Lejuan kalimin në kufi të një personi në kërkim nga drejtësia shqiptare, SHÇBA ndalon dy efektivët (Emrat)

218
Sigal

Dy oficerë të policisë kufitare të Kapshticës janë ndaluar nga SHÇBA, pasi dyshohet se kanë lejuar kalimin e një personi në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Sipas njoftimit të SHÇBA-së, janë ndaluar 52-vjeçari me iniciale B.D. dhe 23-vjeçarin me iniciale Ç.Ll.

Mësohet se në datë 31 gusht të këtij viti, kanë lejuar kalimin në kufi të shtetasit me iniciale A.Q. ndaj të cilit, gjykata e Elbasanit kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

“SHÇBA ndalon 2 oficerë të Kufirit në Kapshticë, lejuan të kalonte në PKK një shtetas në kërkim. Drejtoria Rajonale SHÇBA Elbasan-Korçë ekzekutoi vendimin penal të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendim datë 21.12.2021 ka vendosur të caktojë masën “Arrest me burg“ ndaj personave në hetim:

– N/Komisar B.D.,52 vjeç, me detyrë Përgjegjës turni në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Inspektor Ç.LL, 23 vjeç, me detyrë Specialist Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në kuadër të procedimit penal nr. 1817 viti 2021, regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në datë 31.08.2021, këta punonjës policie në kundërshtim me detyrën kanë lejuar kalimin në këtë pikë kufitare të shtetasit A.Q., ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, duke dëmtuar interesat e hetimit penal ndaj tij.

Procesverbalet e ekzekutimit së bashku me aktet e procedimit penal i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan”, thuhet në njoftim.