Një delegacion i nivelit të lartë të Kontrollit të Lartë të Shtetit i kryesuar nga kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, po merr pjesë në punimet e Konferencës së 8-të të përbashkët EUROSAI/OLACEFS (Organizata Europiane e Institucioneve Supreme të Auditimit/Organizata e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve) që zhvillon punimet nga datat 24-26 qershor.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare te KLSH-së, behet e ditur se, kjo konferencë u zhvillua për herë të parë në vitin 2000, në Madrid, Spanjë. Prej asaj kohe, SAI’t e vendeve të të dy kontinenteve janë mbledhur në mënyrë periodike për të shkëmbyer eksperienca dhe këndvështrime mbi forcimin e punës së tyre audituese dhe mbikqyrëse. Në këtë event marrin pjesë më shumë se 100 përfaqësues delegacionesh nga Europa, Amerika Latine dhe Karaibet, si edhe bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm nga institucione multilaterale. Në përbërje të delegacionit shqiptar janë edhe Xhafer Xhoxhaj, Drejtor Departamenti dhe Vullnet Karafilaj, Krye/auditues.
Diskutimet dhe kontributet e SAI’ve gjatë ditëve të punimeve të Konferencës do të fokusohen në dy temat kryesore: “Auditimet e koordinuara” dhe “Kontributet e SAI’ve në Mirë-Qeverisje”. Në përfundim të punimeve, në ditën e dytë, pritet ndërhyrja e përfaqësuesve të Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI’t, të përfaqësuesve të GAO’s mbi revistën Auditimi i Jashtëm Publik i INTOSAI’t, si dhe përfaqësuesve të Sekretariateve të Përgjithshme të EUROSAI’t dhe OLACEFS.