Kërkimi për trupin e Jan Prengës, policia: Gjetëm qese me njolla gjaku një kilometër nga kompleksi “Golden”

169

Policia beson se ka gjetur një tjetër gjurmë të 49-vjeçarit Jan Prenga pas rrëmbimit dhe vrasjes së tij më 17 janar në kompleksin Golden në Shijak.

Rreth një kilometër nga ky objekt në një zonë pylli policia ka gjetur një qese plastike të gjakosur.

Materiali që besohet se është përdorur për të transportuar trupin e Jan Prengës është gjetur në datën 31 janar dhe menjëherë mostrat e gjakut janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore për ekzaminim nëse i përkasin viktimës.

Kur po bëhet një muaj nga ngjarja, policia ende nuk ka gjetur trupin e 49-vjeçarit Jan Prenga ndërsa për këtë ngjarje deri tani janë arrestuar shtetasit Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe është vetëdorëzuar Ardian Doçi si dhe janë shpallur në kërkim nëntë të tjerë.

Dyshohet se shkak i pengmarrjes ishin disa llogari të hapura të vëllezërve të Prengës për trafikimin e një sasie kokaine në Angli.

Ditën e djeshme grupi i hetimit publikoi edhe disa fotografi të hyrje-daljeve të autorëve në kompleksin Golden në Shijak, ku duket momenti I transferimit të trupit nga një mjet Range Rover në një furgon me të cilin dyshohet se është zhdukur kufoma.

Pengmarrja tek Resorti

Rrëmbimi sipas policisë ka ardhur “si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.”

Sipas grupit hetimor për pengmarrjen e 49-vjeçarit dyshohet një sasi prej 16 kg kokainë, e cila nuk është dorëzuar nga i vëllai i cili sipas autoriteteve shqiptare rezulton i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Një ditë pas ngjarjes policia gjeti të djegur në rrethinat e Durrësit mjetin tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë, i dyshuar i përdorur nga autorët.