Kthesë në hetimet për vrasjen e Sukthit, dyshime për një grup kriminal në Durrës

485
Hetimet për vrasjen e ish- shefit të Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, Ervin Dalipaj, si dhe mikut të tij, Juxhin Dauti, janë drejtuar mbi një grup kriminal që dyshohet se ka aktivitet në zonën e Durrësit. Kjo është një prej pistave që po heton policia lokale në lidhje me atentatin e dyfishtë ndodhur mesditën e të martës në rrugën dytësore Vorë Sukth, ku mbetën të vrarë Dalipaj dhe Dauti.

Hetuesit nuk japin detaje për shkak të sekretit hetimor, por dyshojnë se dy viktimat kanë rënë pre e një hakmarrjeje nga një grup kriminal që dyshohet se ka pasur lidhje me Gazmend Çollakun.

Burimet thonë se kjo hakmarrje lidhet me plagosjen e Denis Shtrazës pak muaj përpara se të rrëmbehej Gazmend Çollaku e më pas të ekzekutohej në fshatin Murqin të Krujës. Përplasjen mes Shtrazës dhe Çollakut e ka konfirmuar zyrtarisht edhe Prokuroria për Krime të Rënda.

Hetuesit thonë se po verifikojnë të gjitha përplasjet mes grupeve kriminale duke përfshirë disa ngjarje të rënda të ndodhura vitin e fundit. Një prej tyre është vrasja e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt të vrarë, mbrëmjen e të dielës së 22 dhjetorit 2016 në afërsi të një lokali pranë portit të Durrësit. Edhe pse dyshimet e policisë kanë qenë të forta, se këto vrasje kanë pasur lidhje mes tyre, ende nuk janë gjetur prova të forta që identifikon autorët e mundshëm të këtyre krimeve.

Policia e Durrësit po heton edhe pistën e hakmarrjes që lidhet me vrasjen e Fation Banit në Vlorë nga Juxhin Dauti. Policia ka shoqëruar dhjetëra persona të dyshuar apo që mund të kenë pasur informacione në lidhje me krimin. Të enjten dhe të premten, të ndihmuar nga njësitë e RENEA-s, policia e Durrësit kreu një sërë kontrollesh në Shijak dhe Durrës me qëllim gjetjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë.
Sigal