Kryeqyteti në shtetrrethim/ Kryeministri izolon Tiranën nga frika e protestave. Plazhi hapet në 10 qershor, 6 muaj pa makina të dielave

349
Sigal

  Mbyllen të shtunat edhe 2 javë, ndërsa të dielat deri në marsin e 2021. Plazhet hapen pas 10 qershorit

 Kryeministri Rama izolon Tiranën, nga frika e protestave

  Policia largon turistët nga plazhi, edhe në zonat e gjelbërta. Shoqëria Civile në protestë: Hapni Shqipërinë

 Dje kryeministri Rama nga “qeverisja” e tij në facebook, u tha shqiptarëve, se të dielat do të jenë ditë izolimi për të gjithë deri në marsin e 2021-it, ndërsa plazhi për qytetarët do të hapet pas datës 10 qershor, ndërsa për hotelet plazhi hapet që në 1 qershor, pasi kështu ka bërë kontratën me Covid-19.  Rama: Ende nuk do të hapen plazhet. Nuk kam ndërmend të bëj të mirin për t’i hapur rrugë të keqes. Askush në Europë nuk ka hapur plazhet. Këtë javë mbyllim  sistemin e administrimit të plazheve. Parimin e “rërës së xanun” me çadra dhe shezlonge do ta ndëshkojmë pa asnjë kompromis.  Nga 1 qershori do të hapim plazhet vetëm për hotelet dhe pas 10 qershorit për të gjithë. Rama tha se këtë javë do të ngrihet një Autoritet i Përkohshëm Licensues i plazheve nga subjektet private. Kryeministri Rama, tha, se  ndërkohë fundjava pa makina do të mbetet në fuqi dhe dy të shtuna dhe të diela. Kryeministri deklaroi se kjo praktikë do të  kthehet pas sezonit të verës çdo të dielë minimalisht nga tetori deri në marsin e ardhshëm si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë. Kryeministri Rama tha dje se deri në fund të këtij muaji qeveria do të ketë gati strategjinë e re për transportin publik.  Nga 1 qershori, Shqipëria do të hapë kufijtë tokësorë me fqinjët. Lajmin e ka dhënë kryeministri Rama teksa komunikoi lehtësimin e masave për muajin qershor. Edi Rama: Jemi gati të hapim kufijtë tokësorë por duhet të marrim miratim nga vendet me të cilat kemi lidhje direkte të transportit ajror. Nëse nuk biem dakord nuk hapen ato me ne. Shengeni deri në 15 qershor është i mbyllur dhe fluturimet mes vendeve janë të mbyllura për momentin. Virusi nuk ka ikur, është mes nesh. Dhe rreziku i një vale të re është real. Duke nisur nga e hëna 1 qershor do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët qofshin me pasaportë të Shqipërisë, Kosovës, apo Maqedonisë së Veriut u bëjmë thirrje për kujdes.

 

Protestat e Shoqërisë Civile

Kjo fundjavë është shoqëruar me protesta të shumta në gjithë Shqipërinë, kundër vendimit të kryeministrit për të bllokuar të dielën edhe qarkullimin e qytetarëve, pa dhënë asnjë argument shkencor nga ekspertët e epidemisë. Madje, qeveria arrin deri në absurditet me vendimet e saj, derisa ndalon edhe qytetarët, turistët të shkojnë në plazhe, të bëjnë banjo, ndërkohë që nuk ka asnjë të dhënë shkencore, që uji ndihmon në përhapjen e Covid-19, ndërkohë, që qeveria lejon hotelet dhe restorantet të jenë hapur. Madje, Greqia, shteti ynë fqinj, ka lejuar që turistët gjermanë të nisin sezonin turistik, duke i lejuar turistët dhe qytetarët grekë që të frekuentojnë detin.

