KLSH dhe sfida e të ardhurave vendore

563
Sigal

Alush Zaçe

Auditues  KLSH

 Në kuadrin e reformës së sistemit tatimor, nga pushteti vendor mblidhen rreth 20 lloj taksash dhe tarifash, ku ndër më kryesoret janë: taksa mbi pasurinë (ndërtesat dhe toka bujqësore), taksa mbi kalimin e pronësisë, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, taksa e regjistrimit të automjeteve, taksa për zënien e hapësirave publike, tarifa e pastrimit, taksa e truallit, taksa e tabelës dhe reklamës, tarifa e shërbimit (pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit), etj. Ajo që kemi konstatuar nga auditimet e ushtruara në 32 bashki dhe 120 ish komuna, është mungesa e planifikimit të drejtë të  ardhurave, pasi vihen re rezerva në planin e disa lloj taksash e tarifash vendore, për të cilat nuk është mbajtur parasysh as realizimi i vitit të mëparshëm. Nuk ka procedura të shkruara për ndjekjen e debitorëve të periudhave të mëparshme dhe në shumë raste nuk është realizuar një transferim i saktë i listës së këtyre debitorëve, gjatë procesit të kalimit të kompetencave nga ish-komunat drejt Bashkive.

Si KLSH kemi vërejtur se pas kryerjes së reformës administrative dhe kalimit të aktivitetit të bizneseve në të 61 Bashkitë e mëdha, nga punonjësit e ish-komunave nuk është bërë dorëzimi i  detyrës dhe listat apo dosjet e bizneseve me proces verbal. Nuk janë dorëzuar me inventar, dosjet e bizneseve, regjistrat e tatimpaguesve, pasqyra e debitorëve të krijuar sipas viteve, llojit të aktivitetit, detyrimet dhe arkëtimet, veçanërisht debitorët e taksës së tokës të cilët nuk disponohen me lista emër për emër, detyrimi dhe pagesa për secilin vit, të cilët zëne një volum të madh pune (edhe kur janë dorëzuar janë dorëzuar në total), veprime në kundërshtim me kërkesat e VKM nr.510, datë 10.06.2015 “Për miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiviteteve dhe çdo dokumentacion tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial”, Urdhrin e Ministrit të Financave nr. 47, datë 30.06.2015 “Për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen” dhe Udhëzimi i përbashkët i ministrit për çështjet vendore dhe Ministrit të Financave nr. 3237, datë 16.07.2015 “Për procedurat, afatet kohore, standardet dhe kriteret e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, për riorganizimin administrativo-territorial”.

Një sistem i sigurtë i menaxhimit vendor prodhon edhe një sistem efektiv kontrolli të administrimit fiskal në organet e pushtetit vendor, duke garantuar një planifikim dhe mbledhje në mënyrë të saktë të taksave e tarifave vendore, dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për popullatën.

Në këtë drejtim, është një shembull pozitiv për t’u marrë Bashkia Shkodër, pasi nga auditimi i kryer në vitin 2019 në këtë bashki, rezulton se për vitin 2017, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore gjithsej, nga 621,886 mijë lekë të parashikuara, janë realizuar në vlerën 612,686 mijë lekë ose 99 %, me një  mosrealizim në vlerën 9,200 mijë lekë dhe për vitin 2018, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore gjithsej, nga 678,761 mijë lekë të parashikuara, janë realizuar në vlerën 703,176 mijë lekë ose 104 %, me një tejkalim në vlerën 24,415 mijë lekë. E kundërta ka rezultuar nga auditimi i kryer në Bashkinë Pukë, ku për vitin 2017, programimi i të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, është miratuar në vlerën 37,500 mijë lekë dhe është realizuar në fakt në vlerën 20,812 mijë lekë, ose 55% dhe për vitin 2018, programimi i të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, është miratuar në vlerën 44,000 mijë lekë, realizuar në fakt në vlerën 25,510 mijë lekë me mosrealizim në vlerën 18,490 mijë lekë, ose 58%.

 KLSH ka kërkuar një strategji sektoriale për vënien nën kontroll të nivelit të borxhit që po akumulon pushteti vendor, borxh për të cilin ka shprehur shqetësimet e veta edhe FMN. Edhe pse po bëhen gati tre vjet nga miratimi i ligjit nr. 68/2017 “Për financat e Vetëqeverisjes Vendore”, puna po çalon në krijimin e burimeve financiare e njerëzore të bashkive, çka në të vërtetë nevojitet për shërbime më të mira vendore, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, zbatimin e projekteve të reja, shërbimeve sociale, etj.

