“Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më parë”/ Meta takon Konjufcën: Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë

140
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar gjatë vizitës në Prishtinë edhe me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Meta ka shprehur vlerësimin e tij për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës duke e cilësuar atë si “faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon”.

Përmes një statusi në Facebook, presidenti Meta thotë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, duke shembullzuar këtë mendim të tij përmes zhvillimit të “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Meta ka folur gjithashtu edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e cilësuar gjithë procesin si një domosdoshmëri “që duhet të ndodhë sa më parë”.

POSTIMI I PLOTË
Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.
Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Me rëndësi për forcimin e gjithëanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.