Bankat ulin punonjësit, shkurtojnë zyrat dhe rrisin fitimet (infografik)

517
Sigal

Të dhënat e bilanceve të bankave të raportuara nga BSH për vitin 2019 tregojnë se për herë të parë ia dolën të ulin shpenzimet për personelin për të kompensuar rënien e të ardhurave nga interesat duke shënuar një vit tjetër të suksesshëm sa i përket fitimeve.

Bankat shqiptare rritën fitimet me 8% gjatë vitit 2019 duke shënuar vitin e dytë më të mirë në këtë drejtim pasi arritën të shkurtojnë shpenzimet operative, veçanërisht ato për paga për të kompensuar në këtë mënyrë rënien e të ardhurave nga interesat.

Të dhënat e përmbledhura të bilanceve të bankave të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fitimet neto arritën 19.9 miliardë lekë (afro 166 milionë euro), pavarësisht se të ardhurat nga interesat pësuan një rënie të konsiderueshme prej 4.8%. Të ardhurat nga interesat kanë qenë në rënie për sistemin bankar që nga viti 2012, pjesërisht për shkak të rënies së interesave të kredive dhe të borxhit publik dhe pjesërisht për shkak se volumi i kredive ka ardhur në rënie.

Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se stoku i kredive në fund të vitit 2019 ishte 576 miliardë lekë, me një rënie prej afro 1% në krahasim me vitin 2018. Nga këto, kreditë për familjet u rritën me 1.2% ndërsa ato për biznese u ulën me 1.8%.

Por ndërsa stoku i kredive ka rënë bashkë me të ardhurat nga interesat, bankat ia dolën të rrisin fitimet, kryesisht përmes shkurtimit të numrit të degëve dhe të punonjësve.

Kështu, në fund të vitit 2019, sistemi bankar kishte 6,366 të punësuar, ose afro 400 punonjës më pak se sa në vitin 2018. Gjithashtu, numri i degëve dhe agjencive bankare është ulur nga 470 në 422, kryesisht për shkak të bashkimeve dhe shitblerjeve të disa bankave.

Për rrjedhojë, shpenzimet për personelin të sistemit bankar, sipas të dhënave të publikuara nga BSH, ranë me 1.3% në 11.3 miliardë lekë.

Sistemi bankar duket se është në proces konsolidimi, ku numri i subjekteve që operojnë në treg është reduktuar nga 16 në 12. Ky reduktim i operatorëve ku disa banka u blenë nga simotrat, u shoqërua me mbylljen e degëve dhe uljen e numrit të punonjësve.

Fitimet e bankave shënuan vitin e kaluar vlerën 20 miliardë lekë (afro 166 milionë euro).

Të ardhurat e bankave nga dhënia e kredive dhe huave të tjera shënuan pikën më të lartë në vitin 2012 me 74 miliardë lekë. Që nga ajo kohë, rënia e interesave dhe volumi më i vogël i kredive sollën rënien e të ardhurave në afro 50 miliardë lekë në vitin 2019.

Shpenzimet e bankave për personelin, ku përfshihen pagat dhe sigurimet shoqërore, u rritën në vazhdimësi gjatë dekadës së fundit, me përjashtim të citit 2019 kur ulja e numrit të punonjësve solli edhe një rënie të lehtë të këtyre shpenzimeve.