Komisioni Parlamentar i Sigurisë/ Gledis Nano zbardh të dhënat: Gjatë 2021 u goditën 40 grupe kriminale, 31 milionë euro asete të sekuestruara

234

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shprehu shqetësim për rritjen e krimeve brenda familjes si dhe ato në fushën e qarkullimit rrugor, ndërsa e konsideroi numrin e vrasjeve të përafërt me vendet e Bashkimit Europian.

Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano raportoi të mërkurën në komisionin parlamentar të sigurisë lidhur me situatën e rendit në vend.  Seanca u bën me kërkesë të deputetëve të opozitës, duke marrë shkas nga disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura javët e fundit.

Nano raportoi me shifra për situatën e kriminalitetit në vend për vitin 2021, duke shprehur shqetësimin për rritjen e dhunës brenda familjes si dhe krimet në fushën e qarkullimit rrugor. Në raportin që lexoi, Nano evidentoi gjithashtu rritjen e veprave në fushën e krimit të organizuar dhe një zbulueshmëri të ulët të tyre.

“Meqenëse 30% e vrasjeve të ndodhura për këtë vit kanë për shkak dhunën në familje, janë marrë masa dhe lënë porosi në vazhdimësi, për evidentimin dhe trajtimin me seriozitetin maksimal të këtyre rasteve, me qëllim që ato të mos degradojnë deri në ngjarje të rënda kriminale,” tha Nano.

Ai shtoi gjithashtu se strukturat e policisë po përditësojnë listat me emra dhe të dhëna për të mbajtur në kontroll persona me precedentë kriminalë, me tendencën abuzime seksuale me të mitur dhe dhunë në familje me pasoja të rënda”.

Deputetët shtruan dhjetëra pyetje për Nanon për hetimet e disa ngjarjeve të bujshme, ngjarjet e fundit kriminale deri tek komentet e ministrit të Brendshëm për paraardhësin e tij.

Nano mori 15 minuta kohë për t’u përgatitur dhe kryetari i Komisionit, Nasip Naço i ofroi zyrën e tij.

Nano u tregua i rezervuar në përgjigje, duke mos komentuar mbi çështje që janë në hetim dhe as deklaratat politike, ndërsa këmbënguli që objektivat e policisë për vitin që vjen janë plotësisht të arritshme. Ai i justifikoi lëvizjet e drejtuesve brenda policisë si të bazuara në aftësitë profesionale të tyre.

Për veprat penale të vrasjeve, Nano tha se janë në kurbë rënëse që nga viti 2005 dhe sipas tij Shqipëria ka shifra të përafërta vrasjesh për numër popullsie me vendet e Bashkimit Europian.

Deputetët e të dy krahëve të politikës treguan vlerësim për figurën e tij si drejtues i ri i Policisë. Në veçanti, deputetët e opozitës i kërkuan që të mos bëhet vegël e politikës siç ka ndodhur sipas tyre me paardhësit e tij.