KLSH kallëzon penalisht 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes

601
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 125/5 prot., datë 16.03.2015 dhe nr. 125/16 prot., datë 11.06.2015, ka ushtruar auditim në Ministrinë e Mbrojtjes, në përfundim të cilit, me Vendim të Kryetarit të KLSH, nr. 134, datë 30.09.2015, është miratuar raporti përfundimtar i auditimit, së bashku me rekomandimet përkatëse, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes me shkresën nr. 125/34, datë 30.09.2015. 
Nga auditimi, KLSH ka evidentuar shumë shkelje të legjislacionit, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Planifikimi i buxhetit të mbrojtjes dhe zërat e tij nuk reflektojnë kërkesat e standardeve të NATO-s lidhur me raportin për shpenzimet, i cili duhet të jetë 35% për shpenzimet e personelit, 35% për operacionet dhe mirëmbajtjen dhe 30% për investimet, duke zënë në total 2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
2. Gjatë auditimit të procedurave të prokurimit, u konstatua se procedura e tenderit me objekt “Blerje furnizim, instalim, vënia në punë e SIVHD” zhvilluar në vitin 2014, me vlerë të realizuar të kontratës rreth 85 milion lekë, fituar me vlerë të plotë, është vendosur e “klasifikuar” në nivelin e sigurisë “I kufizuar”, e cila nuk i nënshtrohet ligjit “Për prokurimin publik” nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar. Nga verifikimi në tërësi i dokumentacionit të dosjes, përfshirë dhe pasqyrën e inventarit shoqërues të dosjes, u konstatua se konsiderimi i kësaj procedure tenderi “I klasifikuar” në nivelin e sigurisë “I kufizuar”, nuk është i mbështetur në ndonjë dokument. 
I njëjti tender në vitin 2011 është zhvilluar me procedurë “I hapur”, në zbatim të ligjit “Për prokurimin publik” nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar. Gjithashtu në lidhje me këtë procedurë, nga auditimi rezultoi që AK ka gabuar dhe në përzgjedhjen e OE ekonomikë pjesëmarrës. 
3. Nga auditimi mbi inventarizimin e pronës shtetërore dhe regjistrimit në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u konstatua se lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes nuk është përditësuar me pronat, truallin dhe objektet, si dhe me të dhënat tekniko-ligjore të tyre, megjithëse ato kanë ndryshuar përgjegjësinë e administrimit, brenda dhe jashtë sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes. 
Ka prona të papërfshira në inventarët kontabël të njësive; ka prona të cilat nuk pasqyrohen me vlerë; disa prona, edhe pse janë të regjistruara në ZRPP dhe janë përfshirë në evidencën kontabile, në këtë të fundit, nuk pasqyrohen me vlerën reale sipas zonave kadastrale; konstatohet se ka mbivendosje të pronave, por ka dhe prona që janë në inventarë të dy njësive (Forca Tokësore dhe Forca Ajrore).
4. Nga auditimi i procedurave të tenderit me objekt “Rikonstruksion i pjesshëm në godinën e Ministrisë së Mbrojtjes”, me vlerë 50,172 mijë lekë, u konstatua se Njësia e Prokurimit ka lejuar zhvillimin e procedurave të tenderit, në kushtet kur projekt preventivi i objektit nuk kishte kaluar për miratim në organet përkatëse për t’u pajisur me leje zhvillimi/ndërtimi dhe kishte vendosur kritere që ndikuan më pas në zhvillimin e procedurës së tenderit dhe kualifikimin e OE pjesëmarrës, veprime këto në kundërshtim me nenin 15, 16 të VKM nr. 502, datë 13.7.2009 i ndryshuar dhe nenin 33 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006. Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që KVO dhe NJP kanë gabuar në përzgjedhjen e OE që janë ftuar për të marrë pjesë në tender, të cilët qysh në momentin e përzgjedhjes së tyre, nuk plotësonin dukshëm kriteret, çka rezultoi më pas edhe në shpalljen fitues të një OE i cili ishte shoqëri “pastrimi”, punonjësit e të cilit rezultuan të ishin të gjithë “Fshesarë”.
5. Nga auditimi në përgjithësi i procedurave të prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes (28 tenderë me vlerë 277 milion lekë, ose rreth 93% e fondit limit të prokuruar, me vlerë të fituar 270 milion lekë dhe efekt të garës (ulje të shpenzimeve) 7 milion lekë ose më pak se 3% e vlerës së prokuruar), u konstatua që:
 Përgjithësisht pjesëmarrja e OE në procedurat e tenderëve, ka qenë e ulët.
 Në 6 procedura tenderimi ka paraqitur ofertë vetëm një OE. Fondi limit për këto procedura ka qenë 103 milion lekë, ose sa 37 % e fondit limit të tenderuar.
