Nuk mund të fajësohen qytetarët për ç’organizimin e Ramës

569
Sigal

Radhët përballë dyqaneve i përkasin një të shkuare jo dhe aq të largët për shqiptarët. Fundi i regjimit komunist erdhi me bollëkun e skamjes, e cila shpërndahej në mënyrë të barabartë midis të duarve të radhëve të qumështit apo të të produkteve të tjera.

Pamje që janë rishfaqur rishtazi këto ditë nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, teksa qytetarët kërkojnë të sigurojnë çfarë u nevojitet familjeve të tyre, teksa ritmi i jetës përcaktohet nga karantina që imponon COVID-19.

Qysh në dekikat e para të shfaqjes të virusit në vendin tonë, qytetarët treguan një vetëdijësim dhe një përpikmëri të pazakontë për zbatimin e udhëzimeve që vinin nga autoirtetet dhe nga ekspertët. Sigurisht të qenurit pjesë e rrjeti global të informacionit, ku nëpërmjet telefonit mund të bësh për vete njohuri jetike në fare pak kohë, luajti një rol të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi impaktin e këtij virusi në Kinë, dhe sidomos në Italinë fqinje. Kësodore shqiptarët iu bindën menjëherë thirrjes për t’u vetëizoluar, për t’u mos kthyer në vektor shpërndarjeje të virusit.

Por, me mbylljen e javës së parë të karantinës, gjatë së cilës fjalët luftë, burg, gjobë, të cilat përsëriteshin në daljet përherë e më të shpeshta mediatike të kryeministrit, nuk u alternuan kurrë me fjalë lehtësuese dhe çliruese, që të zbusnin sadopak oreksin e qytetarëve për pozitivitet, diçka nuk shkoi mirë.

Këshillat për të qëndruar në shtëpi, ndaj të gjithëve pa përjashtim, u shndërruan në masa shtrënguese, të shoqërua nga fasha orare të publikuara në faqen e fejsbukut të kryeministrit, dhe secila prej tyre ka ndryshuar disa herë në pak ditë si një përgjigje ndaj qytetarëve të shumtë që pushtonin rrugët, sikur të ishte zilja e një pushimi të madh i shtrirë në të gjithë vendin.

Kulmi i njërës prej këtyre daljeve u shënua të shtunën paradite, ditën e dytë të fashës së re, 05:00 deri në 13:00, të prezantuar të premten me shkronja kapitale në rrjetin social kryeministror. Rrguët, sheshet, pazaret, marketet ishin të tejmbushura nga qytetarë që psonisnin rrëmujshëm për t’ju kthyer sa më parë shtëpive të tyre, pasi në orën një gjithçka do të ishte mbyllur, për t’u rihapur të hënën në pesë të mëngjesit, ndërsa vonesa mund t’ju kushtonte një gjobë të majme për xhepat e shpuara të popullit më të varfër në Europë.

Kur të gjithë ishin mbyllur në shtëpi, teksa lëshonin qeset e pazareve të porsa bëra nëpër tryeza e frigoriferë, në televizionin e çdo shqiptari u shfaq edhe njëherë kryeministri. Me kokën që i lunduron në mesin e po atij ekranit me të cilin ka parë qytetarët që pushtuan rrugët, nis një filipikë tashmë të njohur ndaj atyre që konsideron shkelës, të cilët i kërcënoi edhe me përdorimin e gazit lotësjellës dhe hedhjen e ujit, për të shpërndarë të gjithë ata që nuk do të merrnin parasysh masat që ka shpallur në facebook.

Sidoqoftë, ndonëse numri i shqiptarëve që kanë dalë për të përmbushur nevojat e tyre dhe të familjeve të tyre mund të konsiderohet i lartë, ata nuk mund të fajësohen për shkak të organizimit të ç’organizuar të Ramës. Sepse nuk është faji i qytetarëve që hapësirat kohore që u janë vënë në dispozicion janë po aq të ngushta sa hapësirat fizike në të cilat iu duhet të kryejnë nevojat e tyre. Nëse të gjithë lëvizin vetëm në këmbë dhe vetëm në orare të kufizuara, ajo që ndodhi të shtunën është e pashmangshme. Sikurse do të jetë edhe në ditët në vijim.]Pra nuk mund të fajësohet populli, kur ajo që ndodh është produkt i mungesës së kapacitetit organizativ dhe të seriozitetit në menaxhimin e gjësë publike; as nuk mund të fajësohet populli për panik, sepse panikun e krijojnë urdhrat kundërthënës, të pamundura për t’u zbatuar.

Panikun gjithashtu e krijon edhe gjuha plot zi e një kryeministri që e ka zbuluar veten ithtarin më të zjarrtë të kryqëzatës kundër koronavirusit. Herë pas here, ndërsa përshkruan ‘ferrin’ që po sjell mbi tokë COVID-19, tingëllon sikur lëçit ndonjë rresht nga Edgar Allan Poe. Fjalë që synojnë t’u kallin datën e qytetarëve, veçse nuk tingllojnë aq mirë në gojën e atij që vetëm dy javë përpara se virusi të shfaqej në Shqipëri, thoshte se ‘nuk ka asnjë rrezik’, madje deklaronte që opozita përhapte panik dhe mediat ishin pjesë e infodemisë. Sot, i shndërruar në fare pak ditë në varrmihësin digjital të të vdekurve të shtetit më të goditur europian, Italisë, ai përfaqëson një nga arsyet më të mëdha të mosbesimit të qytetarëve ndaj masave shtrënguese, por edhe atyre ekonomike që ka paralajmeruar.