Klithma e 900 mijë familjeve: Uuuuu…jë!

418
Çmimet e sahatëve, oraret e furnizimit, faturat afrofe dhe kamatë-vonesat i vendosin vetë, por në verë nuk sjellin “një pikë ujë”
Përparim HALILI
Kriza e “ujit familjar” e cila ka mbërthyer prej 30 ditësh, afro 80% të qendrave të banuara të vendit, po tregon se “kuçedrat” që e kanë bllokuar furnizimin me ujë nuk janë bashkitë, as (mos)ujësjellësit, por politikat degraduese që janë ndjekur nga shteti shqiptar, për furnizimin e popullatës me ujë të (pa)pijshëm. Çështja qëndron tek mungesa e ujit në 900 mijë familje shqiptare, nga 1 milionë e 234 mijë familje që janë në total në shkallë vendi. Krizën aktuale të ujit familjar, krerët e ujësjellësve që nga Tirana e deri në zonat më skajore të vendit, kanë tentuar ta justifikojnë me refrenin e dalë boje të çdo stine vere: “Nuk ka reshje shiu”! Në fakt, shkak nuk është mungesa e shiut, por mos-krijimi i sistemeve të plota të depozitave ujore, burimeve e rrjeteve të garantuar për furnizim me ujë, siç ka edhe në vendet rrotull nesh, ku uji nuk mungon asnjë sekondë! Sipas bisedës me një zyrtar të Entit Rregullator të Ujit, në 25 vitet e fundit, në Shqipëri janë bërë 2374 tenderë (financime) për 72 ujësjellës në të gjithë vendin, 5 prej të cilëve në qytete të mëdha. Mesatarja është kjo: Për çdo ujësjellës janë bërë 73 tenderë. Dhe ujë nuk ka, ose ka me pikatore e “triska” (orare)! Vetëm në 20 vitet e fundit, janë financuar 190 milionë dollarë dhe 279 milionë euro nga financimet ndërkombëtare dhe buxheti i shtetit, për rikonstruksion e ndërtim ujësjellësish të rinj. Këto financime (tenderë), janë menaxhuar nga bashkitë, komunat, ministria e Rregullimit të Territorit, ERE, këshillat e qarqeve, prefekturat, drejtoritë e ujësjellësve. 
Dy probleme me ujin
Edhe ajo sasi e pakët uji që dërgohet në familjet shqiptare, përveç ndotjes ekstreme me burime epidemitë dhe rrezikimin e jetës, ka 2 probleme që vazhdojnë prej 25 vitesh:
1. Uji me orare gjatë gjithë vitit (3 herë në ditë nga 1 orë) në 80% të territorit të vendit.
2. Uji i munguar në stinën e verës. 
Çfarë ndodh? Uji, prej 25 vitesh po vazhdon të mbetet “viktimë” e fushatave elektorale false të partive politike që kërkojnë e marrin pushtetin, me premtimet e përsëritura për të sjell dhe garantuar 24 orë furnizim. Ujë nuk ka, ka vetëm fjalime e projekte bosh, tenderë në miliarda lekë që zhvillohen fiktivisht, punime për ndërtim dhe rikonstruksion ujësjellësish, deposh uji, krijim burimesh ujore që nisin e lihen përgjysmë, ujësjellës që investohen e nuk çojnë ujë në familjet shqiptare! Edhe pse nuk ka ujë, çmimet e sahatëve, çmimin e ujit, oraret e furnizimit, faturat afrofe dhe kamatë-vonesat pagesave të faturave, drejtuesit e ujësjellësve, bashkitë dhe Enti Rregullator i Ujit, i vendosin vetë, pa përfillur konsumatorin që ligjërisht është palë kontraktore, duke i shitur edhe me 20% TVSH. Kontrata e shit-blerjes së ujit, hartohet nga vetë ujësjellësi dhe dërgohet për zbatim me detyrim shtetëror e policor (pranga)! Në këtë moment krize ekstreme, ujësjellësit e lëshojnë ujin nga 1 orë vetëm pas mesnate, ose në orët e para të mëngjesit. Dhe qytetarët, bëjnë “roje” në pritje të ujit për të mbushur legenë, kova, tenxhere, kazanë, shishe, bidonë, magje e depozita me ujë. Askush nuk jep llogari, për mungesën e ujit! Asnjë gjykatë, nuk pranon padi të konsumatorëve, për mungesën e ujit, për mbi-faturimet fiktive edhe tani që mungon uji. Askush nuk e heton dhe nuk ndëshkon vjedhjen e denoncuar edhe tek policia e anti-krimit ekonomik-financiar, që bandat (drejtuesit) e ujësjellësve u bëjnë qytetarëve, duke i detyruar të paguajnë sahatët e ujit kur ato janë pajisje shërbimi dhe kjo është njëlloj, sikur të udhëtosh me “TAXI”, të paguash tarifën e shërbimit dhe taksisti të detyroj… t’i blesh edhe gomat e veturës! Askush nuk heton, vjedhjen që u bëhet qytetarëve me faturat afrofe, si një krim financiar i paramenduar! Askush nuk heton e ndëshkon asnjë zyrtar ujësjellësi, për faturat fiktive, që një familjeje me 2 rubinete çezme, i çojnë faturën 3 milionë lekë, ndërkohë që një fabrikë pijesh alkoolike, sere domatesh, fabrike qumështi, restoranti, fidanishte lulesh apo lavazhi makinash e tapetesh, i çojnë faturë konsumi sa mesatarja një familje! Problem tjetër është mungesa e plotë e ujit në stinën e verës, siç po ndodh aktualisht! Përse mungon uji? Prej një muaji krize për ujë, kryeministri nuk merr as mundimin të pyes drejtuesit e ujësjellësve e jo të zgjidh problemin! Ndaj dhe prej afro 1 muaji, afro 900 mijë familje në gjithë qendrat e banuara të Shqipërisë, po vazhdojnë të klithin: Uuuuu…jë! 
Në 25 vite janë bërë 2374 tenderë për 72 ujësjellës, me mesatare 33 tenderë për secilin, me vlerë 190 milionë dollarë dhe 279 milionë euro, me të cilat jo vetëm nuk është garantuar ujë 24 orë, por në 36 qytete jepet ujë me “triskë” 1 orë ujë në ditë, me 3 herë nga 20 minuta!
Sigal