Libri fyes ndaj shqiptarëve/ Zaev premton: Do të hiqet nga përdorimi këtë vit

185
Sigal

Përmbajtja fyese ndaj shqiptarëve në librin “Gjeografia e Maqedonisë” do të hiqet këtë vit, ndërsa procedura për këtë sapo ka filluar, tha kryeministri Zaev.

Ai tha se është i vetëdijshëm që ky libër shfrytëzohet nga viti 2002 ndërsa përmbajtja doli në pah në vitin 2018.

E dyta herë për të njëjtin mandat kryeministri Zaev premtoi se do të ndërmerren hapa konkretë në heqjen prej përdorimi të librit “Gjeografia e Maqedonisë”, libër ky, që ka përmbajtje fyese kundrejt shqiptarëve dhe jo vetëm.

Ai tha se në reformat të cilat realizohen aktualisht janë përfshirë edhe ndryshimet e disa prej librave, pasi siç theksoi Zaev, ky libër nuk është i vetmi me përmbajtje të tillë fyese kundrejt një nacionaliteti.

“Për shkak se në planin e reformave të parapara në arsim, janë përfshirë edhe ndryshimi i librave. Nuk mundet që në qoftë se nuk keni të përgatitura përmbajtje të re mësimore, në cilëndo lëndë, të heqin lëndën menjëherë që të mund të ndryshohen përmbajtjet, ato përmbajtje veçse ndryshohen, dhe një nga hapat e rëndësishme është sigurimi i librave kualitativë në shkollimin fillor dhe të mesëm” tha Zaev.

Kryeministri premtoi zgjidhje sistematike për këtë çështje si dhe largimin e tërësishëm nga programi mësimor të librit “Gjeografia e Maqedonisë”, në kuadër të këtyre reformave.