Kriza e emigrantëve, Totozani letër KE

540
Igli Totozani, President i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), disa ditë më parë i ka dërguar një letër Jean-Claude JUNKER, President i Komisionit Evropian, për gjetjen e zgjidhjeve që kapërcejnë krizën e emigrantëve. Totozani, me mbështetjen e të gjithë anëtarëve të AOM-së shkruan në këtë letër se: “Kriza emergjente e migracionit në hapësirën e Mesdheut tashmë na ka konfrontuar me imazhe dhe dëshmi shokuese të vuajteve të personave, të cilët u largohen zonave të luftës, persekutimit dhe varfërisë. Fatkeqësisht, këto kohë të vështira dhe flukset migratore me destinacion Europën janë instrumentalizuar, gjithashtu, nga rrjetet trans-nacionale të krimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Aktualisht, përmballemi me në sfidë të jashtëzakonshme nga përmasat etike, politike dhe ekonomike – sfidë kjo, që kërkon bashkëpunimin e koordinuar dhe të qëndrueshëm mes aktorëve lokalë, rajonalë, europianë dhe ndërkombëtarë, në funksion të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme në planin afat-shkurtër dhe atë afat-gjatë, lidhur me këtë krizë humanitare të përmasave kolosale. Presidenti i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), i mbështetur nga të gjithë anëtarët e AOM-së, shpreh mbështetjen e fuqishme për angazhimin e institucioneve dhe agjensive të BE-së, për të mobilizuar vullnetin e duhur politik dhe burimet mbështetëse, për të trajtuar problematikën e flukseve mikse migratore. Implementimi efektiv i Agjendës Europiane mbi Migracionin, e miratuar nga Komisioni Europian ka rëndësi jetike, si për sa i përket veprimeve imediate për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe azil-kërkuesve, ashtu edhe për trajtimin e shkaqeve në rrënjë të kësaj problematike, duke përfshirë këtu varfërinë dhe destabilitetin që qëndrojnë në sfond të krizës aktuale. Duke patur parasysh mbledhjen e Këshillit të Jashtëzakonshëm të Ministrave të Brendshëm të hënën, më 14 shtator 2015, ne inkurajojmë fuqishëm Komisionin Evropian për të vazhduar rolin e vet aktiv brenda sistemit institucional të BE-së dhe në marrëdhëniet me vendet e origjinës apo tranzitit, me synimin që përqasja e të drejtave të njeriut të jetë pjesë integrale e strategjive dhe plan-veprimeve kombëtare dhe ndër-kufitare në përgjigje të krizës së migracionit. Bashkimi Evropian, momentalisht, përballet me një sfidë historike, e cila kërkon zgjidhje parimore dhe të qëndrueshme, në përputhje dhe respekt të vlerave të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, të cilat përbëjnë edhe themelin e rendit juridik dhe kulturës politike të vetë Bashkimit Evropian. Pa dyshim që shkalla e suksesit të arritur është pazgjidhshmërisht e lidhur me nivelin e solidaritetit të qenësishëm dhe ndarjen e përgjegjësive që BE dhe Vendet Anëtare do të mund të tregojnë në vijimësi. Me tejet rëndësi për suksesin e axhendës së politikave dhe masave konkrete të ndërmarra është edhe mbështetja e një platforme partneriteti të gjerë dhe koherent të aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë Institucionet e BE-së dhe Vendet Anëtare, organizatat ndërkombëtare, shoqërinë civile, autoritetet lokale dhe vendet e treta. Në këtë kontekst, angazhimi i Institucioneve të Ombudsmanit dhe Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut janë me rëndësi jetike për një dialog politikash dhe masa praktike, të cilat bazohen tek mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut. Lidhur me sa më sipër dhe duke marrë parasysh shtrirjen gjeografike strategjike të AOM-së, duke përfshirë këtu një numër të konsiderueshëm vendesh tranziti apo origjine në Lindjen e Mesme, Ballkanin Perëndimor dhe hapësirën e gjerë të Mesdheut, Presidenti i AOM-së shpreh me këtë rast gaditshmërinë e këtij rrjeti të gjerë të Institucioneve të Ombudsmanit dhe Institucioneve të të Drejtave të Njeriut për të kontribuar dhe marrë pjesë në nisma të reflektimit dhe veprimit të përbashkët me synim sigurimin e zgjidhjeve të qëndrueshme ndaj krizës humanitare të emigracionit”.
Sigal