Izolimi, shkelje e ligjit

“Kërkojmë lirinë, nuk e durojmë dot këtë diktaturë”. Shoqëria civile ka protestuar përsëri këtë të dielë për të kundërshtuar masat e qeverisë për mbylljen e aktiviteteve dhe pezullimin e qarkullimit. Duke i konsideruar masat në shkelje të ligjit ata kërkojnë hapjen e Shqipërisë. Ndërkohë Liqeni Artificial në njërën pjesë të tij ka qenë i mbyllur ndërsa në tjetrën u jepej mundësi qytetarëve të shëtisnin. Anëtarë të shoqërisë civile protestuan edhe këtë të dielë për të disatën ditë me radhë kundër masave anti covid. Me pankarta “Hapni Shqipërinë!”, ata i konsiderojnë kufizimet e qeverisë si të padrejta. “Protestoj sepse na është shkelur e drejta themelore, na është shkelur liria”. Protesta e kësaj të diele u zhvillua me një kafe simbolike të hapur nga aktivistët ku shërbehen ujë, kafe dhe dhallë. Një ditë më parë shoqëria civile protestoi edhe kundër mbylljes së Liqenit Artificial, por situata vijoi të mbetej e njëjtë. Efektivë të policisë ruanin disa hyrje të liqenit. Por pjesa tjetër ishte e hapur. Qytetarët që shijuan orët e liridaljes u shprehën kundër këtij vendimi. Disa përveç temperaturës së lartë, i lodhi edhe rruga ku u përballën me pengesën e efektivëve.

 

Protestë në Berat e pronarëve të bizneseve e lokaleve

Pronarët e bizneseve përgjatë Pedonales në qendër të qytetit nuk kanë pranuar të mbyllin dje baret dhe lokalet, siç edhe u është kërkuar nga policia në këtë fundjavë. Pronarët nuk kanë pranuar të mbyllen, duke deklaruar se, nuk kanë asnjë shkresë zyrtare nga policia për këtë mbyllje të pretenduar. Edhe pse policia u ka kërkuar edhe dje të mbyllin baret dhe lokalet,ata e kanë kërkuar urdhërin me shkresë zyrtare dhe jo me gojë. Pronarët kanë deklaruar se, nuk mund të marrin për bazë njoftimin që shkruan kryeministri çdo ditë në Facebook për hapjen apo mbylljen e bizneseve. Pronarët deklarojnë se, kjo formë që po përdoret me funksionimin e bareve e lokaleve në Berat po i çon ata drejt falimentimit sepse ata paguajnë jo vetëm qiratë e ambienteve por edhe punëtorët dhe taksat e shtetit. Sipas tyre, Berati është “zonë e gjelbër” dhe si i tillë nuk ka pse të ketë mbyllje në fundjavë, e shtuna dhe e diela duhet të jenë si ditët normale dhe s’ka përse të ketë më fasha oraresh. Pas shumë debateve me policinë, këta të fundit u larguan dhe nuk dihet ende se çfarë do të ndërmarrin në vijim, ndërkohë që pjesa më e madhe e bareve e lokaleve përgjatë pedonales vijojnë të jenë të hapura.

 

Policia gjen regjisorin në lokal, por dështon ta ngrejë nga tavolina

Regjisori Kastriot Çipi është përballur me dy efektivë të policisë këtë të diel, të cilët ishin pa numër indentifikimi. Ai ka qenë me miq të tij në një lokal, por sipas policëve, kjo është e ndaluar. Në një video, të publikuar nga Aleanca për Mbrojtjet e Teatrit, shihet se si Çipi këmbëngul se nuk ka asnjë urdhër të shkruar që e ndalon të bëjë këtë veprim. “Mosbindje civile. Policia e shtetit vazhdon të intimidojë qytetarët me urdhra fb të Kryeministrit. Njëri nga policët nuk ka as numër identifikimi. Shiheni vetë në video skandalin. Pasi nuk kishin asnjë bazë ligjore e asnjë shkresë, ata u larguan si frikacakë pas 5 minutash” – thuhet në videon e publikuar.