Terminali i ri, pronarët e autobusëve denoncojnë skandalin e Bashkisë Berat

1193
Sigal

Bashkia me këtë veprim po kërkon të falimentojë biznesin privatë dhe të forcojë biznesin e saj, që janë linjat urbane

Ndërtimi i terminalit të autobusëve të linjave me qytetet e tjera në Kombinat ka sjell revoltimin e pronarëve që kanë këto mjete transporti. Sipas burimeve zyrtare Bashkia e Beratit e konsideron të domosdoshëm ndërtimin e këtij terminali, i cili ka përfunduar në hyrje të qytetit. Ky ka qenë dhe vendimi i Këshillit Bashkiak marrë disa muaj më parë, si një domosdoshmëri për normalizimin e qarkullimit rrugorë në qytet dhe pastrimin e qendrës të këtij qyteti, që aktualisht është e ngarkuar. Por jo pak të shqetësuar janë dhe udhëtarët, të cilat do të paguajnë edhe një tjetër biletë shtesë përveç asaj aktuales. Pronarët e autobusëve të linjave të ndryshme si ajo Berat – Tiranë, Berat – Kuçovë etj., shprehen se bashkia me këtë veprim po kërkon të falimentojë biznesin privatë dhe të forcojë biznesin e saj, që janë linjat urbane. Kjo është absurde janë shprehur një grup pronarësh për gazetën “Telegraf”. “Ne i kemi kërkuar disa herë bashkisë që të mendojë mirë këtë lëvizje të vendqëndrimit të autobusëve të linjave me rrethet”,- tha një pronar autobusi. Sipas tyre, bëhet e ditur se bashkia ka interesat e saj përfituese pasi udhëtarët do të udhëtojnë nga qyteti në Kombinat me urbanët e bashkisë, çka do të thotë që qytetarët do të përdorin linja e urbanit. Prej shume vitesh shërbimi urban në Berat, ka shënuar një rënie të numrit të udhëtarëve, prandaj kjo është arsyeja sipas pronarëve të autobusëve që është kryer transferimi për në hyrje të qytetit. Udhëtarët që duan të udhëtojnë nga qyteti i Kuçovës apo Urës – Vajgurore, do të shmangin autobusët dhe do të udhëtojnë me furgona për në Berat për të mos paguar më shumë lekë shtesë. Kjo do të ndikojë në biznesin e pronarëve të autobusëve. Drejtuesit e bashkisë e konsiderojnë të drejtë ndërtimin e terminalit në Kombinat. Tanimë çdo beratas që do të shkojë p.sh në Tiranë, duhet të marri urbanin për në Kombinat, pasi autobusët nuk do të jenë më në qendër të qytetit, por në hyrje të tij.

Reagimi

Drejtoresha e Punëve Publikë pran Bashkisë Berat, Flutura Brati shprehet për gazetën “Telegraf”, se vendimi është i drejt dhe duhet zbatuar spostimi i urbanëve nga qendra e qytetit. “Kjo do të ndikojë në normalizimin e qarkullimit rrugorë, pasi qyteti i Beratit, dihet që nuk ka unazë. Me spostimin e autobusëve do të pastrohet dhe qendra e këtij qyteti muze. Terminali ka përfunduar prej disa muajsh dhe së shpejti ne do të kërkojmë edhe ndihmën e policisë për normalizimin e gjendjes, pasi shumë pronarë autobusësh kanë pretendimet e tyre në lidhje më këtë vendim”,- tha Brati.