Letër nga Danel Cana/ Kam problem me pronën në Tepelenë, sqaron Pëllumb Milori, Shef i Zyrës së Hipotekës Tepelenë

791
Më rastisi që pas gjashtë vjetësh, të shkoj përsëri në hipotekën e qytetit Tepelenës për një verifikim pasurie (truall) në fshatin Mirinë dhe çuditërisht ekzistonte në dy emra…!
Megjithëse drejtori i këtij institucioni ishte ndërruar dhe nuk ishte më ai i pari, me të cilin kishim konsumuar disa debate, lidhur me këtë gabim (teknik), kështu do ta quaja sepse njerëzit ndonjëherë gabojnë…! Kur u paraqita në sportelin e zyrës së hipotekimit Tepelenë dhe rastësisht pyeta për një pronë që kam në fshatin Mirinë, një djalë që ishte inxhinier i hipotekës dhe që shërbente atje, më nxori një libër me ngjyrë blu, ku kishte gjithë listën e fshatit. I dhashë kartën e identitetit dhe mbasi e kërkoi me sy të gjithë listën, më tha se nuk kishte asnjë me emër të tillë në atë listë. Unë e kisha paguar 6500 lekë, të njëjtin veprim në 2010-ën dhe më shkoi menjëherë mëndja se mund të ishte e pa korrigjuar kjo listë, prandaj për t’u siguruar e pyeta për emrin e “rremë” që ishte atëherë në listën e fshatit! Djali u përgjigj menjëherë se “po”, ai person kishte një pronë truall në atë listë! Mbas një debati të shkurtër në sportel, hyri drejtori i hipotekës, z. Pëllumb Milori. I përsërita atij, se ky gabim më kishte kushtuar plotë 6500 lekë (65 mijë të vjetra). Drejtori më tha shkurt, se nuk kishte të drejtë të korrigjonte këtë listë të cilën e quante “LISTA A”. Unë këmbëngula se nuk mund të kemi një pronë në dy emra, kur në skedarët e brendshëm dhe Certifikata e Pronësisë ishte në tjetër emër! Drejtori fliste dhe këmbëngulte se kjo nuk përbën “problem”, deri sa në Certifikatën e Pronësisë ishte e rregullt, në bazë të Kartës së Identitetit! Për mua, ky është dhe mbetet një problem serioz dhe porta e parë e korrupsionit. Në të njëjtën situatë u ndodha edhe për problemin e shtëpisë së banimit në qytetin e Tepelenës. Unë e kam blerë banesën nga dy persona, të cilët banonin në atë banesë dhe që njëri nga këta e kishte bërë një shtesë më 1992-in, me leje dhe dokumente të rregullta. Drejtori këmbëngulte, se unë nuk mund të marr një Certifikatë për banesën, por duhet të pajisem me dy certifikata! Përse duhet të paguaj dy certifikata për të njëjtën banesë? Cili ligj e thotë këtë? 
Sqaron Pëllumb Milori, Shef i Zyrës së Hipotekës Tepelenë 
Qytetari Danel (Ramadan) Cana nuk e ka bllokimin nga zyra jonë, por nga emri që ka ndërruar dhe kërkon veprime me shkelje ligji
Pas letrës së dërguar në redaksi nga qytetari Danel Cana, duke respektuar praktikën e verifikimit dhe transparencës publike për të dëgjuar edhe drejtuesin, zyrtarin apo qytetarin të cilëve i adresohen letrat, ankesat, akuzat denoncimet dhe kërkesat, gazeta “Telegraf” komunikoi me drejtuesin e Zyrës së Pasurive të Paluajtshme të Rrethit të Tepelenës, zotin Pëllumb Milori, i cili dha këtë sqarim zyrtar, për publikim në “Telegraf”:
Sqaron Pëllumb Milori:
Janë dy probleme që ka qytetari Ramadan Cana, i cili për interesa e shije personale e ka ndërruar emrin në “Danel” dhe kjo është e drejtë tij ligjore, të cilën nuk mund ta paragjykoj. Janë dy çështje që pasqyrohen në letrën e këtij qytetari, letër me të cilën jam njohur dy ditë më parë, mbasi e ka publikuar edhe në rrjetet sociale,paçka se ka cënuar dinjitetin dhe pozicionin time publik pa asnjë provë. Ai i ka trajtuar dhe servirur hallet e veta pa asnjë bazë ligjore, duke qenë kategorikisht e plotësisht gabim në qëndrimin e tij. Në respekt të gazetës “Telegraf” si një gazetë që pranon dhe publikon mendimin e të gjithëve pa asnjë kufizim, po ju sqaroj si më poshtë për ankesën e zotit Danel Cana (Ramadan). Ja më konkretisht: Ky person, në vitet 1990- 91 ka blerë një shtëpi me identitetin “Ramadan Cana”. Më pas, rezulton, se paska ndryshuar emrin në Danel Cana, siç e ka aktualisht. Para disa vitesh, ai mori certifikatën e pronësisë me emrin “Danel” dhe specifika në këtë çështje është e tillë: Në formularin “01” e ka pasur emrin “Ramadan” dhe më pas e ka kaluar edhe në kartelë dhe është certifikuar me emrin “Danel”. Erdhi në zyrat e shërbimit hipotekar Tepelenë ku unë jam drejtues dhe më kërkoi t’i hiqja emrin. Unë as nuk heq, as nuk ndryshoj dhe as nuk vendos dot emra pronarësh, mbasi nuk e lejon ligji një ndërhyrje të tillë në dokumentet pronësore! Pas këtij kundërshtimi të mbështetur në ligj, u paraqit si gazetar (e deklaron edhe në letrën e publikuar në rrjetet sociale) dhe kërkonte të kryheshin veprime shkresore në shërbim të tij, pikërisht për këtë problem personal, gjë të cilën e refuzuam kategorikisht si kërkesë jo ligjore, madje edhe abuzive me objekt shfrytëzim pozite publike, për të bërë presion mbi institucionet dhe nëpunësit e shtetit më qëllim përfitim shërbimesh antiligjore. Rasti tjetër me këtë person është po në Tepelenë. Ai ka blerë një shtëpi nëpërmjet një qytetari që është marrë me entin e banesave. Ka bërë dhe një shtesë djali i këtij qytetarit. Qytetari Danel Cana (Ramadan) i ka blerë të dyja këto objekte dhe i ka certifikuar më vete shtëpinë që ka blerë nga babai, dhe me vete atë që ka blerë me leje ndërtimi. Tani ai kërkon prej meje si drejtor dhe prej zyrës që unë drejtoj, që unë t’ia bashkoj të dyja këto banesa, në një certifikatë. Unë nuk ja bashkoj dot ligjërisht, mbasi nuk janë në një kategori, apartament dhe sipërfaqe ndërtimi. Sipas ligjit, duhet të pajiset me dy certifikata pronësie veç e veç për secilin objekt. për këtë mos shkelje ligji prej meje, më ka akuzuar në atë letër si të paaftë dhe që tentoj të kryej korrupsion me problemin e tij! Aktualisht, jam në proces për ta adresuar në organet e drejtësisë akuzën e tij, të shoqëruar edhe me ofendime e presione në emër të mediave! Faleminderit për mundësinë që me dhatë për sqarim!