Nuk janë krijuar regjistrat për subjektet me leje minerale që shfrytëzojnë sipërfaqe pyjore/kullosore me të dhënat e kontratave për sipërfaqen e shfrytëzueshme dhe vlerën e qirasë në asnjë prej njësive ku ushtrojnë aktivitet subjekte private.

Në shumë bashki konstatohet se nuk është ndërtuar një sistem tatimor i informatizuar dhe cilësor me qëllim që të sigurojë evidentim dhe administrim të drejtë të të ardhurave, trajtim të njëjtë të subjekteve objekt të taksave dhe tarifave vendore. Mungojnë regjistrat për evidentimin e saktë për subjektet me leje minerale që shfrytëzojnë sipërfaqe pyjore/ kullosore me të dhënat e kontratave për sipërfaqen e  shfrytëzueshme. Mos regjistrimi i subjekteve, si dhe puna jo e mire e administratës vendore për evidentimin e tyre në terren, ka sjellë si pasojë mungesë të ardhurash në buxhet, ku përmendim: Bashkinë Bulqizë për 81 subjekte me vlerë 682 mijë lekë, Bashkinë Mat për 16 subjekte me vlerë 185 mijë lekë, etj. Një fakt tjetër domethënës në keqadministrimin e taksave dhe tarifave vendore është mbledhja e këtyre detyrimeve jashtë sistemit bankar duke vështirësuar auditimin dhe duke përcjellë edhe risk të lartë operacional, pa ndaluar në parregullsinë në këtë lloj procedure” (Marrë nga Raporti “Mbi zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2018”, miratuar me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr.124 datë 10.10.2019 dhe dërguar në Kuvendin e Shqipërisë me shkresën nr. 395/7 datë 10.10.2019).

Nga auditimet e kryera nga KLSH, audituesit kanë konstatuar se nga disa ish-komuna, dhënia me qira e tokave bujqësore të pandara është bërë në kundërshtim të hapur me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave me  nr. 1, datë 18.7.2012 “Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara”, si dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore që kanë si objekt tokën bujqësore. Pas reformës territoriale, mjaft fermerë që kanë lidhur kontrata me ish-komunat për dhënien me qera të tokave të pandara, nuk kanë zbatuar kontratat e lidhura me pasojë mospagesën e detyrimeve kontraktore.

Për eliminimin e mangësive, si KLSH kemi rekomanduar vëmendje të shtuar për përmirësim të treguesve financiarë të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në lidhje me burimet e tyre financiare, kemi orientuar bashkitë që të përqendrohen në rritjen e të ardhurave vendore, përmes paketave efikase fiskale, duke shfrytëzuar asetet dhe pasuritë e tyre. Kemi konstatuar se ecuria në këtë aspekt nuk është e kënaqshme. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, bashkitë tona janë shumë më tepër të varura nga fondet që vijnë nga qeveria qendrore. Prandaj, kemi kërkuar që fokusi i tyre të jetë pavarësia financiare e mundësuar nga burimet tërësisht në dorë të bashkive.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, me të ardhurat e veta realizojnë vetëm një pjesë të nevojave dhe për vitin 2018, mbulimi i shpenzimeve është vetëm në masën 44%. Ky fakt kërkon vëmendje të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me situatën financiare të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe forcimin e sistemeve të kontrollit për të parandaluar dhe minimizuar risqet potenciale të paaftësive paguese. Kolapsi financiar, qoftë edhe në një entitet të vetëm në vendor, përcjell efektet në financat publike të vendit (Marrë nga Raporti “Mbi zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2018”).

Si KLSH, sapo të kalojë emergjenca dhe gjendja e fatkeqësisë natyrore nga pandemia e Koronavirusit Covid-19, do të rrisim përqëndrimin e auditimeve tona në drejtim të përmirësimit të punës së njësive të vetëqeverisjes vendore në vjeljen e taksave vendore edhe në fusha si mjedisi, menaxhimi i pyjeve e kullotave, bujqësisë, agro-turizmit, etj, me qëllim rritjen e pavarësisë ekonomike të Njësive të Vetqeverisjes Vendore nga fondet e qeverisë qendrore.