Kristaq Mosko: Si ia dolëm mbanë t’i jepnim emër gjimnazit “Ymer Dishnica”

 

Drejtori Kristaq Mosko rrëfen përvojën e një shkolle 17-vjeçare

Nga Vepror Hasani

 

NOA

Korçë- Kristaq Mosko drejtor i shkollës së mesme “Ymer Dishnica”, përmes një rrëfimi solli për lexuesin”, përpjekjet e stafit mësimor, përvojën e tyre, se si një shkollë e re mund të krijojë identitetin e saj dhe të jetë e denjë për të konkuruar me shkollat e tjera. Sipas Moskos, kjo gjë nuk është e lehtë, por me shumë punë dhe me pasion gjithçka bëhet e mundur. Në raste të tilla, sa herë që çelet një shkollë e re, përpara stafit mësimor qëndrojnë një sërë pyetjesh, që kërkojnë përgjigje.

Çdo të thotë për mësuesit çelja e një shkollë të re?

Sigurisht që është një gjë e bukur, ngjan me lindjen e një fëmije, ndaj në raste të tilla përgjegjësia është e madhe: a do të mundet stafi i mësuesve që t’i japë shkollës së sapolindur identitet? A do të arrihet që edhe kjo shkollë të ketë binjakëzime me shkollat e vendeve europiane? A do të shndërrohet në një shkollë të parapëlqyer për nxënësit? A do të jetë konkuruese me shkollat e tjera? Pyetjet janë të shumta. Si çdo gjë tjetër e re, fillimisht të jep një farë droje dhe emocion, por sigurisht të jep edhe kurajo, sepse ekskluziviteti për formësimin e saj u takon mësuesve. Për këtë arsye, impenjimi te mësuesit, që marrin përsipër të punojnë në një shkollë të re është i madh. Kështu ndodhi edhe me gjimnazin “Ymer Dishnica”. Kjo shkollë u çel në qytetin e Korçës, në gusht të vitit 1993. U quajt thjesht, gjimnazi “nr. 3”, ndërsa më pas, në 22 maj të vitit 2000, shkolla do të merrte emrin e personalitetit të shquar, Ymer Dishnica. Për herë të parë u hapën 3 klasa të para me 107 nxënës gjithsej, ndërsa sot te kjo shkollë studiojnë 255 nxënës. Shkolla e kishte nisur rrugëtimin e saj.

Çfarë ndodhi në këtë fillim të ri?

Krijimi i identitetit të shkollës përfshinte të gjitha përpjekjet e stafit mësimor. U bënë mjaft binjakëzime. Në dhjetor të vitit 1994, gjimnazi u lidh me kolegjin “Monsejour” në krahinën e Bordosë të Francës. Në tetor të vitit 1996 mbërriti propozimi për binjakëzim me shkollën e mesme të Hurricana të West Virginia në SHBA. Binjakëzimet po u jepnin mundësi nxënësve të njiheshin me kulturën evropiane, me nxënësit e këtyre shkollave. Po krijonin miqësi me ta. Mbi të gjitha, po nxiteshin ëndrrat e tyre për të studiuar në këto vende. Më pas vijuan binjakëzime të tjera. Në këtë kohë shkolla u lidh me postën elektronike (email), u pajis me kompjutera, gjë që bëri të mundur ngritjen e kabinetit të informatikës. Gjithçka nisi të konkretizohej pas përfundimit të maturës së parë, në vitit 1998 dhe më pas. Shumë nga nxënësit e shkollës shkuan me studime në SHBA, në Angli, në Francë, në Itali, në Rumani, në Bullgari, në Greqi e deri në Australi, ku nxënësit tanë u shquan për rezultatet e tyre. Mund të përmend disa: Arjola Ustallin, Estela Zonjën, Mikel Napuçe, Blerta Muslli, Kostanca Jankulla, Etleva Thimio, Olger Denas, Redion Nedelko, Edi Prifti Roland Jovani, Emi Marko, Artur Jovani, Nertil Qatipi, Elvis Jovani, Anisa Mandra, Kristjana Plloça, Migena Demiri etj. Nga viti në vit shkolla po krijonte fizionominë e saj.

Cilat ishin format dhe metodat e përdorura nga ana juaj?

