Koronavirusi /Shqipëria e paprekur, edhe pas 5 testimeve të reja

359
Sigal

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmon se ka përfunduar testimi në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) edhe i 5 rasteve të tjera të dyshuara, me histori udhëtimi në vendet e prekura nga koronavirusi COVID-19. Këto raste kanë rezultuar të gjitha negative. Deri në këto momente janë testuar 23 raste për koronavirusin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në mbledhjen e radhës së Task- Forcës, kërkoi nga strukturat shëndetësore në territor rritjen e vigjilencës për të identifikuar në kohë rastet e mundshme dhe për të zbatuar konkretisht planin tashmë të hartuar të masave për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së virusit kinez.

“Shqipëria nuk mund të jetë imune ndaj koronavirusit COVID-19 por jemi të gjithë bashkë për të bashkërenduar punën e strukturave në mënyrë që të bëhet më e mira e mundshme për të përballuar çdo situatë potenciale. Është koha të rrisim akoma më shumë vigjilencën në çdo strukturë”.

Nga ana tjetër, Manastirliu ka deklaruar se që prej ditës së sotme në të gjitha strukturat shëndetësore ka nisur shpërndarja e 1.2 milionë maskave shtesë.