Ksenofon Krisafi: Pse anglezët diskriminonin shqiptarët dhe favorizonin grekët

2755
Sigal

Vazhdon botimi i kumtesave të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare: “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” – Lufta për Liri, Pavarësi dhe Dinjitet e Popullit Shqiptar”

Shqipëria dhe aleatët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Amerikanët, britanikët dhe sovjetikët, vlerësuan rreshtimin e shqiptarëve në frontin e përbashkët antifashist

Nga Ksenofon Krisafi

Nesër do të lexoni:

-Deklarata e Fuqive të mëdha e dhjetorit 1942, për  marrëdhënie normale paqësore ndërmjet shteteve të Ballkanit

– Aleatët tregonin interes që njohja e qeverisë shqiptare të kryhej përpara zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese

– Pse anglezët mbanin këtë qëndrim diskriminues ndaj shqiptarëve dhe në favor të grekëve

– Qeveria amerikane priste konfirmimin e vlefshmërisë së traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939.

Për më tepër vazhdimi i pasigurisë aktuale në lidhje me statusin e Shqipërisë do të rrezikonte pavarësinë e saj, për të cilën ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, nëpërmjet deklaratave të tyre të dhjetorit 1942, kanë shprehur pa ekuivok dëshirën e tyre për ta parë atë të restauruar dhe do ta bënte akoma më të vështirë rikthimin në marrëdhëniet normale paqësore ndërmjet shteteve të Ballkanit. Sekretari i shtetit Byrnes iu sugjeronte homologëve të tij në Moskë dhe në Londër që, nëse do të binin dakord me propozimet e tij, të njoftohej në një datë sa më të shpejtë, nga të tre njëkohësisht Gjeneral Hoxha, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri për vendimin e qeverive Aleate për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin aktual shqiptar si qeveri e përkohshme e Shqipërisë, duke nënkuptuar se qeveria nga ana e vet do të angazhohej t’i mbante zgjedhjet në përputhje me parimet dhe procedurat e përmendura.
Bën përshtypje fakti se Aleatët tregonin interes që njohja e qeverisë shqiptare prej tyre të kryhej përpara datës 2 dhjetor që ishte caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, me qëllim që të përdorej gjatë fushatës elektorale.
Ishte ky një vlerësim shumë pozitiv për autoritetet shqiptare dhe arritjet e tyre, të vlerësuara objektivisht nga Fuqitë Aleate, por deri atëhere të pashprehura në publik.
Qeveria britanike, duke qënë në të njëjtën “gjatësi vale”, përsëriste rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe respektimin e standardeve demokratike etj. Por, e afishuar haptas si protektore e interesave greke, përmendte gati në çdo rast çështjen e kufijve të Shqipërisë, pa harruar të theksonte se akordimi i njohjes regjimit të Tiranës, nuk duhet të interpretohej si konfirmim i kufijve me Greqinë etj. Ishte bërë e qartë përkrahja e tyre e hapur ndaj pretendimeve territoriale të qarqeve ekstremiste greke ndaj Shqipërisë.

Lind pyetja se përse anglezët mbanin këtë qëndrim diskriminues ndaj shqiptarëve dhe në favor të grekëve?

Ka shumë të ngjarë që Britania e Madhe prirej jo vetëm nga simpati politike tradicionale përkundrejt Greqisë, por edhe nga synimi që ta largonte Greqinë nga rivendikimet ndaj Qipros, të cilën donte të vazhdonte ta mbante nën ndikimin e vet. Si kompensim i ofronte përkrahjen e rivendikimeve drejt veriut, në territoret shqiptare.
Britanikët do të vazhdonin ta përpunonin qëndrimin e vet për t’i dhënë Athinës sa më shumë garanci. Në një telegram që ambasadori amerikan në Londër, Vinant (John Gilbert Ëinant), i drejtonte Sekretarit të Shtetit në Uashington më 23 tetor 1945, përcillte letrën e Forin Ofisit të datës 21 tetor 1945. Aty konfirmohej se qeveria britanike kishte rënë dakord që akordimi i njohjes për qeverinë shqiptare të bëhej nëpërmjet dërgimit të notave te E.Hoxha, të cilat duhet t’i dorëzoheshin atij njëkohësisht nga përfaqësuesit e tyre në Tiranë.Në vijim shfaqej bindja se as qeveria shqiptare dhe as zgjedhjet nuk do të ishin demokratike në sensin që ato kuptohen në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Por, sidoqoftë mendohej se njohja do ta detyronte Enver Hoxhen që të mbante premtimet që kishte dhënë për lirinë e zgjedhjeve dhe çështjet e tjera. Dhe ajo çka rithekson sërish pozicionin e hapur progrek të Londrës, ishte paragrafi që përmbyllte letrën e Forin Ofisit, ku thuhej: “Kam frikë se vendimi për të njohur qeverinë shqiptare do të pritet shumë keq në Greqi, ku do të interpretohet sikur nënkupton që ne, tre qeveritë, kemi vendosur të mos mbështesim pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Prandaj, ne sugjerojmë që qeveria greke të informohet paraprakisht duke i bërë të qartë se njohja nuk paragjykon aspak zgjidhjen e ardhshme të çështjeve territoriale ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Do të ishte e dëshirueshme që kjo e fundit të bëhej e qartë publikisht në kohën kur do të njoftohej njohja.”

