Koronavirusi, çmimet rriten frikshëm: Limonët e portokallet mbi 250 lekë/kg …nëse gjenden

546
Sigal

Çmimet e agrumeve dhe kryesisht portokallit dhe limonit kanë kapur nivele të çmendura këto ditë, duke pothuajse dyfishuar në disa raste në raport me një javë më parë.

Në dyqanet e lagjeve, një kilogram limon mund ta gjesh për 200-250 lekë ndërkohë që tek shumica është tërhequr së fundmi me 160 lekë. Gjithsesi me këto çmime mund ta marrësh nëse ke fatin të gjesh, pasi në disa dyqane nuk ekziston fare.

Tregtarët e pakicës pohojnë se me 250 lekë po shesin limonët që kanë pasur gjendje, ndërsa me marrjen e furnizimeve të reja të hënën, çmimet mund të jenë edhe më të larta.

Portokalli, nga ana tjetër, që tërhiqej me shumicë në nivelet 60-70 apo 80 lekë për kilogram, të premten u shit me 120 lekë tek shumica, ndërsa në dyqanet e Tiranës rreth 200 lekë.

Situata ka lidhje direkte me atë që po ndodh me koronavirusin ku është nënvizuar një rritje e përdorimit të Vitaminës C apo frutave dhe agrumeve që e përmbajnë atë.

Kur i pyet tregtarët se çfarë ndodh me këto çmime dhe pse gjithçka ndryshoi në pak ditë, secili ngre supet duke shpjeguar se ka qenë efekt në gjithë zinxhirin ku kalon malli. Importuesit pretendojnë se u është sjellë më pak sasi sesa ajo që kishin planifikuar, ndërkaq që iu është dhënë me një çmim më të lartë sesa më parë. Të njëjtën gjë më pas deklarojnë tregtarët e shumicës, të cilët thonë se rritja ka ardhur nga dora e parë, ndërsa konsumatori fundor paguan çmimin më të kripur të gjithë kësaj mungese.

Tendenca për të blerë dhe për të konsumuar më shumë agrume nisi prej dy javësh kur qytetarët nisën të blinin masivisht jo më me kilogramë por me arka kryesisht portokallin nga alarmi i koronavirusit fillimisht në vendin fqinj e më pas në fillim të javës edhe në vendin tonë, kurse sasia e disponueshme ishte disa herë më e vogël se kërkesa.

Shqipëria, pavarësisht prodhimit të saj të portokallit apo limonit, nuk arrin që të plotësojë të gjithë kërkesën dhe një pjesë të mirë e importon nga vende si Italia apo Turqia. Të dhënat zyrtare nga Doganat tregojnë se vendi ynë importoi në vitin 2018 një sasi prej 16 milionë kilogram me një ekuivalente në lekë prej 8.1 milionë dollarë. Në vitin 2017 importi ishte 13.2 milionë kilogram me një vlerë prej 6.2 milionë dollarë.

Sa i takon limonit, të dhënat e Doganave tregojnë se u importuan në vitin 2018 rreth 3.9 milionë kilogramë me një vlerë 2.9 milionë dollarë, ndërsa që në vitin 2017 këto importe ishin 3.8 milionë kilogramë me një vlerë 2.6 milionë dollarë.

Sipas statistikave të bujqësisë publikuar nga Instituti i Statistikave, prodhimi i agrumeve kryesisht mandarina dhe portokall në vendin tonë për vitin 2018 ishte 45.4 tonë./Monitor