Së pari, ne dëshironim që shkolla të kishte një jetë të gjallë. Të evidentoheshin talentet: këngëtarët, letrarët e rinj, matematicienët, valltarët, të talentuarit në sport, në letërsi, në histori, në çdo fushë që ata mund të shfaqeshin. Pse jo, të kishim edhe konkurse të “Miss bukurisë”. Në vitin 2004 shkolla jonë nxori miss Korçën, nxënësen Norjona Harrilla, e cila mori pjesë edhe te “Miss Albania”, ndërsa në vitin 2010, kurora “Miss eleganca” u rrëmbye nga Livia Bica. Vetëm kështu mund të zbulonim personalitetin e çdo nxënësi. Gjithkush të kuptonte që brenda vetes fshihte aftësi, që ishte dikush dhe vlente. Gjatë vitit shkollor 2006-2007, duke shfrytëzuar edhe përvojën e viteve të mëparshme, përmes aktiviteteve dhe konkurseve, i dhamë shkollës një tjetër kolorit. Në mars të vitit 2007, organizuam konkursin për përzgjedhjen e krijimeve më të mira, ku tre nxënësit tanë: Xhensila Emini, Elona Goskolli, dhe Eranda Sulillari u përfshinë në antologjinë e nxjerrë nga Shoqata “Arbnori”. Morëm pjesë në “Rinfest”-in e organizur nga Bashkia e qytetit, Drejtoria Rajonale e Arsimit dhe Teatri “Çajupi”, ku shkolla jonë u kthye me çmime për interpretimin e bukur të këngëve dhe valleve. Konstatuam me kënaqësi që nxënësit po bënin të gjitha përpjekjet për 95- vjetorin e lindjes së Ymer Dishnicës, të titulluar “Një kujtim dhe vlerë që nuk duhet harruar”.

Grupi artistik i shkollës bashkëpunoi dhe me korrin “Lira” të qytetit. Pati dhe një ekspozitë me foto dhe sendet personale të Ymer Dishnicës. Në raste të tilla ne ftojmë edhe të gjithë mësuesit që kanë punuar në këtë shkollë. Edhe vitin 2008-2009 e filluam me sjelljen e kupës së Federatës së Paqes Globale. Kjo ishte një risi. Kupën e këtij aktiviteti e fitoi nxënësi ynë Martin Skënderas, i cili fitoi vendin e parë.

Si ka qënë bashkëpunimi mësues-nxënës?

Bashkëpunimi ka qënë i gjithanshëm. Nuk mund t’i përmend dot të gjitha. Për realizimin e uniformës nxënësit u udhëhoqën nga mësuesit Vjollca Fejzo, Marjana Shkodrani dhe Sedat Tahiri; për përgatitjen e pjesës teatrale “Tregtari i Venedikut” u ndihmuan nga mësuesja Mamica Foto dhe Erisa Flamuraj; për festimin e 15- vjetorit të shkollës, nxënësit gjetën mbështetjen e mësuesve Nadja Peristeri dhe zëvëndës drejtori i shkollës, Sedat Tahiri, të cilët përgatitën një film dokumentar për jetën e Ymer Dishnicës; për përgatitjen e temës “Të njohim vendlindjen, të njohim traditën”, patën përkrahjen e mësueses së historisë dhe gjeografisë. Konkursi në fushën e artit dramatik në mbyllje të vitit shkollor 2008-2009, u realizua nën drejtimin e mësueses Elda Rapi ku spikatën nxënësit Nasie Ibro, Marjana Tole, Gerta Sefedini dhe Bajrona Bylykbashi. Me fillimin e kurrikulës së re, grupi i nxënësve të klasës së trashëgimisë kulturore, nën drejtimin e mësues të kësaj lënde, Anxhela Bibolli, përgatitën temën “Evokimi i traditës”. Nxënësit e frëngjishtes së bashku me mësusen e kësaj lënde, Rajmonda Grabocka sollën aktivitetin, “Pranvera frankofone”. Për nxitjen e mëtejshme të dëshiravë të nxënësve, mësuesja e historisë Ardiana Miçi, në bashkëpunim me mësuesit e informatikës dhe letërsisë hartuan projektin: “Unë kam një ëndërr”. Mësuesja Afërdita Bardhoshi solli projektin ndërlëndor të letërsisë dhe arteve, “Një udhëtim turistik në zonën e Korçës”, ku për spotet publicitare u vlerësuan nxënësja Elene Merrolli, ndërsa në aktrim nxënësi Vangjel Vasili etj. Ndërkohë kemi patur bashkëpunime edhe me Universitetin “Fan S. Noli”.

