KQZ / Votimi i emigrantëve me postë, opsioni më i mundshëm! Ja si do të veprohet

296
Sigal

Një grup pune i ngritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rekomandon që votimi i emigrantëve në zgjedhjet e 25 prillit të bëhet përmes postës, duke marrë shembull Kosovën.

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ngarkua detyra e hartimit të akteve për votimin e emigrantëve pas ndryshimeve të bëra në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë, grupi i punës, duke marrë në konsideratë kushtet e Shqipërisë, ku përfshihen shtrirja gjeografike e diasporës, afatet kohore në dispozicion, shërbimi postar, mungesa e sistemeve të zhvilluara teknologjike, vlerëson se më i përshtatshëm për t’u zbatuar aktualisht në vendin tonë, është metoda e votimit nga jashtë përmes postës dhe shkarkimit i fletës së votimit online në faqen e KQZ-së. Grupi i punës vlerëson këtë metodë votimi (modeli i Kosovës) si një zgjidhje afatshkurtër.

VOTIMI

Që një shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë të ketë mundësi të votojë sipas kësaj metode që rekomandon grupi i punës i ngritur në KQZ, së pari duhet të futet në portalin e-albania dhe të regjistrojë vendbanimin e tij të përhershëm jashtë Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të krijohet edhe regjistri unik i votuesve të diasporës.

Ndërkohë, institucionet përkatëse në Shqipëri do bëjnë të mundur që emrat që regjistrohen si votues të diasporës, të hiqen nga lista e votuesve në Shqipëri, në mënyrë që të mos ketë mbivendosje. Ndërkohë, në ditën e zgjedhjeve, qytetari do të hyjë në faqen zyrtare të KQZ-së për të shprehur interesin për të votuar.

Pasi të konfirmohet nga KQZ, qytetarit do t’i jepet mundësia të shkarkojë fletën e votimit me karakteristikat përkatëse të sigurisë. Më pas do të shënojë preferencat dhe do ta nisë fletën e votimit me postë. Por edhe kjo mënyrë që është konsideruar si më e mundshmja për t’u dhënë mundësi emigrantëve për të votuar është praktikisht thuajse e parealizueshme për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.

Kjo, për shkak se deri tani, sipas burimeve, nuk ka asnjë të regjistruar në regjistrin e emigrantëve. Regjistrimi duhet të bëhet herët, në mënyrë që zgjedhësi që regjistrohet si votues nga diaspora, të hiqet nga lista e votuesve në Shqipëri, gjë e cila kërkon kohë. Gjithashtu, grupi i punës rendit edhe anë të tjera të dobëta të këtij procesi.

Siguria që fleta e votimit pas plotësimit nga zgjedhësi arrin në Shqipëri në kohë; Mungesa e sigurisë përgjatë rrugës ose para numërimit/ mbërritjes në KQZ; Kostoja financiare më e lartë për votuesit, pasi posta drejt Shqipërisë është më e kushtueshme; Rreziku i shtimit fiktiv të fletëve të votimit. Në raportin e KQZ-së theksohet se për shkak të kohës së kufizuar, nuk janë bërë edhe përllogaritjet e kostos së këtij procesi, ku përfshihet edhe tarifa e postës që varion nga 22 deri më 25 dollarë sipas shtetit.