Legalizimet, problemet me dosjet dhe neglizhenca e pagesave shtyn afatin

945
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtoresha e ALUIZNI-t në Elbasan, Mimoza Trimi: “Kemi në plan një strukturë të re”

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” drejtoresha e ALUIZNI-t, Elbasan, Mimoza Trimi bën publike numrin e ndërtimeve që presin të legalizohen dhe se sa janë legalizuar deri tani. Znj. Trimi flet për plotësimin e dosjeve si dhe për punën e përqendruar në muaj në vazhdim. Sipas saj në bazë të një strukture të re, së shpejti ALUIZNI do të ketë dhe zyra në rrethet Peqin, Librazhd dhe Gramsh.

Cila është situata aktuale e legalizimeve për Qarkun e Elbasanit?

Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t të Qarkut Elbasan gjatë punës se saj ka ndjekur e zbatuar me përpikëri ligjin Nr. 9482 dt. 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje” të ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Unë si drejtuese e këtij institucioni bëj të ditur për gazetën “Telegraf” se, gjatë kësaj periudhe, deri më sot, nga ana e stafit të kualifikuar të drejtorisë Elbasan është bërë një pune intensive si në terren dhe në zyrë, duke pasur parasysh që është një punë që ka elementë të rëndësishëm dixhitalizimi. Duhen theksuar dhe kuptuar edhe vështirësitë sidomos në terren si pasojë e shpërndarjes se këtyre ndërtimeve, si dhe vështirësitë e hasura si pasojë e mungesës se hartave në disa zona të Qarkut Elbasan.

Sa është numri i ndërtimeve që presin të legalizohen dhe sa janë legalizuar?

 Janë 18.865 ndërtime informale që presin të legalizohen dhe deri më sot janë azhornuar dhe matur nga grupet e terrenit, 15.028 ndërtime informale, të cilat janë përditësuar në harta dhe është punuar për dixhitalizimin e matjeve fushore. Aktualisht janë dixhitalizuar 14.706 gentplane dhe 17 567 planimetri. Ndërkohë, është punuar me ritme të shpejta në bashkëpunim gjithmonë me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për kalimin në pronësi të parcelave ndërtimore për ato objekte që ndodhen mbi truallin me status pronësi “shtet” si dhe në truallin me pronar. Për ndërtimet Informale që ndodhen mbi troje private paralelisht me dokumentacionin për kalimin e pronësisë është përgatitur dhe materiali për kompensimin e pronarëve. Duhet thënë, se “gjithsesi janë dërguar për kalim pronësie 8.105 dosje ndërtimesh informale të shpërndara në gjithë Qarkun e Elbasanit që zënë një sipërfaqe 2.189.160 m2. Për ato ndërtime informale, të cilat janë ndërtuar mbi troje në pronësi të të tretëve, është përgatitur dokumentacioni për kompensimin e pronarëve për një sipërfaqe rreth 155.879 m2, sipërfaqe këto të cilat ndodhen në Bashkinë Elbasan, Bashkinë Librazhd dhe Bashkinë Gramsh.

Ku po punohet aktualisht?

Aktualisht po punohet me intensitet në disa zona kadastrale si: 8523, 8525. Do të përpunohen materialet e përgatitura për ZK 8522 dhe 8524 të Bashkisë Elbasan. Ndërkohë gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2012 do të punohet intensivisht për të përmbyllur kalimin e pronësisë në total dhe përgatitjen përfundimtare të dosjeve të miratuara për kalim pronësie. Prioritet për këtë vit është përgatitja e dosjeve, e cila do të vazhdohet të bëhet sipas ndarjes në blloqe për çdo zonë kadastrale, bazuar në Plan- Veprimin e këtij viti. Njoftimi i qytetareve për të bërë pagesat po bëhet në mënyrën më të shpejtë e korrekte nëpërmjet zyrës postare. Ky proces është në vazhdim dhe nuk mund të përcaktohet një afat për përfundimin e tij nisur dhe nga problemet e hasura dhe ecurisë se ngadaltë të pagesave nga ana e qytetarëve.

Znj. Trimi është folur për një strukturë të re të ALUIZNI-t, ku lejet e legalizimit do të merren për 48 orë?

ALUIZNI është përballë një zgjerimi të strukturës së saj, ku pritet në rrethet Peqin, Librazhd e Gramsh të shtohen dhe degë të reja duke përshpejtuar procesin e lëshimit të lejeve të legalizimit. Pritet që procesi të përshpejtohet, ku lejet e legalizimit do të jepen brenda një afati prej 48 orësh nga moment kur personi që është duke u legalizuar paguan tarifën. Qeveria ka miratuar së fundmi një tarifë të re prej gjashtëmijë lekësh për çdo vit.

Zonat

Për dosjet, të cilat plotësojnë kushtet për legalizim sipas përcaktimeve në ligj e aktet nënligjore në zbatim të ligjit. Ne kemi punuar duke përgatitur materialet hartografike të dosjeve të miratuara me VKM-në e kalimit të pronësisë sipas ndarjes me blloqe për çdo Zonë Kadastrale. Deri në këto momente janë prodhuar 4.946 gent-plane dhe 5.752 planimetri, të cilat janë futur në dosjet përkatëse, përkatësisht në ZK 8523, 8526, 8525, 8527. Ndërsa për zonat kadastrale 8526 dhe 8527 aktualisht veprimet janë pezulluar pasi nga ZVRPP, janë duke u bërë procedurat e regjistrimit fillestar të pasurive në këto zona.

Lejet

Pas plotësimit të këtyre dosjeve me materialet hartografike dhe financiare është dërguar njoftimi nëpërmjet postës për paraqitjen e qytetareve për të bërë pagesën e detyrimeve financiare. Nga kjo Drejtori janë plotësuar dhe hedhur në sistem 1.456 Leje Legalizimi, të cilat janë gati dhe presin paraqitjen e qytetarëve për bërjen e pagesave. Nga Drejtoria Qendrore e ALUIZNI-t në Tiranë janë pajisur me Leje Legalizimi 972 qytetarë. Me kalimin e kompetencave Drejtorive Rajonale, nga muaji mars deri në këtë moment nga kjo drejtori janë lëshuar 265 Leje Legalizimi.

Dosjet

Ndërkohë që janë dërguar për regjistrim pranë  ZRPP 1.160 dosje, për të cilat ka përfunduar procesi i regjistrimit. Ka edhe objekte që ndodhen në ZK 8526, 8527 dhe puna në këto zona është pezulluar pasi po hyjnë në sistemin e regjistrimit. Me mbarimin e kësaj faze do të procedohet me regjistrimin e këtyre objekteve. Duhet theksuar se dosjet e përgatitura presin shlyerjen e detyrime financiare nga ana e qytetarëve, që është dhe faza përfundimtare për pajisjen me Leje Legalizimi.