Kol. Myfit Guxhollit i jepet ” Dekorata e Artë e Shqiponjës”

558
Sigal

 

Halil Rama 

 

Kreu i shtetit vlerësoi mbrojtjen dhe mbajtjen gjallë të idealit atdhetar në drejtim të OBVL-së

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, vlerësoi dje, Kolonelin veteran Myfit Guxholli, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacion: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës dhe shkencës topografike ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të L.A.N.Ç.-it”

 Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, duke iu drejtuar të pranishmëve mes të cilëve ishin veteranë të LANÇ-it, drejtues dhe anëtarë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve dhe pjesëtarë të familjes Guxholli, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj sot Kolonelit Myfit Guxholli, “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, për kontributin e çmuar si luftëtar i lirisë në radhët e Brigadës IV-ët partizane, për rolin e tij në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare dhe si themelues e drejtues i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Kolonel Guxholli, një ish-student i Liceut të Korçës, në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin, i shtyrë nga atdhedashuria dha një kontribut patriotik, u bashkua me armë në dorë në Luftën e lavdishme Nacional-Çlirimtare duke shërbyer edhe si kuadër i forumeve më të larta të Brigadës IV Sulmuese.

Si një ndër pedagogët më të shquar dhe Shef Katedre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhe tani si kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, kontributi dhe puna e Kolonel Guxhollit në shërbim të vendit është e jashtëzakonshme dhe tejet e vyer.

Familja e nderuar Guxholli, Kolonel Myfiti, babai i tij Nevruzi së bashku me tre vëllëzërit, Bexhetin, Qemalin dhe Arefiun, jo vetëm që u rreshtuan si partizanë në krah të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, por shkrinë dhe dhuruan të gjithë pasurinë e familjes së tyre për Luftën.

Të gjithë së bashku ata luftuan përkrah Heroit të Popullit Reshit Çollaku, me çetën partizane të Mokrës.

Kjo familje është shembulli më i shkëlqyer i patriotizmit dhe atdhedashurisë e cila na krenon të gjithëve dhe do mbetet e paharruar në historinë e vendit tonë dhe shembull frymëzimi për brezat e rinj.

Më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare.

Është i njohur kontributi juaj si kryetopograf, shef seksioni dhe Nënkryetar i Degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare; si bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë, në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954); si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

Por sot, unë dua të vlerësoj edhe aktivitetin tuaj të pasur shkencor e pedagogjik, si autor i tekstit mësimor “Gjeodezia”, të përshtatur për studentët e specialitetit “topograf”, në Akademinë “Skënderbej”, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë gjeodezinë në këtë Akademi.

Këto janë një trashëgimi e çmuar që zenë vend nderi në analet e historikut të Forcave tona të Armatosura.” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Më lejoni të shpreh sot konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare; për kontributin që ka dhënë dhe jep kjo organizatë në mbrojtjen e idealit të luftës për liri dhe transmetimit të brezave të rinj të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë epopesë së lavdishme të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Ju, si bashkëthemelues i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ  të popullit shqiptar, me Dr.Ymer Dishnicën, Gjeneral Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e shumë të tjerë, në drejtimin e kësaj organizate, i keni bërë shërbimin më të mirë kombit dhe popullit shqiptar, duke nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, që ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar për lirinë e Atdheut.

Kjo luftë e lavdishme që realizoi çlirimin e atdheut nga okupatori nazifashist dhe e shpëtoi vendin tonë nga planet për ndarjen, duke e radhitur Shqipërinë në anën e Aleancës së madhe të popujve kundër Aksit të së keqes, është padyshim një meritë për Shqipërinë europiane, që sot është anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtare të BE-së, sepse në themel të Europës së Bashkuar qëndrojnë vlerat demokratike dhe çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore.

Më lejoni që me këtë rast t’ju uroj përzemërsisht ditëlindjen tuaj të ‘90-të! Ju uroj një jetë të gjatë, me shëndet të plotë, dhe me këtë vitalitet e shpirt krijues që keni sot.

Ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin tuaj shumë të çmuar për Shqipërinë, për ushtrinë tonë dhe kombin shqiptar!”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës para se t’i dorëzonte dekoratën e lartë luftëtarit të lirisë, veteranit të LANÇ-it, Kolonelit Myfit Guxholli.

Duke e falenderuar Presidentin Meta për vlerësimin, Kolonel Myfit Guxholli në fjalën e Tij përshëndese theksoi ndër të tjera se “kjo Dekoratë e lartë i takon të gjithë atij brezi që e nisi jetën nga lufta për të kontribuar për çlirimin e Atdheut dhe përparimin e tij”.

Kush është Kolonel Ing.Myfit Guxholli

Ka lindur në Pogradec më 7 qershor 1930. Ishte vetëm 9 -vjeç, kur iu bashkua lëvizjes së rinisë pogradecare që kërkonte armë për të shkuar në Durrës, që të luftonin kundër pushtimit fashist të vendit.

Po ashtu, pas një viti, nga urrejtja për inxhinierin italian që ishte major i Simit dhe që punonte në minierën e kromit “Guri i Kuq”, e qëllon atë më një gur në bel. Myfiti i shpëtoi arrestimit pasi e fshehu rinia pogradecare ndërmjet protestuesve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studioi për dy vjet në Liceun e Korçës. Myfiti rrjedh nga një familje e pasur atdhetare dhe patriotike. Gjatë okupimit nazifashist të vendit, familja e tij u përfshi e tëra në luftën kundër okupatorit, madje babai i tij u burgos për aktivitet antifashist.
Myfiti, megjithëse në moshë fare i ri, që në shkurt 1944, u rreshtua në radhët e ushtrisë partizane në Brigadën e IV-të Sulmuese, si kuadër i kësaj brigade. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, me hapjen e Shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle, dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ish Bashkimi Sovjetik). Pas diplomimit u emërua në Degën e Topografisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Krahas detyrës së tij funksionale ai vazhdoi studimet dhe në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, në mbarim të të cilave u titullua “Inxhinier topograf”.

Ai ka kryer detyra të rëndësishme në Ushtri. Pasi u gradua N/toger u emërua kryetopograf, më vonë shef seksioni dhe N/kryetar Dege të Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Gjatë viteve 1952-1961 ka marrë pjesë në organizimin, projektimin dhe zbatimin në terren të të gjitha punimeve topogjeodezike për sigurimin topografik të Ushtrisë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954).
Nga viti 1961 deri në 1985 shërbeu në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (sot Akademia “Skënderbej”) si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, me gradë major. Gjatë kohës së mësimdhënies dhe drejtimit të katedrës në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Ing. Myfit Guxholli ka një aktivitet të pasur shkencor e pedagogjik.