Kreu i Qarkut Elbasan, Isai: “Ka rënë numri i turistëve këtë sezon veror”

565
Sigal

Në Qarkun e Elbasanit këtë sezon veror numri i turistëve të huaj dhe vendas është ulur ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara. Këtë vit pritej një rritje e ndjeshme për arsyen e hapjes së tunelit Elbasan-Tiranë, por realisht ka ndodhur e kundërta. Këtë lajm e bën të ditur vetë Kryetari i Qarkut të Elbasanit, Eugen Isai në një prononcim për gazetën “Telegraf”. Isai shprehet se, këtë vit në Qarkun e Elbasanit nuk ka pasur ndonjë fluks të lartë ashtu si vitet e tjera edhe pse pritej shumë. “Numri që ne mendonim këtë vit nuk ishte ky. Ne, shpresuam se ma hapjen e tunelit gjendja do të ndryshonte, por rezultoi ndryshe. Aktualisht nuk kam një shifër që ta përmend konkretisht, por ajo që di të them me siguri është se numri i turistëve këtë vit në Qarkun e Elbasanit është më i ulët se çdo vit tjetër verorë”, -tha kreu i qarkut. I pyetur nëse ka ndonjë arsye se përse ka ndodhur kështu, Isai përgjigjet: “Ndoshta kriza ekonomike mund të ketë qenë një ndër arsyet kryesore pasi jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë vendin nuk ka shumë turistë këtë vit. Ndoshta se edhe muaji i Ramazanit ra në mes të sezonit veror”. Sipas Isait turistë që kanë vizituar qytetin janë vendas dhe të huaj si nga Maqedonia, Kosova, Gjermania dhe Italia. Gjithashtu, ai thotë se vendet më të preferuar për t’u vizituar mbetet Gjinari, Bysheku, Shijoni, Dumreja, vetë qyteti i Elbasanit si kalaja, muzeu etnik që është në qendër të qytetit dhe shume monumente të tjera që Elbasani ka. Pa harruar këtu Steblevën që është perla e turizmit malor, Sopoti dhe i gjithë Parku Kombëtarë  Shebenik -Jabllanicë etj..