dumanin dhe pazar me shefat e drejtësisë, se resorti nuk do t’i konfiskohet…

Kuptimi i termit “Sekuestro pasurie”, do të thotë kalimi i saj në administrim të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara në vartësi të Ministrisë Brendshme, dhe ndalimi i pronarëve ta përdorin apo të kryejnë veprime me të, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata.

Ky vendim sekuestrimi nga SPAK, është në fuqi qysh prej datës 25 tetor 2023 edhe për 5512 m2 truall, mbi të cilën ish-ministrja dhe deputetja Olta Xhaçka e burri i saj i aktual Artan Gaçi, kanë nisur të ndërtojnë resortin “Dreamades Luxury Suites” në Himarë si investitorë strategjikë.
Këtë kantier ndërtimi, me vendim të SPAK e ka marrë në dorëzim Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe e ka rrethuar me shiritin bllokues: “Objekt i sekuestruar, ndalohet hyrja”, duke e vënë në mbikqyrje të Komisariatit të Policisë- Himarë.
Por informacionet e ardhura në “Pamfleti”, bëjnë me dije se 2 javë pas vendimit të sekuestros e bllokimit të punimeve të resortit, ish- ministrja Olta Xhaçka dhe burri i saj Artan Gaçi, kanë ri-filluar e po vazhdojnë punimet për ndërtimin e hotelit qendror të resortit.
Me garancinë e Artan Gaçit, punëtorët heqin shiritat e SPAK nga objekti dhe punojnë, ndërsa kur largohen i vendosin përsëri; punime të cilat, drejtuesit dhe efektivët e policisë së shtetit në Himarë bëjnë sikur nuk i shikojnë e sikur nuk i dinë, megjithëse kanë marrë shumë denoncime.
Fakti që çifti Xhaçka- Gaçi i kupolës së pushtetit, po vazhdon punimet te resorti në sy të policisë, duke shkelur vendimin penal të sekuestros, tregon se nuk ka frikë nga SPAK, që ka nxjerrë urdhrin dhe nga policia që kontrollon zbatimin e vendimit të sekuestros, ose ka bërë ujdi me Altin Dumanin e Muhamet Rrumbullakun.
Por krijon bindje, se Olta Xhaçka po guxon e vazhdon punimet, ngaqë ka marrë garanci nga drejtësia, se resorti që po ndërton mbi 5512 m2 tokë të vjedhur më letra false, nuk do t’i konfiskohet.
Statusin “Investitor Strategjik”, Olta Xhaçka e mori me Vendim Nr. 3/9, datë 15 korrik 2021 të kryeministrit Edi Rama, ndërsa më 25 tetor 2023, SPAK i mori të pandehur burrin Artan Gaçi dhe urdhëroi sekuestrimin, me akuzat: “Grabitje toke me falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv e aktiv e pastrim parash”.pamflet