Për njohjen e qeverisë shqiptare…

Për njohjen e qeverisë shqiptare Uashingtoni, Londra dhe Moska punonin paralel edhe me palën franceze, e cila, siç thuhej, ishte e gatshme dhe e “përgatitur për ta njohur regjimin aktual në Shqipëri pa kurfarë rezerve.”
Fuqitë Aleate kishin menduar të vepronin në mënyrë të harmonizuar për njohjen e qeverisë shqiptare. Ishte rënë dakord që notat e njohjes do t’i dorëzonin përfaqësuesit e tyre në Tiranë, në të njëjtën datë, më 10 nëntor 1945. Por, atë ditë kryeministrit shqiptar iu dorëzua vetëm nota e qeverisë sovjetike, e cila konfirmonte se e njihte qeverinë shqiptare të dalë pas lufte. Ajo u pasua nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike si dhe nga shkëmbimi i përfaqësuesve zyrtarë në rangun e ministrit fuqiplotë.
Ditën që u njoftua njohja nga qeveria sovjetike, kryetari i misionit ushtark anglez dhe zv.kryetari i misionit diplomatik të SHBA-së, i kërkuan takim kryeministrit, Enver Hoxha dhe e njoftuan se edhe qeveritë e tyre, kishin vendosur gjithashtu ta njihnin qeverinë shqiptare, por aktet përkatëse do të dorëzoheshin më vonë. Kur ato mbërritën u vu re se bëhej fjalë për njohje të kushtëzuar, sepse përsëritej kërkesa që zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, për Asamblenë Kushtetuese të bëheshin të lira.
Qeveria amerikane ritheksonte gjithashtu se priste nga autoritetet shqiptare konfirmimin e vlefshmërisë së traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939.
Tirana i interpretoi ato si përpjekje për ta përdorur njohjen si mjet presioni. Në notën e përgjigjes, me një gjuhë që nuk e fshihte pakënaqësinë, theksonte se liria e zgjedhjeve të dhjetorit do të respektohej rigorozisht dhe kjo pavarësisht nga njohja ose jo e qeverisë. Për kushtin specifik të qeverisë amerikane, deklaronte se ishte gati të negocionte në rrugën e zakonshme diplomatike pas vendosjes së marrëdhënieve normale.
Marrëdhëniet me Anglinë dhe me SHBA nuk u vendosën. Kur u bënë të ditura rezultatet e zgjedhjeve për në asamblenë kushtetuese, u duk se qarqet drejtuese të Anglisë e të SHBA do të merrnin parasysh realitetin e ri shqiptar të pas luftës. Përfaqësuesit e tyre dhe të dërguar të shtypit perëndimor që vëzhguan procesin e zgjedhjeve, pohuan se në përgjithësi ato u zhvilluan në atmosferë normale.Por kërkesën për vlefshmërinë e traktateve të paraluftës qeveria amerikane e ktheu në conditio sine quoi non për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe refuzoi njohjen e qeverisë shqiptare.
Në muajt në vijim u duk se marrëdhëniet me Britaninë e Madhe do të kishin zhvillime optimiste. Qeveria angleze, nëpërmjet ambasadës së vet në Beograd i dorëzoi më 18 maj 1946 legatës shqiptare një notë verbale, me anën e së cilës njoftohej se përfaqësuesi i saj në rang ministri fuqiplotë do të nisej për në Shqipëri. Po atë ditë, disa orë më vonë, ambasada angleze e tërhoqi notën duke sqaruar se ishte e detyruar të kthente prapsht përfaqësuesin e nisur për në Shqipëri, për shkak të një incidenti që kishte ndodhur më 15 maj 1946 në ujrat shqiptare afër bregdetit, përballë Sarandës. Incidenti u pasua nga një tjetër edhe më i rëndë. Ai ndodhi më 22 tetor 1946, sërish në ujrat e gjirit të Sarandës dhe i përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Incidenti dhe zhvillimet traumatike që shoqëruan raportet ndërmjet dy vendeve u kthyen në pengesë të pakapërcyeshme dhe bllokuan për gati gjysmë shekulli raportet shqiptaro-britanike.
Kur flitet për aleancën e shqiptarëve me Koalicionin Antifashist nuk mund të mos përmendet aleanca që u krijua gjatë Luftës ndërmjet tyre dhe jugosllavëve.Ndikonte posaçërisht në këto raporte së pari qënia e Kosovës në përbërjen e ish-shtetit serbo-kroato-sllove, të shndërruar në ish-Jugosllavi. Mirë apo keq, në atë kohë mund të mendohej se mbajtja e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve fqinjë duhet të ndikonte pozitivisht në statusin e ardhshëm dhe gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi.
Nga ana tjetër nuk duhet neglizhuar fakti që Jugosllavia e asaj kohe ishte rreshtuar në krahun e Koalicionit Antifashist dhe me të drejtë mund të mendohej se ky duhet të ishte një faktor pozitiv që duhej shfrytëzuar dhe inkurajuar.
Prandaj në këtë grup pikëpamjesh bën pjesë edhe ajo që për një periudhë kohe glorifikonte maksimalisht lidhjet dhe aleancën me ish-Jugosllavinë, të cilat shkuan deri në formulimin e projekteve për bashkim, madje edhe aneksime territoresh.Por zhvillimet që përshkuan gati tre vjet prej çlirimit e në vijim, bënë që propaganda projugosllave të kthehej tërësisht mbrapsht.
Konsiderata e përgjithshme për vlerat dhe kontributin e aleancës me Koalicionin Antifashist, si faktor i jashtëm me rëndësi të pamohueshme për çlirimin e vendit dhe veçanërisht për ruajtjen e tërësisë territoriale, mbeti e pacenuar në thelb. Ajo iu rezistoi luhatjeve që u shkaktuan nga klima politike, simpatitë dhe antipatitë politiko-ideologjike ndërmjet Shqipërisë dhe tre aleatëve të mëdhenj, të kultivuara dhe të indoktrinuara nga udhëheqja komuniste shqiptare.
Marrëdhëniet me ShBA dhe Britaninë e Madhe të ngurtësuara për një periudhë gati gjysmëshekullore, u normalizuan në fillimet e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Në maj të vitit 1992, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Britanisë së Madhe, përfunduan negociatat shumëvjeçare dhe arritën marrëveshje për zgjidhjen e çështjeve të kontestueshme, zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për përgjegjësinë hipotetike të Shqipërisë për incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe për kthimin e rreth 1574 kg ar, pronë e shtetit shqiptar të bllokuar në Londër që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Iu hap kështu rruga rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Një vit më parë, pas bisedimesh të zgjatura, ishin normalizuar edhe marrëdhëniet me SHBA.

