Kundërshtoi urdhrin e policisë për të ndaluar, pranga të riut nga Kukësi

60

Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë shtetasi B. B., 30 vjeç, banues në Kukës, si edhe është proceduar në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi U. B., 40 vjeç, pasi, duke udhëtuar me automjetin që drejtohej nga shtetasi U. B., kanë kundërshtuar me dhunë dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 40 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë. Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe iu është bllokuar automjeti 3 shtetasve, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 33 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Në të gjithë vendin janë konstatuar 10 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.