 Në 10 procedura tenderimi, kanë paraqitur oferta 30 OE, ose mesatarisht 3 OE/tender, janë skualifikuar 13 OE. Fondi limit ka qenë 112 milion lekë, ose sa 40 % e fondit limit gjithsej të tenderuar, efekti i garës ka qenë 3 milion lekë, ose më pak se 3 %..
 Në 4 procedura kanë paraqitur ofertë 11 OE, ose mesatarisht 3 OE/tender dhe janë skualifikuar dy OE. Fondi limit ka qenë 22 milion lekë, ose sa 8 % e fondit limit gjithsej të tenderuar, efekti i garës ka qenë 2 milion lekë, ose rreth 13 %.
 Nga tenderët e audituar kanë rezultuar me parregullsi 14 prej tyre me vlerë 129,815 lekë, që përbën rreth 44 % të vlerës gjithsej të tenderuar.
Në tërësi nga auditimi ka rezultuar një performancë e ulët dhe përdorim pa eficencë, efikasitet, dhe ekonomicitet i fondeve publike, shoqëruar me efekte financiare negative.
Përsa i përket shkeljeve të konstatuara në këtë auditim dhe të evidentuara në dy kallëzimet penale të dorëzuara organit të Prokurorisë, sqarojmë që:
6. Nga auditimi lidhur me zbatimin e ligjshmërisë në marrjen në dorëzim të “Kiteve të helikopterëve” dhe pasqyrimin e tyre në evidencën kontabël, nga personat përgjegjës, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore, të cilët konsistojnë në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave të mësipërme ligjore dhe konkretisht:
Nga auditimi rezultoi se gjatë zbatimit të kontratës së tenderit me objekt “Furnizimi me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh” e ndryshuar, kompanisë fituese i janë likuiduar katër kite me vlerë 3,458,142 euro, ndërkohë që vlera e katër kiteve sipas dokumentacionit të bërë hyrje është në 2,764,348 euro, ose 639,794 euro më pak.
Nga auditimi rezultoi që, për periudhën shtator 2013 deri më 31.12.2014, janë marrë në dorëzim të gjithë Kitet, të cilët sipas kontratës kanë një vlerë prej 3,458,142 Euro ndërsa sipas fletë hyrjeve një vlerë prej 2,764,348 Euro.
Në kontratë janë parashikuar të furnizohen 5 Kite, me një vlerë totale prej 6,446,800 Euro. Por, po të zbresim nga kjo vlerën e Kitit të helikopterit VIP (i cili tashmë nuk do të lëvrohet, pasi nga amendimi i kontratës, ky helikopter është zëvendësuar më 2 helikopterë EC 145, në shumën 2,988,658 Euro), vlera e 4 Kiteve rezulton të mbetet në shumën 3,458,142 Euro (6,446,800 Euro–2,988,658 Euro).
Si rrjedhojë, ndonëse vlera e kiteve të marra në dorëzim figuron të jetë 2,764,348 Euro sipas fletë hyrjeve, realisht pagesa në lidhje me këto Kite është bërë në vlerën 3,458,142 Euro sipas përcaktimeve kontraktore. Pra janë paguar 693,794 Euro më tepër (3,458,142 Euro – 2,764,348 Euro) për pajisje apo elementë të Kiteve të cilat nuk janë dorëzuar dhe nuk janë bërë hyrje në magazinë.
7. Nga auditimi mbi zhvillimin e procedurës ushtarake me “Procedurë me negocim të drejtpërdrejtë” me objekt: “Blerje mjete të blinduara për policinë ushtarake me kompaninë Iveco s.p.a”, me vlerë prej 1,420,000 Euro, për vitin 2014, në Ministrinë e Mbrojtjes”, rezulton se nga ana e grupit të punës janë bërë ndryshime të specifikimeve teknike, të ndryshme nga kërkesa e njësisë ushtarake, si pasojë e të cilave ka një rritje të pajustifikuar prej 220,000 Euro nga projekt ideja fillestare e propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake. Më konkretisht nga auditimi i kësaj procedure prokurimi rezultoi që:
• Brenda 1 (një) dite përgatitjen e Projekt-Propozimit teknik nga grupi i punës dhe nga ana e BM brenda 1(një) dite shqyrtimi dhe miratimi të këtij Projekt-propozimi, ndonëse baza ligjore mbi të cilat zhvillohet procedura ushtarake, nuk ka afate të përcaktuara, duke dhënë përshtypjen e “nxitimi të pajustifikuar” për blerjen e blindave ushtarake. Gjithashtu, nga BM kemi dy vendime brenda një jave, ku vendimi i parë miraton në tërësi kërkesën operacionale me specifikime teknike, si edhe po vendimi i dytë ka miratuar ndryshimet me specifikime teknike. Pra këto dy vendime, në pamje të parë nuk kanë të bëjnë me vlera financiare, por çdo lëvizje apo ndryshim i kërkesave specifike përkthehet në kosto, e cila lëviz nga 1.200.000 Euro në 1.420.000 Euro, duke prezantuar tablo që strukturat operacionale ushtarake nuk janë serioze në prezantimin e kërkesës, pasi e njëjta kërkesë është riparaqitur në Ministrinë e Mbrojtjes në Drejtorinë Juridike më datë 03.11.2014 pa asnjë ndryshim, ndonëse grupi i punës kishte bërë ndryshime në specifikime teknike.
