Drejtori i Policisë: Asgjë nuk varet nga ne për kaosin në rrugë, lëvizin 25 mijë mjete

727
Sigal

Trafiku i rënduar bllokon pushuesit me orë të tëra. Për të kaluar 2 km rrugë nga Kulaci i Skelës deri tek Tuneli i Ujit të Ftohtë, duhet një orë.

 Situata:

Fundjava, ka sjellë një kaos të vërtetë në lëvizjen e mjeteve në qytetin e Vlorës. Trefishimi i popullsisë së qytetit, për shkak të ardhjes së emigrantëve e pushuesve nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera, shto këtu edhe qindra qytetarë, që kishin ardhur për të kaluar fundjavë, ka bërë që të bllokohet për orë të tëra lëvizja nga Skela në drejtim të bregdetit. Paraditen e të dielës, kemi qenë dëshmitarë të përshkimit të rrugës nga Kulaçi i Skelës, sikurse i thonë vendasit deri tek Tuneli, që nuk është më shumë se dy km, është dashur 50 minuta për të kaluar tunelin. Kjo ka nervozuar drejtuesit e mjeteve, pushuesit që me vështirësi kanë përballuar qëndrimin në temperaturat e larta, të cilat në Vlorë në orën 9:00, shënonte 40 gradë.

Ndihmë policisë

Drejtuesit e mjeteve të bllokuar në tërë gjatësinë e rrugës nga Skela tek Tuneli, kanë lënë timonin dhe i janë drejtuar postblloqeve të policisë, që janë ndeshur gjatë rrugës, për të ndihmuar kalimin. Me të drejtë ata shprehen se është torturë të qëndrosh kaq gjatë, qoftë në vajtje, ashtu edhe në kthim, aq më tepër në këto temperatura të larta. Përpara kësaj situate, kreu i policisë së Vlorës, Artan Cuku, që kontrollon vetë këtë segment rruge, shumë problematik, është shprehur për “Telegraf”.

 -Po, sikurse i dëgjuat drejtuesit e mjeteve, vërtetë është torturuese qëndrimi kaq gjatë të bllokuar nga trafiku, aq më tepër që janë familjarë, por çfarë ka në dorë policia?

-Rruga është shumë e ngushtë, janë 25 mijë automjete që lëvizin në këtë segment, për të shkuar në bregdet. Kjo është një rrugë nacionale problematike dhe gjithçka do të marrë fund, nëse bëhet zgjerimi i saj, sëpaku në tre korsi. Dy vajtje dhe një ardhje. Por problemi nis nga qyteti.

Çfarë doni të thoni z. Cuku?

-Një të vërtetë që e dinë të gjithë qytetarët. Kaosinisqë nga Sheshi i Flamurit, pasi mungon infrastruktura rrugore, nuk ka vijëzime, nuk ka semaforë, që të displinojnë lëvizjen e mjeteve. Shto këtu edhe  ecjen me shpejtësi të mjeteve, futjen pa kriter për të parakaluar dhe  kur nuk ia arrijnë, bllokojnë trafikun. Bashkia e qytetit  duhet të mendojë për zgjidhjen e këtij problemi, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, vendosur sinjalistikën, shumë të domosdoshme për një qytet turistik si Vlora, që në pikun e sezonit turistik, sikurse jemi në këto ditë, arrin në një popullsi afro gjysmë milioni banorë.

-Gjithsesi, z. Cuku, ndoshta, qytetarët shprehen se,  është për të dëshiruar edhe shërbimi i policisë rrugore. Cili është mendimi juaj?

-Në këto vështirësi që janë krijuar nga mungesa e infrastrukturës, policia e qarkullimit rrugor, është non stop 23 orë në rrugë, vetëm për të menaxhuar lëvizjen e mjeteve, por kur bllokimi vjen nga rruga e ngushtë dhe ky numër kaq i madh mjetesh, çfarë ka në dorë policia.

Bashkia e qytetit: Kemi bërë kërkesë ministrisë

Përballë kësaj situate të pazakontë në këtë fund-javë, por që është e pranishme në çdo sezon turistik, kërkuam një prononcim drejtuesve të sektorit të shërbimeve në bashkinë e qytetit. Ata janë shprehur se: “Rruga nga Kulaçi i Skelës dhe në vijim, është rrugë nacionale, rruga e bregdetit dhe në këto rrethana duhet të mendojë dhe investojë qeveria. Kërkesa të herëpashershme i janë bërë Ministrisë përkatëse, por nuk është kthyer asnjë përgjigje, madje edhe rrugën Transballkanike, që ishte një investim i Qeverisë, është lënë përgjysmë”. Ndërkohë që, kanë shtuar se “Bashkia e qytetit, me fondet që ka, pasi fondet e dërguara nga Qeveria janë zero, ka mundur të zgjidhe problemet më akute në infrastrukturën e qytetit, por nuk ka fuqi të përballojë shpenzimet e rrugës nacionale që përcjell pushuesit që nga qyteti i Vlorës, në Orikum, Llogara, Dhërmi e Himarë dhe deri në Sarandë”.