Kriza e taksat, si u mbyllën 44 mijë biznese në 3 vite

390
Numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv nga fillimi i janarit 2015 deri më 26 prill 2018 është 43,580, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të cilët kanë të publikuar listën e kompanive që kalojnë në status pasiv. Lista tashmë përditësohet çdo ditë nga tatimet dhe në të përfshihen të gjithë ato subjekte që nuk ushtrojnë më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzojnë deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; deklarojnë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar. Sipas viteve, në 2014-n kaluan në status pasiv rreth 24 mijë subjekte, por në atë kohë tatimet po bënin pastrimin e regjistrit, duke kaluar në status pasiv bizneset që kishin vit që kishin mbyllur aktivitetin. Numri i tyre u reduktua ndjeshëm në 2015-n, në vetëm 4,190 periudhë që korrespondon me aksionin antiinformalitet, ku vetëm në tre muajt e fundit të vitit u regjistruan rreth 30 mijë subjekte, përfshirë edhe fermerë. Por këto subjekte duket se nuk i kanë rezistuar dot formalizimit dhe u mbyllën sërish një vit më vonë, teksa numri i subjekteve që kaluan në status pasiv në 2016-n kërceu në 22,653. Mbylljet vijuan edhe në 2017-n, me rreth 12 mijë biznese që kaluan në status pasiv. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura ishin të vetëpunësuar, pasi të dhënat e tjera të INSTAT për vitin 2016 dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në 2017-n, konfirmuan se 26 mijë të vetëpunësuar (16 mijë në vitin 2016 dhe 10 mijë në vitin 2017 kishin dalë nga tregu i punës). Ndërsa nga 1 janari 2018 deri më 26 prill, numri i bizneseve të mbyllura është 4,757.