Meqenëse këto makina të blinduara (të cilat sipas kontratës do të silleshin në muajin shtator 2015) ende nuk ishin prodhuar, autoriteti kontraktor nuk justifikohet në përzgjedhjen e procedurave të emenrgjencës. Në këtë rast autoriteti kontraktor duhet të kishte përzgjedhur procedurën e kufizuar, e cila do ti kishte dhënë mundësinë e marrjes së ofertave edhe nga operatorë të tjerë prodhues, sigurisht partnerë brenda aleancës.
• Nga auditimi, rezulton se grupi i punës ka hartuar projektin teknik me vlerë 1,420,000 Euro, me rritje prej 220.000 Euro, nga projekti ide fillestar i propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake, diferencë e cila justifikohet nga grupi i punës me shtesë të disa elementeve, duke mos dhënë preventive të detajuar mbi çmimet e këtyre elementëve, por duke dalë vetëm me një paketë përfundimtare, si pasojë e dërgimit të dhënat dhe specifikimet teknike kompanisë IVECO Defence Vehicle, bazuar në kërkesën për çmim dhe disponueshmëri. 
• Gjithashtu, nga auditimi rezulton se tre përfaqësues të njësisë ushtarake operacionale janë përfshirë nga AK edhe në grupin e punës, duke vepruar kështu në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKM nr. 1403 datë 27.10.2008 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 521 datë 08.08.2007, të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuar nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” dhe Rregulloren “Për procedurat që përdoren nga MM për prokurim e disa mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” Kreu V, pika 1, b ku përcaktohet se “Në rastin kur hapa të ndryshme të këtij procesi bëhen nga të njëjtët element strukture, personat që marrin pjesë në një hap të procesit nuk duhet të përfshihen në hapin tjetër”.
• Grupi i vlerësimit të ofertës ka ndryshuar specifikimet teknike në varësi të ndryshimeve të ardhura nga kompania prodhuese e blindave (në rastin konkret nga IVECO Defence Vehicle), duke ulur dhe forcën motorike të motorit, etj. Gjithashtu nga grupi i vlerësimit të ofertës, është propozuar dhe lloji i procedurës së prokurimit ushtarak. Si pasojë e kësaj shkelje, është rritur në mënyrë të pajustifikuar vlera e automjeteve prej 220,000 Euro.
Mbi bazën e shkeljeve të mësipërme, me shkresat nr. 125/36, datë 18.10.2015 dhe nr. 125/37, datë 18.10.2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë organit të Prokurorisë dy kallëzime penale për 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.
Më konkretisht, KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë dy kallëzimet penale për Ë.Ç. me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme së Standarteve të NATO-s dhe Modernizimit, A.Sh. me detyrë Shef i Sektorit të Hartimit të Projekteve, M.K. me detyrë Shef Shtabi në Policinë B.D. me detyrë shef logjistike në Policinë Ushtarake B.B. me detyrë Komandat i Kompanisë operacionale në Policinë Ushtarake N.G. me detyrë specialist në sektorin e hartimit të projekteve, E.D. me detyrë specialist në sektorin e hartimit të projekteve, në lidhje me shkeljet e konstatuara në tenderin me objekt “Blerje mjete të blinduara për policinë ushtarake me kompaninë Iveco s.p.a,”, duke rritur në mënyrë të pajustifikuar, fondin limit nga 1,200,000 Euro të parashikuar në projektin fillestar të propozuar nga Komanda e Policisë Ushtarake, në 1,420,000 Euro, ose 220,000 euro më shumë; si dhe M.M. me detyrë Z/V Komandant i KFA, O.N. me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës së KFA, S.Ç. me detyrë ish Komandant i Repartit Ushtarak nr. 3006, A.L. me detyrë ish Komandant i Repartit Ushtarak nr. 3006, dhe L.A. me detyrë ish Shefe e Financës e Repartit 3006, në lidhje me shkeljet e konstatuara në zbatimin e kontratës së tenderit me objekt “Furnizimi me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh”, të cilët nëpërmjet veprimeve të kryera prej tyre, i kanë likujduar kompanisë private katër kite me vlerë 3,458,142 euro, ose 639,794 euro më shumë, ndërkohë që vlera e katër kiteve sipas dokumentacionit të bërë hyrje është 2,764,348 euro.
Sigal