Cila është eksperienca juaj në punët e pavarura të nxënësve

E rëndësishme është gjetja e formave interesante për realizimin e tyre. si të tillë mund të sjell realizimin e një projekti nga deparatamenti i shkencave shoqërore titulluar “Korça dje dhe sot”. U organizua  ë formën e një simpoziumi. Nxënësit u paraqitën me kumtesa dhe referate. Vumë re që nga ana e tyre ishte hulumtuar në mënyrë të pavarur në këtë fushë. Kjo tregoi se aktivizimi dhe nxitja e tyre shpalos vlera, zgjon interesa dhe shtojnë besimin për të realizuar të tilla punime. Veprimtaria e organizuar me rastin e 100- vjetorit të Kongresit të Manastirit, dhe 100- vjetorit të lindjes së Eqerem Çabejt, e realizuar në kuadër të orës së lirë, mbeti mjaft mbresëlënëse. E tillë ishte edhe veprimtaria në orën e fizikës “Biografi fizikantësh” ku nxënësit prezantuan me vidiopreojektor momente nga jeta dhe vepra e fizikantëve, që kanë kontribuar në formimin dhe pasurimin e kësaj shkence. Për lëndën histori-gjeografi u vu në zbatim projekti “Qyteti im në Fokus”, me CD më të mira të motivuara nga komisioni i ngritur për këtë projekt. U bashkëpunua edhe me mediat. Puna me projektet, tashmë pas një eksperience disa vjeçare, vjen më e plotë në të gjitha parametrat e saj, në përgatitjen e draftit, në përcaktimin e etapave të punës, në mbledhjen e informacioneve, në përpunimin e tyre dhe në realizimet kompjuterike, të cilat u japin mundësinë nxënësve të shpalosin vlerat e punës së tyre. Koloriti i veprimtarive dhe aktiviteti që shoqëron jetën e shkollës tonë po tregon mundësi dhe potenciale, të cilat mund të shpalosen nga nxënësit tanë në drejtime të ndryshme dhe interesa të caktuara që ta mbartin.

A mbani lidhje me nxënësit tuaj, që kanë studiuar në shkollën tuaj?

Mund të them se kjo është pjesa që më jep shumë kënaqësi. Pavarësisht se ku studiojnë nxënësit tanë, brenda vendit apo në shtete të tjera evropiane, lidhjet i kemi patur të përhershme. Sigurisht, tashmë komunikimi nuk është i vështirë. Me këtë rast unë mund të sjell disa nga e-mal-et që na kanë dërguar nxënësit. Adela Vilza, e cila studion në Universitetin e Missurit ST. Louis (UMSL), në SHBA na shkruan: “Nuk e dija se do t’ju mbaja përherë me vete, ju dhe peshën e fjalëve tuaja. Jeni të pazëvëndësueshëm. Ju faleminderit për gjithçka…”. Ndërsa një nxënëse tjetër që studion në Itali, Rakela Pinderi na shkruan: “Më vjen me të vërtetë shumë mirë që edhe këtu ku jam dëgjoj të flitet mirë për shkollën tonë dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë për gjithçka në atë gjimnaz…”. Edi Prifti që studion në Francë shprehet kështu: “Faleminderit për gjithçka. Fal jush nuk kam patur vështirësi në shkollën ku studioj…” Me shumë dashamirësi na ka shkruar edhe Rolan Jovani, (Bullgari), Mikel Napuçe,( Itali) etj. Falenderime të tilla na vijnë vazhdimisht. Sigurisht mirënjohja të emocionon. Me këtë rast më lejoni të falenderoj mësuesit Pali Kristo, Elda Rapi, Entela Xheka. Entela Koruni dhe Anxhela Ballolli që kanë dokumentuar të gjitha ngjarjet e shkollës.