Leximi i sahatit do të bëhet 1 herë në 2 muaj, vendimi do të jetë në fuqi nga shkurti deri në qershor 2021

411
Sigal

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me qëllim minimizimin e kontakteve të punonjësve, si një masë parandaluese në përhapjen e koronavirusit.

Sipas vendimit, muaji i cili nuk do të lexohet do të faturohet me të njëjtën vlerë që konsumatori ka paguar në muajin referues të vitit 2020.

Më pas, faturimi do të kryhet në bazë të leximit të sahatit të energjisë dhe në rast se është e nevojshme do të korrigjohet fatura.

Diferencat që do të rezultojnë mes vlerës referuese dhe asaj reale të faturimit do të sistemohen në muajin pasardhës.

Në rast se klienti dokumenton që nuk ka konsumuar energji gjatë kohës së faturimit OSSH-ja është e detyruar të bëjë lexim dhe verifikim.

Të gjithë konsumatorët që do të kenë ankesa për aplikimin e kësaj mënyre faturimi do të duhet të raportojnë në ERE brenda datës 20 të  çdo muaji kalendarik për të marrë një zgjidhje brenda afatit 20 ditor.

Një praktikë e tillë u zbatua edhe përgjatë vitit 2020 ku leximi u bë çdo tre muaj ndërkohë që faturimi mujor u krye në bazë të referencës së konsumit me të njëjtin muaj të një viti më parë.

ERE vlerëson se nuk ka arsye për të zbatuar praktikën e leximit çdo dy muaj të masit deri në fund të vitit dhe kjo është arsyeja pse qershori është lënë si afati i fundit i zbatimit.