Elona Agolli u shpreh në panairin e përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës të Klik Ekspo Group, që këtë dhjetor, feston vitin e 30të të krijimit se: Në emër të Klik Ekspo Group, kam nderin të përgëzoj bashkorganizatorët e kësaj pasditeje, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë dhe Muzeun Historik Kombëtar, të ftuarit e pranishëm shumë të respektuar, dhe Shkëlqesinë e Tij, ish Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Moisiu. Medalja “Shqiponja e Artë”, është një simbol i posaçëm vlerësimi për figura të shquara, përfaqësues të shoqërisë civile, artistë, politikanë dhe personalitete të spikatura në fushat e artit, kulturës, sigurisë dhe mbrojtjes, trashëgimisë dhe vlerave kombëtare, që u akordohet në mënyrë solemne personaliteteve të përzgjedhura çdo dy vjet, ndërsa të merituarve të sipërmarrjes dhe biznesit, u akordohet në Panairin e përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës të Klik Ekspo Group, që këtë dhjetor, feston vitin e 30të të krijimit, një moshë pjekurie që di si ta dëshmojë. Vit pas viti, në një hap me misionin e vet, Klik Ekspo Group, si rrugëçelës i standardeve me kahun e drejtë nga ajo çfarë mbetet vlerë sipërore dhe e patjetërsueshme, është fuqizuar edhe domethënia emblematike e Medaljes “Shqiponja e Artë”, me të cilën janë çmuar personazhe të dashur dhe të adhuruar, të kombit tonë dhe të vendeve miq, që kanë ditur si të mbarështojnë vlerat e së bukurës dhe të së mirës. Ndërsa sot, në zemër të kontradiktës më të madhe sociale mes lehtësisë së papërballueshme me të cilën gjithkush mund të bëhet veprimtar apo ndikues në shoqëri, art, kulturë, në ndeshje të pambarimtë me modelet që vërtet duhen marrë shembull, na takon të kthejmë vëmendjen tek virtyti, tek njerëzorja e qëndresave të forta, tek personalitetet që u përçojnë vlera jetëgjata brezave.
“Vetëm në adresë të Atdheut, retorika nuk vjetërohet”, do të thoshte Dritëro Agolli, ndaj nuk ishte e rastësishme përfshirja e figurës së ish Presidentit të Republikës, Z. Alfred Moisiu në listën e personaliteteve dhe personazheve, veprat e të cilëve në politikë, jetë sociale, komunitet, atdhedashuri, kulturë e trashëgimi, u shquan nga organizatorët si ata që më mirë se kushdo mund të depërtonin për të dhënë me thjeshtësi e lexueshmëri të paqme, mesazhe frymëzuese fisnikërie.
Njëzëri u përkrah vendimi për vlerësimin dhe nderimin për figurën e një trashëgimtari besnik të virtyteve të larta të atdhedashurisë që ka lënë mbresa tek çdo bashkëkombas në trojet shqiptare, si rrallëkush, në tre etapa të ndryshme historike. Në kohëra si këto, kur makineritë gjeopolitike ia dalin të brishtësojnë deri dhe pikëpamjet dhe mendësitë e popujve, qofshin të mirëseardhura mesazhet e fqinjësisë së mirë dhe qasjeve paqësore, integrimit dhe pranimit, përbashkimit pa zvetënuar vlerat autentike, si ato me te cilat ish Presidenti Moisiu drejtoi vendin gjatë mandatit të tij në vitet 2002 deri në 2007. Një falënderim e mirënjohje zotit Alfred Moisiu për praninë sot këtu mes nesh, dhe pranimin e këtij vlerësimi nga ana jonë. Mirënjohje gjithashtu për të gjithë të pranishmit!