Kryeministri dhe ministri Bushati, heqin nga faqet zyrtare, foto dhe videot e takimeve me princin e arrestuar Saudit

523
Fotografitë me presidentin Trump, me Toni Blair, Txipras, me Merkel, Makron, Hollande e personalitete të tjerë shtetërore e politike të botës, i kanë vendosur në korniza të mëdha dhe i publikojnë shpesh, por kanë zhdukur nga faqet zyrtare të institucioneve, fotografitë dhe videot e takimeve “madhështore”, që kanë bërë me Princin Saudit, i cili në datën 25 gusht 2017 erdhi në Tiranë, duke zbritur në Durrës, me jahtin e tij gjigant e luksoz. Kujtojmë, që kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë pasur një takim të “ngrohtë” me Princin e Arabisë Saudite, Alwaleed Bin Talal Alsaud, biznesmen, filantropit saudit dhe anëtar i familjes mbretërore saudite. Për takimin në fjalë, ministri Ditmir Bushati, tha: “Ndihemi të lumtur që kemi në Shqipëri një investitor të tillë, të fuqishëm dhe serioz. Marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite kanë filluar të diversifikohen, përtej ndihmës ekonomike dhe humanitare”. Madje në faqen e tij në “FB”, ministri Bushati shkroi: “Takimi i sotëm me Princin Al-Waleed, Presidentin e Kingdom Holding Company, ishte një mundësi, për të biseduar më konkretisht mbi investimet e mundshme në shërbimet turistike, industrinë dhe modernizimin e infrastrukturës”. 

Entuziast ishte në takim me Princin Saudit edhe kryeministri Rama, i cili garantoi shqiptarët, se ishin ofruar investime të fuqishme në turizëm dhe në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë”. Mirëpo në datën 4 nëntor 2017, Arabia Saudite njoftoi arrestimin e investitorit të shquar miliarder, Princit Alwaleed Bin Talal Alsaud, pas një procesi arrestimesh për korrupsion të 10 princave të tjerë, të katër ministrave dhe dhjetëra ish-ministrave. Pas këtij lajmi, burime nga kryeministria dhe nga kabineti i ministrit Bushati, njoftuan se këta, kishin hequr me urgjencë fotot dhe videot, deklaratat, lajmet dhe kronikat televizive, të takimeve të bujshme zyrtare, që ata kishin zhvilluar në datën 25 gusht 2017, me princin e arrestuar saudit. Gazeta “Telegraf” verifikoi lajmin dhe konstatoi, se pamjet dhe kronikat e takimeve me Princin Saudit, janë hequr nga faqet zyrtare të kryeministrit dhe ministrit Bushati, por edhe nga faqet zyrtare të Kryeministrisë dhe ministrisë së Jashtme.
Sigal