Lamtumirë Kolonel, Dr.  Luan Nikollari, shembull i saktësisë profesionale

306
Sigal

Është ndarë nga jeta këtë të shtunë, mjeku i njohur i Spitalit të Traumës, Luan Nikollari.

Lajmi është bërë me dije nga vetë familjarët e të ndjerit përmes një postimi në rrjete sociale, ku informojnë miqtë dhe të afërmit se pritja e ngushëllimeve do të bëhet në “Shtëpinë e Pritjes Univers”.

“Ju bëjmë me dije se babai jonë Luan Nikollari ndërroi jetë. Jemi te “Shtëpia e Pritjes Univers”, te rruga Bardhyl”,- thuhet në njoftimin e familjes.

Në lidhje me ndarjen nga jeta të mjekut të njohur kanë reaguar dhe kanë shprehur ngushëllime personalitete nga fusha të ndryshme, të cilët kanë qenë miqtë e afërt të tij.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata:

Lamtumirë mik! E rëndë lamtumira jote! Njeri para së gjithash, mjek i palodhur, drejtues i denjë e i papërlyer, babai me i mirë që familja mund të ketë, i dashuruar pas SUT, i pakursyer për shokët, miqtë e pacientët! Të qoftë e blertë lëndina Luan Nikollari! Kishe akoma shumë për të dhënë, por të deshte qielli Kolonel!

Petrit Vasili: Çfarë dhimbje. Mik i shkëlqyer, fisnik dhe zemërbardhë. U prehtë në paqe Luani i mirë

Maksim Basho: I ndriçoftë shpirti në parajsë kolegut të nderuar. Ngushëllime familjes.

Tritan Kalo: Një djalë, baba e koleg i përsosur. Të qoftë i lehtë dheu Dr. Luani!!!

Tritan Shehu: Një humbje e vërtetë. Ngushëllimet më të sinqerta!

Nikollari është një emër i njohur i mjekësisë shqiptare pasi në vite të ndryshme ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, ku mund të rendisim atë si Drejtor i Institutit të Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU) në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU)-Tiranë në 2012.

Gjithashtu përgjatë viteve 2000-2006 ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë se Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe shef i departamentit të Epidemiologjisë në spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU), përgjatë viteve 1999-2000.