Kartëmonedha 1 mijë lekëshe, prerja më e falsifikuar në Shqipëri: Si të mos mashtroheni

995
Kartëmonedha 1 mijë lekëshe është prerja më e falsifikuar e lekut shqiptar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar pothuajse gjysma e kartëmonedhave të zbuluara si të falsifikuara i takonin kësaj prerjeje.
Pjesa tjetër e parasë së falsifikuar ndahet mes monedhave metalike 50 lekëshe, kartëmonedhave 500 lekëshe dhe atyre me vlerë 2 mijë lekëshe.
Ndonëse nuk jep informacion lidhur me vlerën apo sasinë e parasë së falsifikuar, Banka e Shqipërisë thotë se ajo ka një vlerë krejt të papërfillshme në raport me sasinë e kartëmonedhave dhe monedhave metalike në qarkullim, raporton TV Scan.
Gjatë vitit 2016, sasia e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara ka pësuar ulje me 13.4%, krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë vlerëson se përgjithësisht falsifikimi i kartëmonedhave bëhet me metoda të thjeshta dhe ka nivel të ulët sofistikimi.
Falsifikuesit përdorin kryesisht riprodhimet dixhitale me ngjyra, të kombinuara me aplikimin e metodave shtesë për imitimin e elementeve bazë të sigurisë, të natyrës vizuale.
Nuk konstatohet ndonjë tendencë drejt printimeve me natyrë profesionale, që tentojnë të imitojnë elementët e sigurisë të lexueshëm nga pajisjet autentifikuese.
Disa shenja se si të dalloni një kartëmonedhë false nga një e vërtetë
Nëse mendoni se verifikimi i shiritit të ndritshëm mjafton për të mos u mashtruar, gaboheni.
Kjo, pasi falsifikatorët kanë perfeksionuar metodat e tyre duke shtypur mbi kartëmonedhat false edhe këtë element dallues.
Megjithatë, nëse shihet me kujdes, tek kartëmonedha false nuk është i shënuar numri 1 000 lekë mbi shiritin e shndritshëm, ndryshe nga kartëmonedhat e rregullta.
Gjithashtu, një kartëmonedhë 1 000 lekë false është rreth 5 mm më e ngushtë se sa kartëmonedha 1 000 e rregullt.
Kjo është një element i rëndësishëm për ta dalluar, pasi nëse shihet me vëmendje, dallimi është i dukshëm.
Krahas kësaj, kartëmonedha e falsifikuar nuk e ka relievin mbi të, ndryshe nga kartëmonedha e rregullt, e cila ka reliev në disa pjesë të saj.
Një element tjetër dallues është letra. Kjo e fundit është shumë e butë dhe duket si e lagur e rrudhur tek kartëmonedhat e falsifikuar, ndërsa letra e kartëmonedhave të rregullta është më e fortë dhe më e shndritshme.
Sigal