Klasat e 5-ta, testi do të zhvillohet më 25 maj

952
Ministria e Arsimit vendosi zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor më datë 25 maj 2018, për të gjithë nxënësit e klasave të pesta. Sipas Ministrisë, testi është i integruar dhe përfshin lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre. “Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor fillon në orën 10.00 dhe zgjat 1 orë e 30 minuta. Procedurat e hartimit dhe të vlerësimit të testeve përcaktohen në rregulloren “Për procedurat e organizimit dhe të zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor 2018”. Nxënësit me aftësi të kufizuara e zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me programin mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe standardin e tyre”, theksohet në udhëzimin e posaçëm. Instituti i nxënësve që nuk shikojnë, tërheq testin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, një ditë para zhvillimit të vlerësimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit Brail. Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të monitorojë procesin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të arsimit fillor.
Sigal