Hapat e mësipërm shtendosën përfundimisht raportet zyrtare me dy prej fuqive më me peshë në jetën ndërkombëtare, krijuan kushte për zhvillime të përshpejtuara dhe i siguruan Shqipërisë përkrahjen e tyre të çmuar.
Të identifikuara si marrëdhënie me rëndësi strategjike dhe me prioritet të veçantë në politikën e jashtme të Shqipërisë, ato kanë njohur progres të vazhdueshëm.
Marrëdhëniet me ish Bashkimin Sovjetik, që juridikisht u trashëguan nga Rusia, deri në vitin 1961 karakterizoheshin nga zhvillime intensive pozitive, por divergjencat e mëdha ideologjike dhe politike që u shfaqën midis udhëheqjes shqiptare dhe asaj sovjetike të asaj kohe, çuan në prerjen e marrëdhënieve diplomatike, në vitin 1961. Do të kalonin gati 30 vjet derisa tërivendoseshinnë vitin 1989.Pas kësaj kohe ato u zhvilluan normalisht, por ka disa vjet që ekziston një ndjenjë mosbesimi nga të dy palët që duket sikur nuk krijon hapësirat e duhura për zhvillime normale midis tyre.
Një drejtim tjetër për sigurimin e njohjes ndërkombëtare në të cilin punonte qeveria shqiptare e dalë nga Mbledhja e Beratit ishte pranimi ose anëtarësimi, sipas rastit, në organizatat ose konferencat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria kishte interes. Përpjekjet kryesore ishin fokusuar sidomos në dy drejtime kryesore, pjesëmarrja në Konferencën themeluese të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në San Francisko, prill-qershor 1945 dhe më pas anëtarësimi në këtë organizatë. Shqipëria, e renditur në radhët e fituesve të Luftës së Dytë Botërore përkrah Fuqive Aleate, priste të thirrej në Konferencën e San Franciskos dhe të trajtohej me statusin e aleatit.Përpjekjet për sigurimin e përfaqësimit në të, u vlerësuan si një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të politikës së jashtme, që do t’i shërbente njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare.Por, nën pretekstin se nuk ishte njohur nga qeveritë e shteteve të tjerë, Shqipëria nuk u thirr në Konferencën e San Franciskos.Paralel punohej për pjesëmarrjen në forumet që po përgatisnin Konferencën e Paqes në Paris, 1946, që do të miratonte Traktatin e Paqes me Italinë. Nuk ishin lënë pas dore edhe përpjekjet për të marrë pjesë në konferenca ose organizma të tjera siç ishte Konferenca e Reparacioneve nga Gjermania, Paris 1945, Agjencia Ndëraleate e Reparacioneve etj.
Me kalimin e viteve ajo do të zinte vendin e vet në OKB dhe në disa dhjetra organizata të tjera ndërkombëtare, duke i dhënë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare të pasluftës.