Kur kurbetlinjtë ktheheshin në Lunxhëri

559
Sigal

Nga Naxhi Kasoruho

Kurbetliu ishte i emocionuar dhe iu tregonte jetën në kurbet e punët që bënte duke theksuar, se lunxhiotët ishin njerëz të respektuar dhe të vlerësuar si punëtorë të mirë dhe zanatçinj të talentuar

Dola në Muzinë

Vrap mora dylbinë,

Pashë Lunxhërinë….

Në këtë këngë e ka gdhendur dhe memorizuar populli në vetëdijen e tij mallin e kurbetliut kur kthehej nga Anadolli i largët me vapor, zbriste në portin e vogël të Sarandës, merrte rrugën për në Lunxhëri dhe kur dilte tek qafa e Muzinë vrap merrte dylbinë se e pikte malli të shikonte vendlindjen. Padurimi për ta parë Lunxhërinë e tij të dashur mbas viteve të shumta në mërgim e bën kurbetliun të kthehet në vendlindje, prandaj befasohet nga pamja madhështore e malit të Lunxhërisë që gjatë gjithë emigrimit e ka ruajtur me dashuri në memorien e tij. E veçanta e trajtimit të kësaj kënge ndryshe nga të tjerat është se kurbetliun e ka zhuritur malli për të parë viset e tij. Ai mrekullohet kur shikon para syve malin madhështor të Lunxhërisë. Pyjet, ujëvarat, krojet e livadhet, kopshtet e gjelbëruar e shtëpitë karakteristike, ndërtuar nga ustallarët duarartë dhe gjithë fshatrat rrallë- rrallë siç thotë një këngë:

“Fshatrat tona radhë- radhë,

Me drita si yje,

O seç paskan hije,

Flori e margaritarë.

Dhe kur i sodit të gjitha këto shpërthen në këngën e tij: “Dola në Muzinë…”

Kënga tregon kënaqësinë që ndjen kurbetliu në formën më të lartë emocionuese dhe deri sa të mbërrijë në shtëpi e të çmallet me gruan e fëmijët do ta belbëzojë nën zë e me fytyrë të qeshur këtë këngë që artisti popull ia ka kushtuar Lunxhërisë. Në mbrëmje shtëpia u mbush plot me njerëz të farefisit, gjitonë e bashkëfshatarë që i uronin mirëseardhjen dhe e pyesnin si i kishte kaluar ato mote në dhé të huaj. Kurbetliu ishte i emocionuar dhe iu tregonte jetën në kurbet e punët që bënte duke theksuar se lunxhiotët ishin njerëz të respektuar dhe të vlerësuar si punëtorë të mirë dhe zanatçinj të talentuar. Ne, ju tregonte kurbetliu, punuam në ndërtimin e urave e të ujësjellësve, në gdhendjen e çezmave dhe të shtëpive të mëdha se ishim ustallarë nga më të mirët në atë vend dhe na kërkonin kudo në gjithë vendin. Vazhdoi kështu me rrëfenja nga të dy palët deri natën vonë kjo mbrëmje në fshatin e tij të lindjes. Nuk di pse më kujtohet kjo ndjesi e mallit për vendlindjen sa herë që kujtoj kurbetlinjtë dhe këngën: “Dola në Muzinë“…. Këtu e 65 vjet më parë kur isha nxënës në Liceun Artistik në Tiranë mezi prisja mbarimin e shkollës që të merrnim pushimet e verës e të shkoja në shtëpi në Gjirokastër. Me valixhen prej druri në dorë e me një ndjenjë gëzimi të pa përshkruar qysh në mëngjes herët nisesha për tek agjencia që ishte pranë Sahatit të qytetit si hipja te “sata” (kështu i thoshin autobusit në atë kohë) niste udhëtimi për në Gjirokastër. Ishte një udhëtim shumë i gjatë që niste në orën 7.00 të mëngjesit dhe përfundonte në 7.00 të mbrëmjes. Autobusi do të kalonte në rrugë të paasfaltuara me gropa e baltë, në përpjeta e tatëpjeta e me shumë kthesa madje shumë të rrezikshme si ato të Salarisë afër Tepelenës.

Mezi prisnim të afroheshim në Mashkullorë që të shikonim dritat e qytetit e të dallonim nga larg konturet e kalasë madhështore si një kryqëzor në mes të qytetit dhe lodhja largohej e na pushtonte gëzimi në gjithë trupin për të ardhur në vendlindjen tonë të dashur. Këto kujtime u ula të shkruaj për kurbetliun dhe Lunxhërinë plot lezete dhe

“Gjirokastrën hane-hane,

 E mençur dhe kapedane”,

për trashëgiminë tonë kulturore në këtë vit që Këshilli i Evropës e ka shpallur Viti i Kulturës Evropiane.