Kodi i ri Penal nuk dënon por liron “legjionarët” e krimeve dhe “djeg” dosjet e vjetra

643
Arjan ZADRIMA
Ndryshimet nuk ndëshkojnë krimet e koncesioneve, grabitjen e pasurive kombëtare, vjedhjen e financave publike, bizneset e ngritur me krim
Fjalimet e mbajtura prej “legjionarëve” të Rilindjes në seancën parlamentare të ditën së enjte, u trumbetua sikur ndryshimet në Kodin Penal janë bërë si tregues dhe përmbajtje e reformës në drejtësi, për të cilën thuhet se “po bëhet vetëm në favor të qytetarëve e të popullit”. Në fakt, nëse lexon me kujdes ndryshimet e bëra, rezulton se ato janë qëllimisht e në mënyrë të paramenduar, vetëm në favor të grupeve dhe individëve të botës së krimit, pjesë dominuese deri drejtuese e të cilëve janë edhe politikanë, shtetarë e banda që kanë lidhje me ta dhe që shpesh, para e pas krimeve, arrestimeve apo lirimeve “për mungesë provash”, kanë deklaruar se janë “dorë” e politikanëve dhe e shtetarëve, të cilëve, siç dihet e shihet, u shërbejnë me mbrojtje biznesesh të pista, me kërcënim, postim e eliminim kundërshtarësh politikë dhe me garantim votash pushteti! Çfarë ndryshoi në Kodin Penal? Kush përfiton nga këto ndryshime? Përse bëhen ndryshime të Kodit, sa herë që ka zgjedhje parlamentare, pikërisht për kushte lehtësuese deri në lirim, të kriminelëve dhe bandave “klientë” të politikës e shtetarëve? Cilët janë propozuesit e tyre dhe a janë “grup interesi” në këto ndryshime? Katër ditë më parë, Parlamenti ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal. Sipas ndryshimeve që janë bërë, konstatohet se Kodi i ri Penal që nuk dënon por liron “legjionarët” e krimeve dhe “djeg” dosjet e vjetra. Çfarë ndodh? Nën maskën e lehtësimit të dënimeve, u është dhënë shumë hapësirë, dënimeve alternative edhe për krime të rënda. Nuk është fjala për dënime alternative për atë që vjedh kumbullat e komshiut apo për taksistin konkurrent që shpon gomën e makinës së kolegut, por për lehtësime dënimesh deri edhe me lirime, të autorëve të krimeve të rënda, të cilat nuk duhen amnistuar as me 1 sekondë ulje dënimi! Në parashikimin në Kodin Penal të pezullimit të ekzekutimit të vendimit me burgim, përcaktohet se është shmangia nga vuajtja e dënimit, e personave me rrezikshmëri të pakët apo kur kushtet shëndetësore ose mendore të autorit të veprës penale, mënyra e jetesës veçanërisht ato që lidhen me familjen, shkollimin ose punësimin, janë të një natyre të tillë që krijojnë bindjen, bazuar në prova, që ndaj këtij autori të veprës penale, gjykata duhet të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim, duke vendosur zëvendësimin e dënimit me burg me dënime alternative. ndryshimi në Kodin penal, parashikon një rast absurd të përfitimit të lirisë, për të personat e dënuar me burgim të përjetshëm. këta kanë të drejtë të kërkojnë “lirimin para kohe me kusht”, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 35 vjet burg dhe gjatë periudhës së provës, të kenë treguar “sjellje shembullore. Thuhet, se Projektligji është hartuar nga misionet “EURALIUS&OPDAT”, në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, përfitojnë të gjithë të dënuarit e tjerë dhe konkretisht, parashikohet që çdo i dënuar mund të lirohet me kusht, nëse ai ka vuajtur jo më pak se gjysma e dënimit me burgim, të vendosur në lidhje me kundërvajtjet penale dhe jo më pak se dy të tretat e dënimit të vendosur në lidhje me krimet e dënueshme me burgim deri në pesë vjet. Mirëpo, ndryshimet, krijojnë lehtësi edhe për të arrestuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët janë “strukturë” aktive në veprim në shërbim të politikanëve e shtetarëve të caktuar dhe lirohen me dënime alternative. më alarmant është fakti, që ndryshimet në Kodin penal, krijojnë edhe një hapësirë tjetër të mbrojtjes dhe lënies së lirë të krimit. Konkretisht, thuhet se nëse për një krim të caktuar të çfarëdo natyre, brenda një kohe të parashikuar në Kodin Penal (të ndryshuar) nuk zbulohen fakte të reja, atëherë dosje e këtij krimi mbyllet. ose skandali tjetër, ka lidhje me përcaktimin, që nëse pas një afati kohor të përcaktuar në Kod, zbulohen prova të reja, dosja e krimit nuk rihapet, por qëndron e mbyllur përjetësisht. Çfarë ndodh me këto përcaktime? Mund të bësh krim para 5 e 10 vitesh dhe nëse deri në momentin e hetimit nuk të janë zbuluar provat e krimit, dosja mbyllet dhe nuk rihapet nëse provat e krimit zbulohen pas këtij afati? Këto ndryshime, nuk i hapin e nuk i ndëshkojnë, por i mbyllin përfundimisht dhe i “harrojnë” e i lënë të lira krimet e koncesioneve, të grabitjes së pasurive kombëtare, të vjedhjes me letra fiktive investimesh e shërbimesh të financave të shtetit, të bizneseve të ngritura me krime e korrupsion, të shkatërrimit të ekonomisë, kulturës dhe vlerave historike e aktuale kombëtare… A janë këto ndryshime, reformë në drejtësi, në favor të qytetarët, biznesmenit, familjes, grupit social, institucionit, komunitetit që dëmtohet nga një krim dhe grup krimesh, apo mbrojnë dhe lënë të lirë personat e krimit, deri edhe në drejtimin e shtetit e politikës? Ndryshimet në Kodin penal, nuk janë bërë për popullin, por për ata që kanë marrë peng popullin dhe vendin me gjithçka! Është vepruar, njësoj si me ligjin “Ahmetaj” të faljes së 191 miliardë lekëve , për të cilin u tha se përfitojnë 410 mijë shtqiptarë, kur në fakt përfitojnë vetëm bizneset e ministrit të Financave dhe të 210 biznesmenëve shokë, koncensioanrë vendas e të huaj, ortakë e biznesmenë majtas dhe djathtas, familjarë e kolegë të tij ministra, deputetë, ambasadorë, kryepolicë, krye-tatimorë e krye-doganierë, drejtorë, diplomatë e të “fortë”, të cilëve u fshihen afro 170 miliardë lekë vjedhje, evazion fiskal, mos pagim taksash e gjobash ndaj shtetit për biznese ilegale, për biznese mafioze, për shfrytëzim të burimeve natyrore pa paguar detyrimet në shtet, për sigurime shoqërore e shëndetësore punonjësish, për trafik automjetesh, import e distributor ilaçesh dhe karburantesh, ushqimesh, veshjesh, duhani, pijesh alkoolike, pajisjesh elektroteknike e gjithçka, pa paguar detyrimet doganore e tatimore në shtet, madje as gjobat për të cilat janë ndëshkuar si evazorë financash publike! 

