Shantazhi me video, ja si po kërcënohen në Tiranë…

231
Sigal

Viti 2021 ka nisur me një rritje të fenomenit të gjobvënieve. Vetëm në një muaj e gjysmë, në Gjykatën e Tiranës kanë përfunduar 12 persona. Ndërsa numri i denoncimeve ka qenë edhe më i lartë.

Vetëm këto dy muaj shifrat për këtë vepër penale arrijnë pothuajse sa totali i vitit të kaluar. Në 2020-ën, në gjykatë u proceduan 14 persona, nga të cilët 10 prej tyre u hetuan me masë sigurie “arrest në burg”. Pjesa tjetër me masë më të butë sigurie, për shkak të moshës së mitur. Ndërsa në vitin 2019, qarku i Tiranës ka pasur vetëm 2 persona të proceduar për gjobvënie. Kryesisht, viktima të këtij krimi janë femrat të moshës nga 15 deri në 25 vjeçe.

Në pjesën më të madhe të rasteve, hetimet kanë zbuluar se autorët u kanë kërkuar shuma të ndryshme parash për të mos publikuar video intime.

Rasti më i fundit ishte ai i një 24 vjeçari nga Tirana, i arrestuar këtë të hënë nga efektivë të komisariatit numër 2. I riu ishte denoncuar nga ish e dashura. Nëpërmjet shantazhit me video intime ai i kishte kërkuar shumën prej 5 mijë eurosh për të mos e publikuar atë. Në dëshminë e saj, vajza ka treguar se muaj më parë i kishte dhënë atij 3 mijë euro, ndërsa kërcënimet kishin vijuar edhe gjatë ditëve të fundit.