Këshilli i Europës: Disa qeveri po abuzojnë me COVID-19 për të kufizuar lirinë e shprehjes

355
Sigal

Komisionerja e Lartë e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatovic kritikoi një numër shtetesh në Europën Lindore, Ballkan dhe Kaukaz për abuzimin me emergjencën e krijuar nga pandemia COVID-19 dhe përdorimin e saj për të sulmuar lirinë e shprehjes.

Mijatoviç bëri të ditur se në një numër vendesh, përfshirë, Hungarinë, Rumaninë Bosnjën, Slovakinëe  Azerbajxhanin, sakaq kanë hyrë në rrugën e kufizimit të lirisë së shprehjes duke justifikuar me nevojën për të luftuar dizinformimin në lidhje me pandeminë.

Në një deklaratë për shtyp, Mijatoviç tha: “Problemet botërore të shëndetit të shkaktuara nga COVID-19 kërkojnë masa efikase për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e njerëzve. Kjo përfshin nevojën e luftimit të dizinformimit që mund të shkaktojë panik apo trazira shoqërore. Por është për të ardhur keq që disa qeveri po e përdorin këtë nevojë si pretekst për të vendosur kufizime disproporcionale ndaj lirisë së shtypit.”

Sipas të dhënave të Këshillit të Europës, parlamentet, qeveritë dhe autoritetet lokale kanë ndërmarrë ligje, dekrete apo vendime që dukshëm pengojnë punën e gazetarëve dhe të medias dhe kufizojnë të drejtën e publikut për të ndërmarrë informacion të pavarur.

Gazetarët që raportojnë për pandeminë në Hungari dhe në Rusi po përballen me sanksione të ndryshme, përfshirë ligje të reja që parashikojnë dënime me burg për përhapjen e “informacionit të rremë”, ndërsa në Azerbajxhan, amendime të kohëve të fundit detyrojnë pronarët e faqeve të internetit të parandalojnë përhapjen e “informacionit të dëmshëm” online.

Në Rumani, një dekretligj i lejon autoriteteve të heqin përmbajtjen dhe bllokojnë faqet e internetit kur gjykojnë se kanë të bëjnë me “informacion fals” në lidhje me ecurinë e COVID-19 dhe masave parandaluese.

Në Bosnjë dhe Herzegovinë, dekretet dhe propozimet ligjore që synojnë të ndëshkojnë qarkullimin e informacionit që mund të shkaktojë panik rrezikojnë të kufizojnë punën e gazetarëve dhe lirinë e medias në platformat e medias sociale.

“Kjo është një përqasje kundërprodhuese dhe duhet të ndalojë,” deklaroi Mijatoviç. “Veçanërisht në kohë krizash, ne kemi nevojë më shumë të mbrojmë liritë dhe të drejtat tona të shtrenjta.”

Pak ditë më parë, dhjetë organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, i bënë thirrje Këshillit të Europës të veprojë kundër asaj që organizatat gjykojnë se shumë qeveri po injorojnë detyrimet që kanë nga Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut

Shqetësime mbi injorimin e parimeve të shtetit ligjor kanë lindur jo vetëm në vende me demokraci hibride si shtetet e Ballkanit, por në raste të kufizuara, edhe në vendet e zhvilluara. Në Britaninë e Madhe, njësi të ndryshme policore u kritikuan javën e kaluar se po kërkonin të zbatonin, jo ligjin, por deklaratat apo mendimet e tyre mbi kufizimet dhe liritë. Në një rast, policia kritikoi disa qytetarë që kishin dalë në shëtitje në natyrë për kryerjen e një “aktiviteti jothelbësor”. Policia nga ana e saj u kritikua për shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës, pasi në rregullimin ligjor nuk parashikohej kufizimi i të drejtës për shëtitje në natyrë. Kjo sjellje u konsiderua nga kritikët si asgjë më pak se sa sjellja e policisë në një shtet policor.