SKANDALI SHTETËROR
Në një ditë, miratohen masat e dënimit në Kodin Penal për evazion fiskal dhe falja e 191 miliardë lekëve për krime fiskale
Dënohet me 7 vite burg, kur kryhet vetëm dhe deri 10 vite burg kur ka bashkëpunim

Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose ato me pezullim të plotë a të pjesshëm nga detyrimet doganore, ose të akcizës, përmes importimit, eksportimit apo tranzitimit nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore,

taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm. Kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim 5-10 vjet.

Deklarimi i rremë dënohet 7-10 vjet burg
Kontrabanda me mallra të licencuara përmes importimit, eksportimit apo tranzitimit të mallrave që kërkojnë licencë nga organi kompetent, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, vepër penale kjo që dënohet me burgim deri në 7 vjet. Kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se 1 herë, dënohet me burgim 5-10 vjet.

Mashtrimi me origjinën deri 7-10 vjet burg
Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm, përmes importimit, eksportimit apo tranzitimit të mallrave, duke i paraqitur ato si mallra me regjim të ndërmjetëm, me qëllim shmangien nga detyrimet doganore apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që ka të bëjë me importin ose eksportin e mallrave, vepër penale kjo që përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Kur kryhet në bashkëpunim

ose më shumë se një here, dënohet me burgim 5-10 vjet.”

Mosregjistrim në tatime, deri 3 vjet burg
Në nenet 13 deri 16 të Kodit Penal, përcaktohet: Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm, ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve apo moslëshimi i kuponit tatimor, përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim. 

Kur tatimorët nuk vjelin taksat, tatimorët 7 vite burg
Neni 15 parashikon ndryshimin e nenit 181/a që sanksionon veprën penale të
moskryerjes së detyrave nga organet tatimore, përmes moskryerjes së detyrave që
lidhen me vjeljen, brenda afatit të caktuar ligjor, të taksave dhe tatimeve nga
punonjësit e organeve tatimore dhe personat e tjerë zyrtarë qe janë ngarkuar me këto
detyra, kur bëhet për fajin e tyre.

Ilaçe të falsifikuara, 6 muaj-5 vjet burg
Neni 17 parashikon veprën penale të prodhimit dhe tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, vepër kjo e kryer përmes prodhimit, mbajtjes për qëllime tregtimi, shitjes apo ofrimit për shitje, furnizimit, shpërndarjes, eksportimit, importimit të barnave. Vepër kjo për të cilën parashikohet dënim me burgim nga 6 muaj deri në pesë vjet. Kur ka sjellë pasoja të rënda për jetën apo shëndetin dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Abuzimi me karburantet, dënohet 5 vjet burg
Neni 18 parashikon që pas nenit 288/a të shtohet neni 288/b, i cili sanksionon veprën
penale të tregtimit dhe hedhjes për konsum të lëndëve djegëse në kundërshtim me
standardet ligjore të cilësisë. Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, me shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda materiale për shëndetin apo ka prishur ekosistemin, dënohet me burgim nga tre deri në 10 vjet. 
Sigal