Komuniteti LGBT/ ‘Shteti hesht, ne guxojmë’

555
Sigal

Një ndër kategoritë më të diskriminuara në shoqërinë shqiptare, vazhdon ende luftën për një jetë më dinjitoze dhe të barabartë edhe pse në vitin 2019. Komuniteti LGBT ka nisur përgatitjet për paradën e madhe të 18 Majit, e cila tashmë është kthyer në një traditë edhe për këtë komunitet që jeton në vendin tonë.

Edhe pse në një numër më të vogël pjesmarrësish dhe aktivistësh në krahasim me vendet e tjera, ky komunitet nuk ka qëndruar në heshtje karshi problemeve sociale. Lidhur me socializimin, përfshirjen dhe integrimin e personave me orientim seksual të ndryshëm është bërë shumë pak ose thuajse asgjë. Shumë pak emra të njohur e kanë pranuar hapur orientimin e tyre seksual në Shqipëri nga frika e diskriminimit, paragjykimit apo edhe bulizmit. Por, në kuadër të aktiviteteve që ndërmerr kjo organizatë, LGBT fton të gjithë qytetarët e lirë të vendit t’i bashkohen kauzës së tyre. Qofshin këta edhe njerëz që nuk ndajnë të njëjtat bindje apo prirje, e rëndësishme është solidarizimi dhe mbështetja humane.

Pikërisht për këtë arsye, LGBT bën thirrje për më shumë angazhim edhe nga strukturat shtetërore. Nën moton ‘Shteti Hesht, Ne Guxojmë’ ata nuk kërkojnë vetëm të drejtat e tyre si qënie njerëzore të barabrta por edhe sensibilizimin e gjithë shoqërisë.
Sipas statistikave, edhe pse të përllogaritura në kushte tejet të vështira për shkak të anonimatit dhe frikës nga ekspozimi, vetëm 1 përqind e LGBTI+ në Shqipëri kanë mundësi të dalin hapur në familjet e tyre. Por shumë prej tyre që e bëjnë këtë hap me guxim, ose dhunohen më shumë brenda mureve të shtëpisë aty ku duhet të ishin më të sigurt, dëbohen fare nga shtëpia, ose vazhdojnë të kërcënohen nga pjesëtarët e familjes edhe pasi janë dëbuar nga shtëpia.

Nga ana tjetër, Komuniteti LGBTI+ në Shqipëri ka raportuar 421 raste të dhunës fizike dhe psikologjike vetëm gjatë vitit 2018. Një studim i Strehës për aksesin në drejtësi nxjerrë në pah se më shumë se 53 % e personave LGBTI të anketuar raportojnë dhunë dhe diskriminim dhe kjo shifër shkon deri në 84% për rastet e të rinjve LGBTI+ që kanë dalë hapur në familje apo ambjente të tjera.

Të rinjtë LGBTI+ janë 10 herë më të rrezikuar nga braktisja e shkollës për shkak të bullizmit. Të miturit LGBTI+, edhe kur gjejnë kurajon të mos e braktisin shkollën dhunohen çdo ditë nën hundën e administratave të shkollave që nuk bëjnë asgjë për t’i mbrojtur. Në raste të tjera, fëmijët që braktisin shkollën për shkak të bullizmit, bëhen target dhe viktima të mundshme të trafikimit, teksa shteti dështon t’i mbrojë në mënyrë flagrante.

Por, edhe pse mbështetja ligjore ndaj tyre nuk mungon, respektimi i ligjeve në Shqipëri si për çdo aspekt tjetër, mbetet ende vetëm një copë letër.