Kishte dy mina me telekomandë, arrestohet 48-vjeçari në Elbasan

254
Sigal

Një 48-vjeçar është prangosur, për shkak se është kapur me dy mina me telekomandë.

I arrestuari mësohet se është A.K, banues në Durrës, ndërsa është kapur në një lokal në fshatin Bradashesh të Elbasanit.

Sipas policisë rreth 48-vjeçarin kishin ardhur informacione se ai do të shiste këto mina me telekomandë.

Siç shihet në pamjet e shpërndara nga policia, të dy minat janë të lidhura me nga një celularë dhe janë modifikuar me dorë.

Këto mina mund të shpërthejnë nga distanca, me anë të telekomandimit në çastin që autorët dëshirojnë.

Këto mina jo rrallë herë kanë marrë jetë njerëzish në vendin tonë. Ndërkohë për rastin në fjalë, policia ka ngritur një grup hetimi për të zbardhur të plotë ngjarjen, se kush ishte porositësi dhe ndoshta për të zbuluar edhe personin që do të vrisnin këto mina.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të minave me telekomandë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që ndodhej në një lokal në fshatin Bradashesh, Elbasan, kishte me vete mina me telekomandë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bradasheshi, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: A. K., 48 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.