Kreu i Kishës Katolike: Mos mëkatoni mbi tragjedinë, tërmeti nxori në pah varfërinë dhe korrupsionin

513
Sigal

Sot është Krishtlindje. Besimtarët katolikë dhe ortodoksë morën pjesë në meshat e rastit, ku u bë thirrje për më shumë harmoni e mirësi mes njëri-tjetrit, larg konflikteve. Kisha Katolike u bëri thirrje besimtarëve që t’i përdorin këto festa për t’u gjendur më pranë njëri-tjetrit dhe për të përcjellë mesazhin e festës, që në këtë botë nuk jemi vetëm.

Imzot Xhorxh Frendo identifikoi atë që, sipas tij, është mëkati i këtyre ditëve në vendin tonë: korrupsioni mbi tragjedinë e tërmetit.

“Solidariteti bën pjesë në ADN-në shqiptare. Sa bukur kur shoqëria e përjeton dhe dëshmon këtë solidaritet. Por, kam një pyetje: a jemi të gjithë duke e treguar këtë solidaritet ndaj personave viktima të kësaj tragjedie? Me keqardhje më duhet të them që jo. Jam ndjerë shumë i zhgënjyer kur dëgjova që ka disa që po abuzojnë nga kjo fatkeqësi. Njerëz që kanë rritur qiratë, për njerëz që në këtë fatkeqësi kërkojnë vend strehimi. Po rrisin çmimet e materialeve për ndërtimin e shtëpive. Është mëkat i madh të pasurohesh nga tragjedia”, tha Imzot Xhorxh Frendo.

 

 

I ashpër ishte Ipeshkvi i Lezhës, Otavio Vitale, i cili tha se se tërmeti i 26 nëntorit zbuloi Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit.

“Është detyra e njeriut, veçanërisht e atyre që kanë përgjegjësi publike, të kujdesen për të në të gjithë përmasën e tij. Këto fjalë marrin peshe të veçantë veçanërisht pas asaj që ndodhi për shkak të tërmetit që solli vdekje dhe shkatërrim. Një tërmet që ka zbuluar Shqipërinë e vërtete të varfërisë dhe korrupsionit, sepse kaq shumë vdekje dhe shkatërrim nuk do të kishte nëse ndërtesat e shembura do të ishin ndërtuar duke ndjekur parametrat e sigurisë. Këtu mbizotëron interesi personal, korrupsioni dhe sjellja e paligjshme që rrezikon jetën e njerëzve. Shpresoj që kjo Krishtlindje të zgjojë ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha të kërkojnë falje ato që shkaktojnë këto fatkeqësi sepse janë të korruptuar dhe nuk interesohen për të mirën e njerëzve”, tha Vitale.

Për Arqipeshvin e Dioqezës Shkodër-Pult Imzot Angelo Massafra drama është se shumica e shqiptarëve kanë humbur shpresën dhe po lënë vendin.

“Jam i bindur se pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë humbur shpresën. Shumë janë duke braktisur Shqipërinë, me inatin ndaj atdheut mund të themi”.

Duke vënë gishtin mbi plagët e shoqërisë, nga dhuna në familje deri tek korrupsioni, Kisha Katolike kërkoi angazhimin e të gjithëve për të luftuar fenomenet negative dhe për të rikthyer shpresën.

“Kush ka më shumë përgjegjësi, atij i kërkohet më shumë”.

Mijëra besimtarë në të gjithë vendin mbushën në mesnatë kishat katolike, dhe ato ortodokse në orët e para të mëngjesit.